Juristët rikujtojnë shkeljen e Kushtetutës, presidenti Topi vazhdon heshtjen

Qarqet juridike pohojnë se Gjykata Kushtetuese praktikisht është jashtë funksionit, pasi kompetencat e kryetarit të saj, s’mund t’i trajtojnë anëtarët e thjeshtë. Tejkalimi i afatit kushtetues për emërimin e kreut, është një precedent i pajustifikueshëm, të cilin mund ta shpjegojë vetëm presidenti i Republikës
Debati për Gjykatën Kushtetuese, ndonëse është një çështje që s’mund të kapërcehet lehtë dhe të lihet në neglizhencën e komenteve mediatike, po injorohet çdo ditë e më tepër nga presidenti i Republikës, i cili është edhe përgjegjësi kompetent i kësaj katrahure. Juristë të shumtë, ish ministra Drejtësie, ish gjykatës dhe konstitucionalistë e konsiderojnë të pajustifikueshëm precedentin e krijuar nga presidenti i Republikës në Gjykatën Kushtetuese. Për më tepër, po aq e papranueshme dhe njëherazi e pashpjegueshme vazhdon të mbetet edhe heshtja, që ai po interpreton përballë diskutimeve. Reagimin më të fundit e përcjell juristja Evis Alimehmeti, e cila thotë shprehimisht se kreu i shtetit ka shkelur nenin 125 pika 4, e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, për emërimin e kryetarit të GJK-së. “Me mbarimin e mandatit 3 vjeçar, sipas Kushtetutës, duhet të emërohet kryetari i Gjykatës Kushtetuese. Presidenti ka anashkaluar përgjegjësitë ndaj Kushtetutës. Sipas ligjit themeltar, nuk është kushtetuese lënia vakant e postit të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese. Kjo për arsye e kryetari i Gjykatës Kushtetuese, ka role të ndryshme nga gjyqtarët e këtij institucioni. Duke mos emëruar kreun e Kushtetueses, ky institucion praktikisht është i bllokuar, pasi funksionet e tij s’mund t’i kryejnë gjyqtarët aty. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese ka të tjera kompetenca ndryshe nga ato të një anëtari. Në këtë kuptim funksionet e tij janë specifike dhe ushtrohen ne cilësinë e kryetarit dhe jo të anëtarit të thjeshtë. GJK, duhet të ketë kryetarin e saj për të mos krijuar boshllëqe”- u shpreh juristja, Alimehmeti. Mandati i kryetarit të Gjykatës Kushtetuese ka përfunduar më 4 qershor të këtij viti. Shtyrja e afatit të emërimit të tij, është konsideruar veprim antikushtetues nga juristë, ish ministra drejtësie dhe konstitucionalistë.
...