Shuhet Leka Zogu I, trupi në morg deri të shtunën
Trupi i Leka Zogut përcillet i mbuluar me çarçaf të bardhë nga spitali, ndërsa Princi Leka, i shoqëruar nga e fejuara, del i përlotur. Vasili: Shkaku i vdekjes, arresti i përsëritur kardiak. Në kohën që Leka Zogu I ka qenë i shtruar në spital është mbajtur me frymëmarrje artificiale
Ndahet nga jeta në moshën 72-vjeçare pretendenti i fronit mbretëror, Leka Zogu I. Pas një beteje disaditëshe me jetën dhe vdekjen në repartin e terapisë intensive pranë Pavijonit të Neurokirurgjisë në spitalin “Nënë Tereza”, Leka Zogu I ka mbyllur sytë rreth orës 08:45 të mëngjesit të së mërkurës, ndërkohë që shkak është bërë arresti i përsëritur kardiak. Leka Zogu I pushoi së marri frymë nga vuajtja e zemrës dhe mushkërive, ndërkohë që prej disa ditësh ai mbahej në jetë nëpërmjet frymëmarrjes artificiale. Gjendja e pretendentit për fronin mbretëror ditët e fundit ka qenë e rënduar, dhe pas datës 25 nëntor, ditë në të cilën ai kaloi një arrest kardiak, çka solli edhe përkeqësimet fatale në shëndetin e tij, Leka Zogu I u mbajt me frymëmarrje artificiale. Mjekët që kanë asistuar në trajtimin e tij mjekësor bëjnë të ditur se Leka Zogu I ka qenë prej datës 25 nëntor me oksigjen, ndërkohë që në dy ditët e fundit të jetës është vënë re se gjendja e tij shëndetësore ka qenë pa kthim. Menjëherë pasi Leka Zogu I ka ndërruar jetë, në Spitalin e Neurokirurgjisë ka mbërritur ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, i cili pasi doli nga ambientet e shërbimit, ku ka takuar edhe doktorët që kanë ndjekur gjendjen e të ndjerit, dha disa detaje rreth vdekjes së tij. Ministri konfirmoi se shkaku i vdekjes së pretendentit për fronin mbretëror ka qenë arresti i përsëritur kardiak, ndërsa sqaroi se gjendja e Leka Zogut I, ka qenë e rënduar kohët e fundit dhe me probleme shëndetësore të vjetra, gjë që e bëri të pamundur betejën mes jetës dhe vdekjes. “Shkaku i vdekjes së pretendentit për fronin mbretëror është arresti kardiak. Gjendja shëndetësore e trashëgimtarit të fronit Leka Zogu I është ndjekur në mënyrë të përkushtuar nga një ekip profesionistësh pranë reanimacionit të Neurokirurgjisë. Ndjekja ka qenë intensive dhe e shumanshme. Rëndimi i vazhdueshëm i problemeve kardiake dhe respiratore e bënë të pamundur fitimin e betejës me jetën. Në kohën kur Leka Zogu ka qenë i shtruar në spital është mbajtur me frymëmarrje artificiale, ndërkohë që mëngjesin e sotëm mbylli sytë. Pak kohë më parë është certifikuar edhe akti i vdekjes si pasojë e një arresti kardiak të përsëritur”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili. Gjithashtu, në lidhje me vdekjen e tij ka reaguar edhe familja mbretërore, e cila i ka bërë një falënderim të veçantë ekipit mjekësor nën drejtimin e prof.Mentor Petrelës, që janë përkujdesur për shëndetin e Leka Zogut që nga shtrimi i tij në spital. Familja mbretërore theksoi se pretendenti i fronit mbretëror shfaqi komplikacione të premten, të cilat falë ndërhyrjes së shpejtë të mjekëve arritën të kalohen, por gjendja e tij shëndetësore paraqitej sërish e rëndë. “Në orën 8 e 45 minuta, në repartin e terapisë intensive të klinikës së Neurokirurgjisë ka pushuar zemra
e Lartmadhnisë së Tij, Leka Zogu I. Të premten në datën 25 nëntor, mbreti pësoi një arrest kardiak dhe për rrjedhojë u intubua deri në rikthimin e punës së zemrës, por funksioni i mushkërisë ishte i pamjaftueshëm për të mbajtur funksionet jetësore”, - u shpreh zëdhënësi i familjes mbretërore, Sulejman Gjana. Pas dhënies së këtyre informacioneve, mjekët dhe të afërmit e Leka Zogut I kanë bërë përgatitjet e fundit për nxjerrjen e trupit të pajetë nga spitali dhe dërgimin e tij për në morgun e QSUT-së. Për këtë procedurë, të afërmit e familjes së Leka Zogut I kanë qëndruar për rreth gjysmë ore në pritje në hyrjen kryesore të Neurokirurgjisë. Të gjithë të vetëpërmbajtur, komunikonin në mënyrë tepër të kujdesshme me njëri-tjetrin, ndërsa ishin në gatishmëri që të hidhnin menjëherë hapat e ikjes nga spitali, sapo trupi i Leka Zogut I të nxirrej nga hyrja tjetër e spitalit, që është ajo e Reanimacionit. Lehtësisht kuptoje se si ishte parashikuar që pasardhësi i vetëm i tij, Princi Leka i shoqëruar nga e fejuara Elia Zaharia, duhet të dilnin të parët nga dera kryesore e spitalit, e në të njëjtën kohë rreth orës 11:00, nga dera e reanimacionit është nxjerrë i mbuluar me çarçafë mbi një barelë spitalore edhe trupi i pajetë i Leka Zogut I, i cili është futur me shpejtësinë në ambulancën që priste gati ngjitur me hyrjen. Princi Leka ka dalë i përlotur nga