Shqipëria përkrah SHBA-së në front lufte në Afganistan

Imami: Kontigjenti “Shqiponjat”, mision të vështirë, por forcat janë të përgatitura
Kur janë më shumë se 1 vit nga anëtarësimi në Aleancën e Atlantikut të Veriut, Shqipëria vendos të marrë pjesë në operacionet më të vështira. Djemtë e njësisë speciale Shqiponjat do të jenë përkrah amerikanëve në Afganistan, direkt në frontin e luftës. Pavarësisht se në operacionet e zjarrit marrin pjesë pak nga vendet anëtare të NATO-s ministri i mbrojtjes Arben Imami nuk e sheh të nxituar këtë vendim të qeverisë shqiptare. Gjatë një interviste për mediat, ministri i Mbrojtjes shprehet se vendimi për dërgimin e misionit në front lufte është në raport me angazhimin e NATO-s dhe se për realizimin e objektivave atje, është dërguar njësia më speciale.
“Kemi marr siguri nga instruktorë që ka forca të përgatitura. E vetmja gjë që u mungon sigurisht është përvoja, në këtë lloj misioni. është shumë ndryshe kur del nga baza në rrugë, në një vend që këto eksplozivët e shpikur me mjete rrethanore po bëjnë gjithmonë e më të rrezikshëm, por jo vetëm për këtë arsye. Shkalla e rrezikut rritet, çka kërkon dhe të rritësh vigjilencën dhe stërvitjen, gjë që besoj e kemi bërë”- u shpreh ministri i Mbrojtjes, Arben Imami.
Pas anëtarësimit në NATO, Shqipërisë i duhet të rrisë shpenzimet për forcat e armatosura dhe sidomos për njësitë speciale që shërbejnë në misione paqeruajtëse. “Diçka më pak se 10 mln euro në vit janë vetëm shpenzimet e misioneve, që nuk i mbulojmë ende ne shpenzimet. Por, kjo është një pjesë e vogël e shpenzimeve po të llogarisësh që e gjithë forca duhet përgatitur për të qenë një forcë kompatibel në NATO”- deklaroi ministri Imami.
Kontigjenti i parë prej 44 ushtarakesh me mision ne frontin e luftës u nis të shtunën nga aeroporti i Rinasit.
Trupat shqiptare janë vendosur në njërën prej zonave më problematike në Afganistan në kufi me Pakistanin. Me dërgimin në Afganistan të misionit ushtarak, Shqipëria përmbush edhe një nga zotimet më të mëdha ndaj aleancës veri-atlantike.