Opozita proteston në Vlorë: Të largohet qeveria
Opozita e Bashkuar rinisi paditen e djeshme protestat në qytetin e Vlorës, pa ndonjë ndryshim të dukshëm nga ato të Pogradecit apo Durrësit. Në çdo fjalim të mbajtur, si nga kreu socialist Edi Rama, ashtu edhe nga pjesëtarët e Opozitës së Bashkuar, u akuzua ashpër qeveria dhe u kërkua largimi i saj. “Shqiptarët po varfërohen. Berisha ka dështuar me qeverisjen e tij duke i lënë ata në baltë”, - tha Rama. Kryesocialisti i kërkoi qeverisë aktuale të përballet me krimin elektoral, siç u shpreh ai, pasi opozita nuk heq dorë nga transparenca. “Opozita e Bashkuar është më e fortë se kurrë. Prandaj u duhet opozita shqiptarëve, që të largojë Berishën”, - theksoi Rama. Ndërsa Milo dhe Ndoka akuzuan ashpër qeverinë dhe e cilësuan atë si të paaftë. Kreu i PDS-së, Paskal Milo, bëri thirrje ekstreme ndaj pjesëmarrësve të paktë në protestë që të rrëzonin këtë qeveri pasi sipas tij me Berishën nuk ka demokraci. Ndërsa kreu i PDK-së, Nard Ndoka, në fjalën e tij tha se në Shqipëri nuk ka shtet dhe se, sipas tij, duhet larguar ky kryeministër që vodhi votat dhe kënetëzoi Shqipërinë. Pjesëmarrës në protestë ishte edhe kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, i cili u shpreh se duhet të bëhen zgjedhje të reja, pasi vendi është mbërthyer nga kriza, ndërsa njerëzit i kanë mbytur hallet. “Në një kohë që vendi është mbërthyer nga një krizë e madhe, ku njerëzit janë të zhytur në halle, Kryeministri dhe qeveria janë më të papërgjegjshëm se kurrë, prandaj vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja”, - tha Dule. Protestat e opozitës kanë rifilluar pas ndalesës së tyre për rreth 5 muaj, që nga nëntori në Elbasan dhe më pas kanë vazhduar në Fier, Pogradec, Durrës dhe tashmë në Vlorë. Por tashmë që kërkesa e opozitës për ngritjen e komisionit hetimor është shumë pranë finalizimit, kreu socialist deklaroi se do t’i vazhdojnë protestat pavarësisht kësaj, duke paraqitur kështu një politikë jo të drejtë për vazhdimësinë e reformave dhe anëtarësimin evropian të Shqipërisë.