E Diel, 1 Nëntor 2026

“Kapet” një gjysmë ton drogë e braktisur

Trafikantët të ndjekur nga policia braktisin makinat dhe 450 kilogramë hashash në rrugë. Ende i paqartë identiteti i personave të përfshirë në trafik

Pothuajse një gjysmë ton hashash është kapur dje nga policia e Vlorës në vendin e quajtur Bunec, ndërsa janë bllokuar dhe dy makinat transportuese, por drejtuesit e tyre janë larguar. Në një njoftim të Drejtorisë së Policisë së Vlorës mësohet se janë kapur 450 kilogramë hashash që po transportohej drejt Greqisë, ndërsa është gjetur dhe një kallashnikov. Policia njofton se kishin marrë informacion për trafikun dhe dy makinat që po transportonin drogën dhe është tentuar të ndalohen këto në një postbllok në rrugën Borsh-Sarandë. Por dy makinat në momentin që kanë parë sinjalin e policisë kanë rritur shpejtësinë duke mos ndaluar, ndërkohë forcat e rendit janë vënë menjëherë në ndjekje të tyre. “Rreth orës 22:00 në pikën e kontrollit në “Bunec”, janë identifikuar dhe u është bërë shenjë të ndalojnë dy automjete, të cilat nuk i janë përgjigjur urdhrit të shërbimeve të policisë për të ndaluar, por kanë vazhduar rrugën duke u larguar me shpejtësi”, njoftoi policia.

Ndërkohë, policia bën me dije se nga ndjekja e menjëhershme që është bërë ndaj këtyre automjeteve dhe duket dhe nga frika e drejtuesve të tyre se nuk mund të humbisnin gjurmët bashkë me makinat, pak minuta me vonë është bërë e mundur kapja në fshatin Lukovë e furgonit tip “Hundai”, pa targa, dhe më tej në fshatin Shën Vasil e fuoristradës tip Mercedes-Benz, me targa SE 764 ZY, të dyja të braktisura nga drejtuesit e tyre. “Nga kontrolli i ushtruar në këto dy automjete, brenda në fugon, janë gjetur 450 kg lëndë narkotike të ngjashme me atë të llojit “Cannabis Sativa”, njoftoi policia. Kjo e fundit ndërkohë ka vazhduar kërkimet në të gjithë zonën në kërkim të personave që drejtonin këto mjete, por nga kërkimet dhe krehja përreth e vendit ku u kapën automjetet dje në orët e para të mëngjesit është gjetur vetëm një armë zjarri automatike mod 56 (kallashnikov) me dy krehra, me 60 fishekë, por asnjë gjurmë e pronarëve të drogës dhe armës. Policia ndërkohë bën me dije se ende nuk ka identifikuar personat që kanë marrë pjesë në trafik, ndërsa po heton për gjetjen e tyre.

Sipas zyrtarëve të policisë, rruga në të cilën u bë bllokimi i drogës nuk ishte përdorur më parë si e tillë dhe se ishte “gjetur” nga trafikantët si rrugë alternative. “Mbi bazën e informacionit paraprak të marrë nga strukturat e luftës kundër krimit organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Vlorë dhe Drejtorisë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, se trafikantët po përpiqen të përdorin rrugë alternative, për trafikimin e lëndëve narkotike në drejtim të kufirit me shtetin grek në bashkëpunim me Repartin Delta-Forcë Vlorë, mbrëmjen e djeshme janë organizuar disa kontrolle në aksin rrugor Borsh–Sarandë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Kjo është sasia më e madhe e drogës e kapur nga policia shqiptare në këtë muaj, kur operacione të ngjashme janë zhvilluar thuajse në të gjithë vijën kufitare me Greqinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›