E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-kreu i Sindikatave shpallet në kërkim, sekuestrohet disko “Venue”

SHKRUAN: Habjon Hasani 01-12-2011 16:15

Prokuroria e Tiranës akuzon Valter Xhekën për vjedhje me anë të mashtrimit të pronave të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë. Sekuestrohet diskoja e njohur, tri ndërtesa me 1800 m2, një truall dhe mbi 350 mijë euro llogari bankare

Tiranë Sekuestrohen pronat dhe llogaritë bankare të ish-kreut të Sindikatave, Valter Xheka. Gjykata e Tiranës vendosi dje masën e sekuestros ndaj dy pronave dhe tri llogarive bankare të Xhekës, ndërkohë që ky i fundit është shpallur në kërkim ndërkombëtar, i akuzuar për veprën penale të vjedhjes. Ekipi i Task Forcës, në bashkëpunim me Drejtorinë Kundër Krimit Ekonomik në Policinë e Shtetit, pas hetimeve të kryera kanë dorëzuar në gjykatë kërkesën për sekuestro preventive të këtyre pronave. Gjykata nga ana e saj ka dhënë dritën jeshile për sekuestrimin e një sasie prej rreth 278 mijë e 823 dollarë, 98 mijë e 45 Euro dhe 400 mijë lekë. Së bashku me kontot bankare janë sekuestruar 3 ndërtesa me sipërfaqe 1 mijë e 800 metra katrorë dhe një sipërfaqe trualli 6 mijë e 909 metra katrorë në Tiranë. Ndërtesat ndodhen në zonën e “Varrit të Bamit”, aty ku aktualisht ndodhet disko “Venue” dhe ku para viteve ‘90 ka qenë e vendosur shtypshkronja “11 shkurti”. Masa e sekuestros, e aprovuar nga gjykata, parandalon të gjitha tentativat për shitjen apo tjetërsimin të këtyre pronave si dhe bllokimin e veprimeve financiare nga llogaritë bankare të sekuestruara, deri në kalimin e një vendimi të formës së prerë nga gjykata për këtë çështje. Valer Xheka, tashmë 61 vjeç, jeton në Francë së bashku me bashkëshorten e tij. Ai ka qenë kryetari i parë i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, kohë gjatë së cilës akuzohet se ka përvetësuar në emër të familjarëve të tij pronat që u takonin sindikatave. Burime nga grupi hetimor janë shprehur se Xheka ka në pronësi edhe të tjera prona dhe llogari bankare, por hetuesit mundën të bënin një lidhje mes funksionit të tij publik dhe pasurive vetëm për dy pronat e sekuestruara, së bashku me tri llogaritë bankare. Xheka tashmë akuzohet me akuzat e “shpërdorimit të detyrës”, ”mashtrimit” dhe ”falsifikimit të dokumenteve”, ndërsa sipas hetuesve, skema e përdorur prej tij ka qenë ajo klasike. “Xheka, pasi bënte shitjen e aseteve në pronësi të sindikatave në subjekte të ndryshme, nëpërmjet familjarëve të tij bënte riblerjen te këto subjekte dhe pronat regjistroheshin në hipotekë më pas në emrin e familjarëve të tij”,-bëjnë me dije burime nga grupi hetimor. Hetuesit dyshojnë se ka edhe shumë prona të tjera, të cilat mendohet se janë në pronësi ose në bashkëpronësi të Valter Xhekës, por hetimi nuk ka mundur të zbardhë se ato janë vënë përmes shfrytëzimit të postit si kreu i Sindikatave. Valer Xheka ka qenë kryetar i bashkimit të Sindikatave të Pavarura Shqiptare për rreth 4 vite (1992-1996), ndërsa emri i tij është lakuar shpesh edhe nga politikanë dhe zyrtarë të lartë si një ndër njerëzit që ka kryer shitjet korruptive të pronave të sindikatave shqiptare. Xheka mësohet se jeton prej më shumë se një dekade në Francë, së bashku me familjen e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›