Ish kreu i KQZ-së, Çlirim Gjata: Komisioni hetimor të trajtojë si objekt nenin 178 të kodit, hetim të materialeve dhe djegie të fletëve të votimit

Politika të mos krijojë precedentë të rrezikshëm, parlamenti s’mund të interpretojë se kush quhet “material zgjedhor”. Këtë e bën KQZ dhe ka një ligj në Kodin Zgjedhor, për trajtimin e rastit
Objekti mbi të cilën duhet të punojë komisioni hetimor parlamentar për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, është neni 178 i Kodit Zgjedhor. Ish kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, çlirim Gjata thotë se ligji është e vetmja rrugë që duhet të ndjekë politika. Për Gjatën, është e pavend që parlamenti të bëjë interpretimin se çfarë do të thotë “materiale zgjedhore”, në një kohë kur këtë e bën vetëm Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
“Për mendimin tim nuk ka mbetur gjë tjetër veç kësaj nisme. Të tjerat janë konsumuar. është diskutuar që të hapen materialet zgjedhore ndërsa për fletët e votimit është kërkuar mendimi i Komisionit të Venecias, Gjykatës Kushtetuese, nëse mund të hapen apo jo. Së pari njëherë, kjo nuk shkon. Unë do të thoja se ku do ta interpretojnë sot se kush quhet “material zgjedhor”. Pra mund ta bëjë komisioni hetimor? Unë mendoj që jo. Këtë mund ta bëjë vetëm Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Pse? Sepse materialet zgjedhore, nuk i trajton dhe as interpreton parlamenti, për këtë procedurë është ngarkuar vetëm Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”- u shpreh Gjata.
Sipas tij, kuvendi duhet të shmangë me çdo kusht krijimin e precedentëve ligjorë për hetimin e zgjedhjeve të kaluara.
“E vetmja hapësirë për konsensus mes palëve ka mbetur neni 178 i Kodit Zgjedhor.
Nëse parlamenti interpreton Kodin Zgjedhor, është njësoj sikur nesër parlamenti të interpretojë kodin penal”- tha ai.
Ish kreu i KQZ-së vlerëson se do të ishte një precedent i rrezikshëm që parlamenti për hir të konsensusit, të zgjidhje çështjen e kutive të votimit, me anë të një ligji të posaçëm.
Do ishte një “zgjidhje mekanike”, por shumë e dëmshme, precedent i rrezikshëm. Parlamenti, pavarësisht se është parlament dhe bën ligje, nuk mund të bëjë ligje në çdo kohë dhe si ti teket momentit, pasi preken rëndë parimet bazë të funksionimit të rendit demokratik. Ligji ka kompetenca dhe nuk është njësoj të mendosh se na doli kjo dhe hajde të bëjmë një ligj të ri të rregullojmë rastin. Nuk do ishte një zgjidhje e duhur kjo, pasi siç e përmenda është precedent i dëmshëm”- deklaroi më tej, ish kreu i KQZ-së, çlirim Gjata.
Komentet e ekspertëve të ligjit vijnë në një kohë kur dy partitë e mëdha kanë konsumuar 2 takime në një përpjekje të re për të zgjidhur ngërçin politik. Zgjidhja e këtij të fundit, dukshëm varet nga objekti i hetimit të komisionit hetimor, çështje për të cilën mazhoranca ofron veçse zgjidhje ligjore dhe në përputhje me kushtetutën.