E Diel, 1 Nëntor 2026

Malaj: PS të nisë përgatitjet për zgjedhjet lokale



Aristir Lumezi

Anëtari i kryesisë socialiste, deputeti Arben Malaj, në një analizë të situatës politike pas grevës së urisë dhe pritjes për gjetjen e një zgjidhjeje të krizës politike shprehet për “Panorama” se, PS duhet të nisë përgatitjet për zgjedhjet vendore të 2011-ës. Sipas tij, çdo zvarritje dhe çdo strategji e bazuar në protesta nuk do të sillte asnjë fitore me efekte pozitive konkrete. Duke folur për negociatat politike, Malaj shprehet se janë dështim i radhës, me pasoja për vendin. Si një nga grevistët e urisë, Malaj thotë se gjatë protestave u teprua me euforinë në fjalimet e oratorëve, që deklaronin zgjidhje të krizës për 3 apo 10 ditë, ndërsa këto deklarata sipas Malajt, cenuan dhe seriozitetin e këtij aksioni politik përballë shqiptarëve. Malaj shprehet se greva arriti të sensibilizojë faktorin e brendshëm dhe të jashtëm, ndërsa tani PS duhet të shohë përpara, të organizohet në Parlament dhe të përgatitet për zgjedhjet vendore.
Zoti Malaj, kanë kaluar disa ditë nga përfundimi i një afati dyjavor lënë nga partnerët europianë në Strasburg dhe Bruksel, brenda të cilit do duhej të zgjidhej kriza politike. Asgjë nuk ka ndryshuar, edhe pse janë bërë disa negociata në nivel ekspertësh mes PS dhe PD në fshehtësi të plotë që, mesa duket, nuk kanë sjellë rezultat. Si e vlerësoni këtë situatë?
Fatkeqësisht ky është dështim i radhës dhe me pasoja për vendin. është e pafalshme që ndërsa ballafaqohemi gjithnjë e më shumë me risqet e krizës ekonomike e sociale, situata politike në vend vazhdon të jetë e mbingarkuar negativisht. Unë shpresova që “Krokodili” të ishte një rast për vendin, ku politikanët tanë do të deklaronin përgjegjësinë e tyre dhe do të premtonin zgjidhjen e krizës.
Ju jeni shprehur vazhdimisht se PS duhet të zhvillojë jetë parlamentare, duke e alternuar edhe me protesta. Si vlerësoni faktin që PS sot është vetëm në Parlament dhe pa hapur kutitë?!
I mbetem detyrimit që çdo forcë politike e votuar në zgjedhje ka për të qenë parti parlamentare. është pikërisht kjo pyetje që më ndihmon të ritheksoj se PS nuk duhet ta vonojë organizimin e saj dhe pjesëmarrjen e plotë dhe efektive në Parlament. Më konkretisht, duhet të përfundojë konfigurimi i përfaqësimit tonë politik në Parlament, të zgjidhet nënkryetari i Parlamentit, të zgjidhen kryetarët dhe nënkryetarët e komisioneve, të rritet efikasiteti i pjesëmarrjes në komisionet dhe seancat parlamentare. Po kështu, duhet të përfundojë edhe organizimi i drejtimit politik të grupit parlamentar dhe i strukturave të tjera partiake në nivel lokal dhe qendror. Mosarritja e një kompromisi për kërkesat tona, duhet të jetë një argument i fortë pse PS nuk duhet të humbasë asnjë minutë për mirorganizimin e saj politik dhe efikasitetin parlamentar.
Pas përfundimit të ultimatumeve dhe moszgjidhjes së krizës, kreu socialist ka nisur një tur takimesh në bashkitë qendër qarku përmes të cilave po përgëzon pjesëmarrësit e grevës së urisë dhe inkurajon ata se greva nuk dështoi, por solli frytet e saj. Sa greva e urisë, ku ju ishit pjesëmarrës, e arriti objektivin e saj?
