Ish-drejtori i policisë:Dialogu me Xhevdet Mustafën për të liruar fëmijët që mbante peng
Kjo është historia më e hollësishme e shkruar ndonjëherë për grupin e Xhevdet Musftafës, që në vitin 1982 zbarkoi në bregdetin shqiptar me qëllimin e vetëm të shkonte në Tiranë dhe të ekzekutonte Enver Hoxhën. Një histori që vjen e rrëfyer nga një prej njerëzve që e njohin më mirë, pasi autori i këtyre radhëve, Kasëm Kaçi, në këtë kohë ka qenë me detyrë Drejtor i Përgjithshëm i Policisë dhe njëkohësisht një nga drejtuesit e operacionit për kapjen apo asgjësimin e Xhevdet Mustafës të ngujuar në një banesë në fshatin Zhamë të Lushnjës. Autori i këtij rrëfimi e ka përmbledhur këtë histori në librin e tij të sapo botuar "Zbulimi dhe parandalimi i krimeve".
Kasëm Kaçi
"Ishte ditë e diel, ora 7 e mëngjesit 25 shtator 1982. Oficeri i gatishmërisë operative të Ministrisë së punëve të Brendshme kolegu im, Dhimitër Krisafi, më njofton në telefon se qysh dje paradite zv. shefi i policisë së rrethit Lushnjë, së bashku me punëtorin e policisë së zonës së Divjakës dhe dy shokë të tjerë, pasi kishin mbaruar stërvitjen me rezervistët e postës së policisë Divjakë në plazh, ishin nisur me barkën shpëtuese të policisë për të shkuar te pika e peshkatarëve që ishte afër hidrovorëve dhe se ata nuk ishin kthyer e gjendur akoma, me gjithë kërkimet që ishin bërë deri në atë kohë nga Dega e Punëve të Brendshme Lushnjë. Pa humbur kohë u nisa për në Ministri, për të sqaruar situatën dhe për të marrë masat përkatëse…"
"…Makina që unë kisha ishte shumë e amortizuar dhe i mungonte ajo shpejtësi që duhej të ecja për të shkuar në vendin e ngjarjes, edhe benzinën e kishim me limit. Rrugës, tek kombinati i drurit "Misto Mame" më arrin ministri i Punëve të Brendshme (Hekuran Isai). Ndalon automjetin dhe më merr me vete në automjetin e tij. Sa hyra brenda në makinë, ai më informoi se zv.shefin e policisë me dy shokë të tjerë të tij i kishin gjetur të vrarë në Divjakë, në Tokën e Vdekur (kështu quhet vendi ku u gjetën kufomat, ishte një rrip toke i rrethuar me ujë)..."
"…Në rrethin e Lushnjës ishte bërë bllokimi i rajonit të Divjakës si dhe gjithë zonës, duke përfshirë daljet nga masivi i pyllit të Divjakës në gjithë gjatësinë e tij, bregun e lumit Shkumbin, kodrat e Divjakës, çermën, Rrogozhinën si dhe krahun e Fierit. Në disa vende dominuese u caktuan dhe vrojtues..."
"...Banda sa kishte zbritur në buzë të detit, ishte ngujuar e hapur transhe të maskuar rreth 225 metër larg buzës së detit. Atje në transe u gjetën materiale luftarake të rëndësishme, një pushkë e shkurtër e precizonit të lartë me dylbi speciale, automatikë, 3 revolverë, municion i bollshëm, litar najloni për ngjitje në lartësi e mjete të tjera që i nevojiteshin një bande si dhe radiondërlidhje..."
"...Me gjithë kërkimet që bëheshin në zonën e Divjakës ishte e qartë nga gjetja e varkës në afërsi të plazhit të pushimeve dhe pikës së hapjes se banda e kishte kaluar vendin ku kërkonim..."
Përplasja
"...Në klubin e Rrogozhinës që ishte në krah të djathtë të rrugës, sa merr kthesën për të ardhur në Lushnjë, dikush dyshon për dy persona, të cilët shkuan në një lokal dhe kërkuan për të pirë birrë. Menjëherë shkuan dhe informuan policin e shërbimit të trafikut që qëndronte në kryqëzimin e rrugëve të Rrogozhinës.
