E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-kreu i Policisë së Fierit, nën hetim për shkelje administrative

Ish-drejtori i Policisë së Qarkut
Fier, Arjan Bozhaj, po hetohet
nga Prokuroria e Fierit
për shkelje administrative dhe
emërime të policëve me precedentë
penalë. Prej më shumë
se katër muajsh, organi i akuzës
së Fierit është duke shqyrtuar
dosjen në ngarkim të Bozhajt.
Lajmi konfirmohet nga prokurori
i rrethit Fier, Altin Binaj, i cili
shprehet për gazetën "Shqip" se
"prokuroria po shqyrton dy raste
shkeljesh të referuara nga zyra
qendrore e Shërbimit të Kontrollit
të Brendshëm në Tiranë. Materiali
referues nga SHKB-ja ka të bëjë
me disa shkelje administrative
të regjistruara nga ish-drejtori
Arjan Bozhaj e më konkretisht
për emërimet e disa policëve.
Kjo është trajtuar administrativisht
nga eprorët e tij dhe ka
ardhur te ne për t‘u trajtuar nga
pikëpamja penale. Ndërkohë po
hetohet për parregullsi në zbatimin
e shërbimit të policisë në
KPTHN-në e Ballshit. Dyshohet
që këto parregullsi të kenë sjellë
edhe dëme ekonomike. Për momentin
nuk ka akuza të ngritura
ndaj Bozhajt, por duhet pranuar
se është nën hetim veprimtaria e
tij". Ndërkohë, burimet zyrtare të
Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm
në Drejtorinë e Policisë Fier
pohojnë se në organin e akuzës
është denoncuar fakti se ish-drejtori
Bozhaj kishte emëruar polic
në KPTHN-në e Ballshit persona
me precedentë të mëparshëm
penalë dhe se emërimi i tyre
është bërë me qëllim favorizimin
e vjedhjes së naftës në KPTHNnë.
"Dyshohet se favorizuesit e
vjedhjes kanë lidhje direkt me
ish-drejtorin Bozhaj dhe se e
kanë paguar këtë të fundit për
"nderin" që u ka bërë. Për këtë
rrjet, nuk është i dyshuar vetëm
ish-drejtori i policisë së qarkut,
por edhe mjaft vartës, të afërt dhe
të njohur të tij, emrat e të cilëve
po i heton prokuroria, pasi janë
depozituar në referimet e kryera
nga ne", kanë thënë për "Shqip"
burimet zyrtare të SHKB-së së
Fierit. Ndërkohë, zyra e informacionit
pranë Drejtorisë së Policisë
të Qarkut Fier, ka pohuar për
gazetën se emërimet e policëve
me precedentë të mëparshëm
penalë janë gjetur si shkelje nga
Kontrolli i Lartë i Shtetit. Raporti
i KLSH-së ka nxjerrë se janë bërë
gjashtë emërime të tilla, gjatë
kohës kur Bozhaj drejtonte Policinë
e Fierit. "Rasti konkret i
emërimeve të personave me
precedentë është ai i policit të
arrestuar dy muaj më parë nga
uniformat e Policisë së Ballshit, i
cili ishte përfshirë në një ngjarje
të vitit 1997, por që ishte veshur
me uniformë gjatë fundit të
vitit 2007 nga ish-drejtori Arjan
Bozhaj", shprehen zyrtarisht në
Drejtorinë e Policisë së Qarkut.
Bozhaj, për më shumë se 2 vjet, ka
mbajtur postin e kreut të Policisë
së Qarkut Fier. Në muajin tetor të
vitit 2008, ai është transferuar në
një post më të ulët, ndërkohë që
pak ditë pas largimit nga posti i
drejtuesit të policisë së qarkut,
për të është depozituar kallëzimi
i SHKB-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›