I mirëkuptoj të gjitha debatet publike për efikasitetin e grevës së urisë. Analiza e arritjeve duhet parë në këndvështrimin e pritshmërive të shprehura publikisht jo vetëm në protesta, por në të gjitha aktivitetet tona publike. Disa pritshmëri, sidomos ato që shpreheshin në momente optimizmi nga pjesëmarrja e madhe e protestuesve, realisht ishin më shumë se optimiste. Disa prej tyre cenuan seriozitetin e ballafaqimit politik, dëmtuan sidomos përkushtimin e protestuesve, të cilët ishin më të qartë se disa nga liderët e protestave, që premtonin fitore brenda 3 ditëve apo një jave. Kam qenë i shqetësuar që rritja e pritshmërive mund ta dëmtonte kredibilitetin e opozitës, ndaj jam shprehur me një shkrim analizë të botuar në gazetën tuaj, ku kërkoja të bënim kujdes nga optimizmi i tepruar, i nxitur nga numri i madh i protestuesve dhe të bazoheshim më shumë tek përgjegjësia për protestuesit, pra tek strategjitë e efikasitetit opozitar ndaj krizës ekonomike, varfërisë dhe papunësisë. Pas rreth 11 muaj krize politike, greva kishte si objektiv kryesor sensibilizimin e faktorëve shoqërorë dhe politikë në Tirane, si dhe liderët e BE-së, për risqet ekonomike e sociale në rritje.
Në lidhje me procesin e liberalizimit të vizave, PS mund të kishte pasur një strategji më të qartë dhe më të kujdesshme për të dëshmuar rolin e saj aksioner në këtë përpjekje?
Publikisht dhe konkretisht në Shqipëri dhe në takime ndërkombëtare, në mënyrë të drejtpërdrejtë PS ka mbështetur liberalizimin e vizave dhe do të mbështesë çdo reformë dhe hap për integrimin europian. Ne e ndërpremë bojkotin, iniciuam dhe votuam në mënyrë unanime rezolutën për vizat. Ndërpremë grevën jo për t’u takuar tek “Krokodili”, por për të treguar përgjegjësi maksimale dhe vullnet vetëm pozitiv për sfidat integruese të vendit. Efekti ishte pozitiv, BE i aplikoi vendit tonë dhe Bosnje-Hercegovinës heqjen e vizave. Bllokimi i rezolutës në Parlamentin Europian nuk vjen për shkak të opozitës, por për shkak të bllokimit të zgjidhjes nga maxhoranca. Po kështu, plotësimi i disa kritereve teknike nuk mund të bëhet nga opozita, por nga Qeveria. Unë e dëshiroj dhe e besoj që shqiptarët, maksimumi në prag të Krishtlindjeve, do të udhëtojnë të lirë në vendet e BE-së.
Sa e efektshme dhe përqafuese nga masa e gjerë e mbështetësve të PS mund të ishte një rikthim tek protestat popullore, nëse zgjidhja për hetimin e fletëve të votimit, ku dhe kanë ngecur negociatat, nuk do të vinte?
Janë akoma të gjitha mundësitë dhe janë të qarta të gjitha detyrimet e të dyja forcave kryesore politike, që të angazhohen për zgjidhjen, të gjejnë kompromiset e nevojshme dhe ta nxjerrim vendin nga ky ngërç/krizë politike. çdo zvarritje e zgjidhjes dhe aq më pak çdo strategji e bazuar kryesisht tek protestat, vështirë se do të sjellë një fitore, që realisht të ketë efekte pozitive konkrete. Pas grevës së urisë, PS duhet të jetë shumë më e fokusuar në reformat e thella që ka vendi, t’i iniciojë ato jo thjesht duke kundërshtuar apo duke mos votuar propozime të maxhorancës. Nuk i përjashtoj protestat paqësore si element të ballafaqimit politik, por nuk e absolutizoj efektin e tyre.
Pas një beteje 10-mujore të PS për transparencën e zgjedhjeve dhe sensibilizimit të të gjithë opinionit, do të duhej që PS të niste të mendonte për zgjedhjet për pushtetin vendor, bërjen e reformës zgjedhore, pasi brenda muajit shtator, Presidenti i Republikës do të duhet të shpallë datën e zgjedhjeve?