Polici i trafikut menjëherë merr me vete një anëtar të grupit të bashkimit vullnetar që ishte në afërsi të tij dhe me shpejtësi ju dalin atyre përpara se të futeshin në stacion, ballë për ballë me ta. Polici i ndalon dhe ju kërkon letërnjoftimet. Njëri prej tyre u dorëzua, u kap dhe u çarmatos, ndërkohë tjetri largohet me shpejtësi në drejtim të fushës ku ishin lënë nga transporti disa elementë për qendra zjarri të ushtrisë. Polici i thirri për të ndaluar, por ai hapi zjarr në ecje e sipër kundër tij. Ndërkohë polici tjetër vihet në ndjekje të tij. Anëtari i grupit të bashkimeve vullnetare së bashku me policin e lidhën të panjohurin dhe së bashku me dy shokë të tjerë e shoqëruan për në postën e policisë së Rrogozhinës... I panjohuri i dytë që vraponte drejt elementëve të bunkerëve në ecje e sipër kthehej me shpejtësi nga para-mbrapa duke u hedhur me kërcime qëllonte me pistoletë me të dy duart në drejtim të policit, pastaj rikthehej e vazhdonte vrapin, derisa u fut në grumbullin e elementëve të qendrave të zjarrit, ku ishte më i sigurt dhe prej andej qëllon policin, i cili shfrytëzonte për mbrojtje trasenë e linjës hekurudhore..."
"...Në kohën kur viheshin përpjekje për ta kapur të gjallë këtë diversant, një anëtar i grupit të bashkimit vullnetar shkon në pikën e hapjes së ushtrisë aty pranë dhe i merr rojës pushkën e tij, duke i shkuar diversantit pas shpine. I kërkoi të dorëzohej, por ai përsëri hapi zjarr edhe kundër tij. Kështu që si mbeti gjë tjetër veçse të qëllonte mbi të për ta asgjësuar..."
Veprimet e Xhevdetit
Në kohën kur dy pjesëtarët e bandës shkuan në klubin e Rrogozhinës për të ngrënë e për të pirë ndonjë pije freskuese, Xhevdeti kishte qëndruar në stacion së bashku me personin që e kishte marrë peng në Divjakë si udhërrëfyes, derisa të ktheheshin shokët e tij. Në kohën kur ai dëgjoi armët, kupton se dy shokët e tij kishin rënë në përpjekje dhe menjëherë zbret poshtë në stacion ku gjen një automjet tip "ZIS", hipën në të, ndez motorin dhe niset në drejtim të Kavajës. Sa del nga Rrogozhina, në kthesën e kodrave me pisha, i ndalon automjeti për mungesë karburanti, zbret nga andej dhe ndalon një taksi me të cilën po udhëtonin një nuse së bashku me dhëndrin që po martoheshin atë ditë, për të shkuar në shtëpinë e tyre. Xhevdeti me pistoletë në dorë ndalon taksinë, qëllon me pistoletë drejt tokës dhe zbret me forcë nga automjeti çiftin e ri duke i mashtruar e paraqitur si njeri i Sigurimit ju tha: "Zbritni shpejt se kemi një punë urgjente në Tiranë, është plagosur udhëheqësi kryesor e duhen marrë masa".