spitali, ndërsa është futur menjëherë në makinën e parë policore që do t’i printe rrugës autoambulancës për në morg, ku do të qëndrojë deri të shtunën në mëngjes trupi i pajetë. Por, pas ambulancës ka qenë edhe një tjetër makinë shoqëruese policie, brenda së cilës ishin të afërmit e familjes mbretërore që do të shoqëronin trupin e pajetë deri në morg. Momenti i përcjelljes së Leka Zogut I nga ambientet e spitalit ngjalli jo vetëm kureshtjen e mjekëve, por edhe të pacientëve të tjerë që gjendeshin të shtruar në pavijonin e Neurokirurgjisë, të cilët kanë qëndruar për disa minuta pranë dritareve për të parë se çfarë po ndodhte në oborr. E po kështu, të shumtë kanë qenë edhe qytetarët e thjeshtë, që prisnin kureshtarë në oborrin e spitalit. Por, ajo që ka rënë në sy në këtë moment ka qenë fakti se asnjë prej mjekëve që ka ndjekur trajtimin e tij mjekësor nuk ka dalë jashtë derës së spitalit për t’i dhënë Leka Zogut I lamtumirën e fundit. Leka Zogu I u shtrua në datën 15 nëntor në reanimacionin e Neurokirurgjisë, në spitalin nr.5 në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, pasi pësoi një fibrilacion arterial, formë e aritmisë. Prej kohësh, për shkak të shëndetit të përkeqësuar, favorizuar dhe nga anoreksia, Leka Zogu ishte tërhequr thuajse plotësisht nga jeta aktive politike dhe shoqërore. Në vend të tij funksionet publike kryhen nga i biri, Princ Leka dhe drejtuesit e Partisë së Legalitetit, të cilët janë pro monarkisë. Vitet e fundit, 72-vjeçari lëvizte vetëm me anën e një karroce me rrota, si pasojë edhe të një dëmtimi në këmbë dhe gjendjes së përgjithshme të përkeqësuar shëndetësore të tij.
Ceremonia mortore nga qeveria, Berisha: Do ta përcjellim si mbret
Kryeministri rihap debatin e referendumit për formën e regjimit, duke e quajtur të mbyllur atë të vitit 1997
Ceremonia mortore për Leka Zogun I do të organizohet ditën e shtunë në sallën e Parlamentit, nga qeveria, sipas protokollit shtetëror të vendit. Këshilli i Ministrave e nisi mbledhjen e djeshme me 1 minutë heshtje në respekt të Leka Zogu I, ndërsa miratoi edhe dy vendime që ligjërojnë procedurat zyrtare që do të ndjekë shteti për varrimin e pretendentit të fronit mbretëror. Sipas vendimit, ceremonia e homazheve do të organizohet ditën e shtunë, datë 3.12.2011, ora 10:00 deri 12:00, në mjediset e sallës së seancave plenare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, ndërsa shpenzimet e varrimit dhe të ceremonialit do të përballohen nga buxheti i vitit 2011, miratuar për Ministrinë e Punëve të Jashtme. Kryeministri i vendit, Sali Berisha, deklaroi se vdekja e trashëgimtarit të fronit mbretëror është një humbje e madhe për kombin. Për këtë qëllim, Kryeministri njoftoi se do të ngrihet një komision shtetëror për organizimin e ceremonisë mortore, ndërkohë që shpalli ditën e shtunë ditë zie kombëtare. “Në ligjin e Parlamentit përcaktohet detyrimi i përfshirjes në Protokollin Shtetëror të Familjes Mbretërore dhe ky ka qenë një vendim shumë i drejtë. Ndaj vendi dhe kombi do ta përcjellin Mbretin Leka I me nderimet e atributet që i përkasin një mbreti jo në detyrë. Për këtë qëllim, krijohet një komision shtetëror i kryesuar nga zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Haxhinasto, i përbërë nga ministri i Kulturës, ministri i Mbrojtjes dhe një seri personalitetesh, ku do të jenë edhe përfaqësues të Oborrit Mbretëror. Dita e shtunë do të jetë zi kombëtare me të gjithë spektrin e ditës së zisë të nivelit mbretëror”, - Kryeministri. Kreu i qeverisë, Berisha u ndal në atë që e quajti manipulim me rezultatet e referendumit, i cili u mbajt pas hapjes së vendit në vitin 1997, kur Presidenti i Republikës dekretoi mbajtjen e referendumit për monarkinë. “Në vitin 2003, parlamenti shqiptar votoi ligjin, ku i njeh atributet familjes mbretërore dhe ky ishte një vendim shumë i drejtë. Dua të theksoj se edhe referendumi u bë në flakët e rebelimit komunist dhe nuk mund të konsiderohet si një çështje e mbyllur. E vërteta është se, pa diskutim në atë referendum dominoi parimi stalinist: ju votoni, numërimin e votave jua bëj unë. Por ajo që është reale, shqiptarët votuan masivisht, nga Konispoli në Vermosh, për mbretin e tyre. Referendumi nuk e kapi kuotën, por atë e përcaktuan ata, të cilët manipuluan dy javë rresht votat e referendumit”, - theksoi kryeministri Berisha. Më tej, kreu i ekzekutivit theksoi se Mbreti Zog u largua nga vendi ashtu siç u larguan mbretërit e tjerë nga mbretëritë e pushtuara, nga forcat nazifashiste, por ai njëkohësisht qëndroi në Shqipëri gjatë gjithë kohës.