është imediate, koha ecën shumë shpejt, PS duhet të çlirojë më shumë energji dhe fokus për sfidën e zgjedhjeve vendore. Fitorja e tyre është një mision jo i pamundur për PS. çdo vonesë mund t‘i dëmtojë jo pak pritshmëritë tona për t’i fituar këto zgjedhje. Kërkesa për transparencën e votave duhet mbështetur me iniciativa konkrete politike, deri edhe referendum për disa sfida të rrezikuara në demokracinë dhe ekonominë e vendit tonë. Ne duhet të shkojmë në këto zgjedhje me avantazhin publik të kontributeve tona në sfidat konkrete të vendit. çdo konkurrim politik nën kushtet e kësaj temperature politike, të këtij niveli të mosbesimit dhe sidomos me një kredibilitet në rënie dhe mosbesim në rritje ndaj politikanëve, do t’i bëjë më të ashpra zgjedhjet vendore dhe më të vështira sfidat post-zgjedhore për çdo fitues.
Profesor Servet Pëllumbi është shprehur gjatë një interviste se Edi Rama nuk duhet të kandidojë për Bashkinë e Tiranës, duke ua lënë vendin figurave të tjera dhe të merret më shumë me partinë. Ndani edhe ju të njëjtin mendim, apo ai është kandidatura e vetme fituese e së majtës në Tiranë?
Më e rëndësishme është që sfidat e PS-së të mos konsiderohen si sfida personale, të mos absolutizohen aftësitë personale të asnjë drejtuesi politik, të korrigjohen me guxim gabimet e bëra, të synohet një frymë ekipi dhe bashkëpunimi në emër të përgjegjësisë përballë votuesve dhe vendit tonë.
Duket se ideja e hedhur kohë më parë nga PSD për krijimin e një federate të majtë, por që ‘ngriu’ nga ana e PS, do të nisë të realizohet me shkrirjen e G99 me PS, edhe pse shumë eksponentë të saj janë përfshirë të zyrat qendrore të PS. është koha për një proces të tillë dhe si duhet të bëhet ai?
Patjetër që PS duhet të rritë hapësirat për çdo forcë politike dhe individ që e shikon bashkimin me PS si mundësi të rritjes së efikasitetit politik të opozitës së vendit të tij, dhe jo si mundësi mbijetese individuale apo të forcave politike që përfaqësojnë. Paragjykimi i dëmtoi jo pak këto bashkëpunime, ndaj vlerësoj se ne duhet t’iu urojmë mirëseardhjen. Bashkimi me forcat e vogla politike nuk rrit automatikisht efikasitetin dhe suksesin tonë. Gjithçka kushtëzohet nga motivet konkrete në të cilat lidershipi i PS nxit këtë bashkëpunim dhe nga përgjegjësitë reale që partitë e reja aleate janë gati të marrin. Në rast të kundërt, ne rrezikohemi të rritemi bashkë me risqet që herë pas here të kemi debate publike lidhur me kërkesat e tyre për shkallën e përfaqësimit në zgjedhjet vendore apo parlamentare. E theksoj këtë, sepse jam skeptik që këta kryetarë partish janë gati t‘i shkrijnë partitë e tyre, çka do të thotë se rast pas rasti ata rrezikojnë të sillen si bashkëkryetarë, por jo si partnerë të përgjegjshëm. Akoma më keq do të jetë nëse këto iniciativa do të keqpërdoren si makiazh politik për të fshehur problemet që ka funksionimi i vetë PS. Teprimet për influenca personale mbi të zgjedhurit politikë të PS, monopolizimi i përfaqësimit në nivel lokal dhe vendor, mbilodhja për ndikim personal në struktura apo procese zgjedhore në parti, rrezikon t’i dëmtojë jo pak kohezionin dhe përkushtimin forcës sonë politike. është momenti kritik që të gjithë të dorëzojnë diçka nga qëndrimet personale, të ofrojnë më shumë përkushtim, më shumë përgjegjësi, më shumë dashamirësi që PS të funksionojë si një forcë politike moderne, e aftë të korrigjojë gabimet, e përkushtuar të përmirësojë demokracinë e vendit të saj, e qartë dhe e angazhuar fort në sfidat e përditshme të popullit dhe vendit të saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›