Në këtë mënyrë ai hipën prapa shoferit në taksi duke e kërcënuar i thotë: "Shpejt, ec përpara në drejtim të Lushnjës". Shoferi kupton se nuk ka të bëjë me një njeri të Sigurimit, por me një diversant dhe niset në drejtimin e urdhëruar dhe me qëllim, sipas tij, që ta kuptojnë për ti dalë përpara, ai ndez dritat e makinës porsa u fut në qytetin e Rrogozhinës. Askujt nuk i shkoi mendja për këtë pasi siç duhet ndezja e dritave dhe ecja me shpejtësi janë sinjale për urgjenca, prandaj dhe nuk u kuptua nga askush në qytet. Sipas shoferit, ai mendoi të rrëzonte automjetin në urën e Rrogozhinës, por pastaj i shkoi mendja se më përpara me siguri do të ndeshtë në postblloqe të policisë dhe do të ndalohej. Shoferi mendonte se si mund ta godiste vetë në makinë por nuk kishte asnjë mjet dhe mundësi, veç kur ta ndalonin të hidhej sipër për t'i kapur duart, mundësi veç kur ta ndalonin të hidhej sipër për ti kapur duart, megjithëse Xhevdeti i rrinte pas shpine me revolver në dorë duke ia mbajtur mbrapa kokës. Gjatë gjithë rrugës shoferi përpunonte në kokën e tij planin se si mund t'i hidhej, si ti kapte duart kur ta ndalonin dhe në pamundësi të kësaj përpunonte idenë ku ta përplaste me makinë dhe ja momenti erdhi. Porsa afrohet në çermë, tek kthesa e Divjakës, ku ishte pika e kontrollit, Xhevdeti e urdhëron që të kalojë postbllokun dhe ta fusë automjetin në anën e majtë të rrugës që shkonte drejt kodrave (kjo ishte një rrugë shumë e shkurtër).
Në kohën kur punonjësit e policisë, në pikën e kontrollit po kontrollonin 2-3 automjete të tjera, taksia me drita të ndezura futet anash, në krahun e majtë që ishte i lirë, duke dhënë sinjalin e kthimit, kështu i shpëtuan ndalimit para postbllokut për kontroll nga punonjësit e policisë, por policët e panë dhe njëri prej tyre vihen në ndjekje të taksisë në drejtim të kodrës, përmbi lokalet, për të ndjekur veprimet e automjetit që nuk ndaloi. Taksia, pasi përshkoi rreth 200 metër rrugë, ndalon, nuk kishte më mundësi kalimi. Në këtë kohë Xhevdeti zbret nga automjeti dhe ecën me shpejtësi drejt rrugës këmbësore. Në fund të vreshtës, nën trasenë hekurudhore, në largësi 30-40 metër i del përpara një fshatar me çifte në dorë, i cili ishte duke vrojtuar, por akoma nuk e dinte se me kë kishte të bënte dhe në kohën kur ai do të fillonte të fliste, e të komunikonte me të, Xhevdeti në befasi, pa komunikuar fare me të, qëllon kundër tij me pistoletë dhe i pret tytat e çiftes duke ja nxjerr atë jashtë përdorimit dhe me shpejtësi shkon në një shtëpi të veçuar midis vreshtave, në fund të një bregoreje të vogël afër xhadesë, rreth 200 metër.
Në kohën kur Xhevdeti tenton të futet në shtëpi, në njërën nga dhomat i del përpara i zoti i shtëpisë dhe e ndalon. Kërkoi prej tij kush ishte dhe çfarë kërkonte. Xhevdeti, i trembur nga ky fshatar trim, që nuk donte t'ia dinte se me kë kishte të bënte, nxjerr pistoletën dhe e vret në sy të 7 fëmijëve të tij. Ndërkohë nga krahu i kundërt i shkon kontrollori i qarkullimit rrugor, i cili duke mos ditur në cilin vend ndodhej Xhevdeti, mundohet me shpejtësi të dalë mbrapa shtëpive për ta kapur atë, por Xhevdeti që e sheh nga dritarja e dhomës së shtëpisë, hap zjarr në befasi dhe e vret edhe kontrollorin e qarkullimit rrugor të ushtrisë. Pastaj merr fëmijët me forcë dhe i fut në një nga dhomat që ishte më e sigurt. Pasi futet brenda, mbyll derën e dhomës, duke vendosur pas saj bufenë që kishte peshë të rëndë që të mos mundej të hapej nga jashtë. Të njëjtën punë bën dhe me penxheren, gjysmën e saj e bllokon me një raft tjetër dhe fillon t'u bëjë presion fëmijëve. Njërin nga fëmijët e vegjël 3-4 vjeç Xhevdeti e kishte plagosur në krah dhe atë e kishte futur në dhomë, i cili qante nga dhimbja. Ai mendoi të shpëtonte lëkurën e tij duke mbajtur peng fëmijët, duke mbajtur aty edhe fëmijën e plagosur.
