E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-juristi i Kuvendit: Mora pesë mijë euro për të liruar nga burgu një person

Dëshmia

Ish-juristi i Kuvendit të Shqipërisë, Albert Xhuti, ka pranuar para oficerëve të policisë se ka marrë një ryshfet për të liruar nga burgu Iljaz Begën. Xhuti ka deklaruar se ka marrë vetëm 5 mijë euro nga familjarët e Begës. Pagesa është realizuar në muajin korrik 2009, ndërkohë që Gjykata e Lartë kishte shpallur vendimin për Iljaz Begën më 23 mars 2009, pra muaj më parë, duke lënë në fuqi dënimin e tij me 25 vjet burg. Nisur nga të dhënat e mësipërme është ngritur akuza e mashtrimit, pasi vendimi ishte dhënë nga gjykata, por jo zbardhur, ndërkohë që Xhuti i premtonte të burgosurit ndihmë në Gjykatën e Lartë. Sipas hetimeve, Alfred Xhuti ka pasur njohje me Begën dhe e ka takuar disa herë në Burgun e Fushë-Krujës në lidhje me çështjen. Ndërkohë, familjarët e të dënuarit kanë thënë para policisë gjyqësore se Xhuti ka marrë 10 mijë euro, ndërsa i akuzuari për mashtrim pranon se ka marrë vetëm pesë mijë euro. Sot pritet që Xhuti të paraqitet për njoftim mase. Ai ka tentuar të lirojë Iliaz Begën, 71-vjeçar, i cili ishte arrestuar më 25 korrik të vitit 2006, në atë kohë vetëm 67 vjeç, banues në rrugën “Vangjel Noti” në Tiranë. Nga të dhënat policore mësohet se atë ditë, rreth orës 13:45, pranë banesës së tij, për motive pronësie ka vrarë me automatik shtetasit Namik Islamaj, 70 vjeç dhe djalin e tij, Astrit Islamaj, 44 vjeç. Gjithçka nisi kur Iliazi doli në oborr dhe po grindej me fjalë me babë e bir, pasi i kishin prishur një portë në oborr, teksa merreshin me ndërtimin e një rruge. Sherri u zhvillua me sharje e fyerje, derisa vrasësi hyri në shtëpinë e tij, i ndjekur nga viktimat. Këta të fundit donin shpjegime rreth prishjes së derës kryesore dhe i flisnin Begës nga kati i parë i shtëpisë, ndërsa ai kishte shkuar në katin e dytë. Zbret prej andej me kallashnikov në dorë dhe i qëllon me breshëri nga një distancë jo më tepër se 10 metra. Të dy gjejnë vdekjen e menjëhershme, pa mundur të transportoheshin për në spital, ndërsa vrasësi priti i qetë policinë, në katin e parë të shtëpisë së tij. Një vit para krimit, policia ndërtimore, e mbështetur edhe nga strukturat e policisë së rendit, kishte shkuar në Laprakë për të prishur derën. Por, ky nuk ishte rasti i parë i mosmarrëveshjeve mes dy familjeve.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›