Sa kisha mbërritur në pikën e kontrollit të çermës mësova situatën që njëri nga diversantët ishte futur në një shtëpi. Ndërkohë, ish-ministri i Brendshëm Kadri Hazbiu më kërkon dhe më thotë: "Shko merr drejtimin e veprimeve në vendin ku ishte futur diversanti". Në këtë vend kishin shkuar para meje dhe qëndronin karshi shtëpisë ku ishte futur diversanti, Hekuran Isai, anëtar i Byrosë Politike dhe Ministri i Brendshëm (i cili gjithashtu sa më pa, më porositi për kujdesin që duhet të bëja) dhe Muho Asllani, anëtar i Byrosë politike. Aty kishte kaluar edhe Lenka çuko anëtare e Byrosë dhe sekretare e K.P të Lushnjës dhe kishte shkuar në Lushnjë, e cila, siç më thanë, nuk di sa e vërtetë ishte, Ramiz Alia i kishte dhënë porosinë që të largoheshin nga vendi i operacionit dhe të lejonin të vepronte ai që ishte ngarkuar të drejtonte operacionin...
Organizimi i rrethimit
..Për të siguruar kapjen e tij u kryen dy rrethime, rrethimi i afërt, bllokimi i shtëpisë, hyrjeve e daljeve dhe rrethimi i largët... Tek dera e daljes nga dhoma ku ishte futur Xhevdeti u vendosën dy oficerë me përvojë të përgatitur fizikisht dhe të aftë për ta paralizuar menjëherë në rast daljeje të tij. Në këndin e shtëpisë nga jashtë, (krahu jugor) ngjitur me murin e dhomës ku ishte diversanti u vendosën dy nënoficerë të tjerë me automatik që kontrollonin daljen nga dritarja e dhomës dhe kishin fushëpamje të plotë me kënd zjarri përpara, që e kontrollonin mirë gjithë vendin.
Në krahun tjetër të dhomës (nga veriu) në largësi 6-7 metra u vendosën dy nënoficerë sampistë me kënd vrojtimi të plotë të dritares së dhomës ku ishte diversanti, të cilët në rast zjarri kishin pamje të plotë ballore dhe kryqëzonin zjarrin me dy shokët e tjerë në krah të kundërt (krahun jugor).
Mbi tavanin e dhomës u fut një oficer, i cili herë pas here provokonte me trokitje dërrasat për t'i bërë presion dhe për të siguruar në rast se mund të bënte ndonjë tentativë për të dalë nga tavani, gjë që ishte e pamundur.
Po kështu, për siguri edhe në çatinë e shtëpisë ishte vendosur një shënjues i precizionit, i cili nga çdo krah kishte këndvështrim të plotë...
"...U mësua se Xhevdet Mustafa ishte i armatosur me një revolver, i cili mbante 16 fishekë. Revolveri kishte dhe silenciator. Sipas llogarive që u bënë deri në kohën kur ai u rrethua në shtëpinë ku kishte hyrë forcërisht duhej të kishte në pistoletë jo më shumë se 3-4 fishekë, pasi kishte qëlluar disa herë..."
"...I gjithë qëllimi ynë ishte të shpëtohej me çdo kusht jeta e fëmijëve. Xhevdet Mustafës të mos i jepej më asnjë mundësi që të vriste njerëz të tjerë dhe me çdo kusht të kapej i gjallë. Për t'ia arritur këtij qëllimi u përpunuan disa variante dhe u ndërmorën disa veprime:
-Ju kërkua Xhevdetit që të dorëzohej, duke e shoqëruar këtë kërkesë me presion psikologjik. Ju tha se nuk kishte rrugë tjetër, ishte i rrethuar, veç të dorëzohej dhe ai ndjente këtë që ishte i rrethuar dhe nuk kishte asnjë mundësi shpëtimi. Ai nuk pranoi..."
Dialogët me Xhevdetin
"...Ai kujtoi se nuk se nuk njihej akoma nga organet tona se kush ishte. Ai kërkoi t'i jepej afat për t'u dorëzuar deri në mbrëmje (kishte qëllim që të përfitonte nga errësira për t'u larguar). Ju dha përgjigje e prerë, duke përsëritur kërkesën për t'u dorëzuar. Ai përsëri refuzoi.
-Ju bë thirrje të nxirrte fëmijët jashtë nga dhoma, por ai nuk pranonte. Ju i vrisni fëmijët, -thërriste nga brenda, -po të dalin jashtë! Kjo ishte e vetmja shpresë që mendonte ai se me anën e fëmijëve mund të çante rrethimin dhe të largohej, prandaj kërkonte afat deri në mbrëmje për t'u dorëzuar, me qëllim që mund të përfitonte nga errësira dhe se në këtë kohë nuk do të mund ta dallonin duke dalë në mes të fëmijëve.
U bënë tentativa për të hapur derën me forcë dhe e shtymë atë dy-tre herë, por ajo nuk hapej, duke bërë presion me anë të hapjes së zjarrit në ajër me automatik, por edhe kjo nuk dha rezultat.
-U studiua mundësia për të hapur disa dërrasa të tavanit të dhomës nga sipër që mund ta shikonin e vrojtonin në çfarë vendi qëndronte dhe nëse jepej mundësia për të vepruar kundër tij. Me gjithë vështirësitë që paraqiste kjo punë për shkak të vetë pozicionit të ndërtesës ajo mund të bëhej, por zor se mund të arrihej qëllimi. Pasi jo vetëm që Xhevdeti qëndronte në mes të fëmijëve, por edhe shokët që do të hidheshin njëherësh brenda në dhomë, 3-4 vetë ai kishte të gjitha mundësitë për t'i dëmtuar ata rëndë. Ne nuk donim kurrsesi të vriteshin njerëz të tjerë.
-Dorëzohem edhe unë, - tha Xhevdeti, - po qe se m'i bini këtu t'i shoh shokët. Ata ma dinë edhe emrin kush jam.
-Xhevdet, - foli në emër drejtuesi i veprimeve operative - ne të njohim shumë mirë se kush je, të njohim edhe familjen tënde, shokët e tu na e kanë treguar, prandaj dil jashtë se do t'i shohësh dhe ata që kërkon ti.
Kur mori vesh se ju fol në emër, mesa duket kjo i ra e papritur, ndërpreu bisedën. Kujtuam se po përgatitej për të marrë ndonjë kundërveprim, pasi nuk pritej që ai mund të dorëzohej. Ishte e qartë se ai kërkonte shokët e tij për t'ia sjellë atje jo për t'u dorëzuar, por që t'i jepej mundësia për t'i vrarë, me qëllim që të mos dilte asgjë nga goja e tyre për misionin që u kishin ngarkuar ata që i kishin dërguar në Shqipëri.
-Ju po merreni me mua këtu, - foli Xhevdeti nga brenda me një ton më të ulët se herët e tjera dhe si i penduar që po tregonte një sekret, - por ju nuk e dini se çdo të bëhet sot në Tiranë. Atje janë 270 vetë që do të veprojnë e do kërcasë pushka. (Këto thënie të tij ai i bënte ndoshta edhe me qëllim për të bërë presion ose për të tërhequr vëmendjen e forcave që vepronin kundër tij, gjë që ishte logjike, ose do ja kishin thënë ustallarët e tij kur e nisën për në Shqipëri për ta inkurajuar, nëse nuk fshihej gjë tjetër që ishte e lidhur me situatën dhe detyrat që i ishin ngarkuar kësaj bande). Në përgjigje të thënies së tij, drejtuesi i operacionit i tha:
-Xhevdet, në Tiranë deri tani janë kapur 269 prej tyre, pra ju jeni i fundit.
Pas kësaj deklarate Xhevdeti e mbylli gojën dhe nuk foli më. Atij ju tha se do t'i sillnin nënën dhe vëllezërit e tij të nderuar dhe korrektë që s'kishin asgjë të përbashkët me qëndrimin e tij.
-Unë i vras edhe ata, - u përgjigj Xhevdeti.
-Edhe nënën, që të ka bërë kokën? I tha drejtuesi i operacionit.
-Po, u përgjigj ai i xhindosur dhe si egërsirë që nuk i kishte mbetur asgjë njerëzore.
Dikush nga shokët që vepronin aty i foli dhe i tha Xhevdetit:
-Dorëzohu "o shok", sepse do të kesh lehtësira. Në fakt ai i foli me tallje, kurse Xhevdeti i'u përgjigj:
-U ftofsh në tajare, or ti!
Me këtë donte të thoshte: "Pse nuk e di unë se çdo më presë?"
Kjo rezistencë e Xhevdet Mustafës për të mos u dorëzuar ishte e kuptueshme dhe nuk mund të ndodhte ndryshe, pasi ai kishte vrarë deri në atë kohë gjashtë njerëz dhe kishte plagosur një fëmijë...
...Xhevdet Musfatës iu bë thirrja e fundit për t'u dorëzuar dhe me të vërtetë ai e kuptoi se tani i kishte ardhur fundi. Foli me gjysmë zëri dhe pa shpresë:
-A mund të më jepni edhe një orë afat (i shkonte variantit që të errësohej) dhe ndërkohë (siç shpjegoi edhe një nga fëmijët që kishte brenda në dhomë me të) mori shishen e vajit dhe po lyente trupin, duart, gjoksin, shpatullat e mesin, pra po përgatitej edhe ai për kontaktin fizik, kur pa diagaçin që i qëndronte përkarshi dhomës ku ai ishte futur.
-Asnjë lloj afati e kushti nuk japim! -ia preu shkurt drejtuesi i veprimeve. -Po deshe dil tani dhe dorëzohu, ndryshe do të fillojmë nga veprimet për t'u asgjësuar.
Në këtë mënyrë Xhevdet Mustafës i kishin mbetur vetëm dy alternativa; ose të dorëzohej, ose të vriste veten, rrugë tjetër nuk kishte dhe mesa dukej ai do të zgjidhte këtë të fundit, të vetëvrasjes..."
Fundi
"...Pas një pauze të shkurtër, prej 2-3 minutash drejtuesi i operacionit i dha sinjalin diagaçit për të filluar nga veprimet me goditje të shkurtra (kolpo) dhe ai nisi goditjen e parë me shumë kujdes në vendin më të përshtatshëm dhe më rezultativ, që dha një goditje të fortë dhe bëri zhvendosjen e sendeve që ishin brenda në dhomë. Kjo frikësoi së tepërmi fëmijët, të cilët filluan të bërtasin, por ndërkohë oficerët që ishin ngjitur te dera e dhomës dhe drejtuesi i veprimeve ju folën që të mos trembeshin dhe të qëndronin larg murit ballor, anash dhomës. Kur diagaçi goditi, ose më mirë të themi shpoi murin për të tretën herë, për inerci të lëvizjes u rrëzua dollapi që Xhevdeti kishte vënë prapa derës, pra u hap dera njëherësh. Ju fol fëmijëve duke i dhënë edhe një shtytje me këmbë derës nga jashtë që të hapej mirë dhe të dilnin fëmijët, ndërsa Xhevdeti tashmë ishte futur nën bufenë e rrëzuar. Fëmijët filluan të dalin me shpejtësi jashtë nga dhoma dhe pikërisht në këtë kohë Xhevdeti qëllon në drejtim të derës, ku u plagos lehtë në krahun e majtë njëra nga vajzat që po dilnin jashtë nga dhoma. Diagaçit ju dha urdhër që të ndalonte lëvizjet. Në mur ishte hapur një vrimë e vogël që dallohej fare pak, por tani problemi ishte zgjidhur, pasi fëmijët kishin dalë që të gjithë jashtë. Pikërisht në këtë kohë, kur po dilnin fëmijët, dëgjohet krisma e dytë e revolverit të tij. Xhevdeti qëlloi përsëri, por kësaj here, duke mos pasur rrugëdalje, shtie kundër vetes, vret veten duke u goditur në lule të ballit..."