E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakra, therin djalin 2 vjeç, pasi i vranë të atin

Vrasin babain shqiptar dhe të birin 2-vjeçar, inskenojnë një aksident ndërsa hedhin makinën në humnerë. Ende misterioze motivet dhe njerëzit pas masakrës

Një djalë vetëm dy vjeç është masakruar, pak pasi iu mor jeta frikshëm edhe babait të tij 35- vjeçar dje në Kallamata. Ngjarja e rëndë ka për viktima dy shqiptarë, atë e bir, emigrantë në Greqi. Burime zyrtare policore flasin për ngjarjen dhe konfirmojnë emrin e prindit, Filip Mezai, 35 vjeç, emigrant shqiptar në Greqi. Vogëlushi dhe i ati u gjetën të vdekur në Kallamatë, në orën 18:00 të pasdites së djeshme, 29 nëntor 2011. Ishte një qytetar ai, i cili sinjalizoi policinë duke raportuar se një autoveturë tip ‘Benz Mercedes’ me ngjyrë të zezë, e përmbysur, gjendej buzë rruge në një përrua, në zonën e Arios të fshati Prati, lokaliteti Piperica, pranë Kallamatës. Me të mbërritur, forcat policore kanë gjetur trupat e 35-vjeçarit dhe djalit të tij dyvjeçar. Në dukje, fillimisht u dyshua për një aksident rrugor. Por shpejt u zbardh se kishim të bënim me një vrasje, e cila nga autorët ishte “mbuluar” duke provokuar një aksident pas krimit. Ekspertiza mjekoligjore ka konfirmuar dje se plagët në kokë i kishin shkaktuar vdekjen babait, ndërsa foshnja ka një plagë fatale në fyt. Ekspertiza tha se plagët ishin pasojë e përdorimit të armëve dhe jo nga aksidenti. Filip Mezai është qëlluar me pistoletë në kokë, kurse të birit i është prerë fyti me thikë. Policia duke folur për hetimet, tha se atë e bir ishin vrarë dhe më pas autorët e kishin shtyrë makinën drejt greminës, me pasojë përfundimin në përroin aty pranë. Makina kishte ngecur në përrua me drita ndezur dhe kjo bëri një kalimtar që ta shohë edhe pse ishte muzg dhe të thërrasë policinë, e cila transportoi kufomat për në morg. Policia tha se makina ishte pronë e të ndjerit Filip Mezai. Ndërkohë, duke konfirmuar se po heton pistën e vrasjes së dyfishtë dhe inskenimit të aksidentit për të mbuluar krimin, theksoi se po merr në pyetje të afërm e të njohur të Filip Mezait.

Sakaq, provat e mbledhura në vendngjarje po analizohen për të zbardhur sa më shumë misterin e krimit monstruoz, që këtë radhë nuk kurseu as jetën e vogëlushit dyvjeçar. Ndërkohë, gjendje shoku ka shkaktuar në Kallamatë dhe sidomos në fshatin Plati, ku jetonte familja Mezai, vdekja e dyfishtë. Filipi ka lënë gruan dhe një djalë 11-vjeçar jetim. Filipi udhëtonte shpesh për punë dhe nuk qëndronte rregullisht në shtëpi. Banorë të fshatit kanë hedhur dyshimet në një ngjarje që mund të ketë si motiv pasionin dhe xhelozinë, por edhe atësinë e 2-vjeçarit. Policia tha se po e heton këtë dyshim, kurse ka si pistë dhe mundësinë e vrasjes së fëmijës për arsye se ishte dëshmitar në ekzekutimin e të atit.

Një nga banorët, shitësi i ushqimores në fshatin Plati, tregon se e njeh mirë familjen Mezai dhe Filipin. “Ishte një njeri i qetë. Gruaja e tij jetonte me dy djemtë në Shqipëri dhe herë pas here vinte këtu. Vitin e fundit, djalin e madh e kishte Filipi këtu, sepse po bënte ca vizita mjekësore. Gruaja vinte me fëmijët dy herë në vit dhe kjo ka 15 vjet që ndodh. Vijnë për të mbledhur ullinj bashkë me Filipin. E shoqja kishte një muaj që kishte ardhur këtu dhe mblidhte ullinj me vëllezërit e Filipit”. Duke u ndalur tek orët e fundit të Filipit, fqinji tregon: “Ai kishte lënë djalin e vogël tek një grua, që ta mbante sa ishte në punë. Kur u kthye pasdite nga puna, shkoi dhe e mori. Pastaj, ndodhi ajo që ndodhi. Çfarë t’ju them. Kishim dëgjuar gjëra kohët e fundit, por çfarë t’ju them...”. Duke hedhur hije dyshimi mbi ato që kishte dëgjuar, por pa sqaruar se përse bëhej fjalë. Jorgos Xhavaras, kryeplak i fshatit Plati, duke folur dje për mediat, tha se kishte 15 vjet që e njihte Filip Mezain. “Na u prenë këmbët teksa mësuam se çfarë kishte ndodhur. I gjithë fshati sot (dje) vetëm për këtë flet. Ishte një njeri i mirë, i sjellshëm dhe që rendte të kapte ditën e punës kudo që të gjente një punë. Dhe kujdesej shumë për fëmijët e tij”.

Rrëfimi i vëllait: Jemi të shokuar, varrimi në Shqipëri

Vëllai i Filip Mezait dhe xhaxha i vogëlushit të ndjerë, ka folur dje mbi atë që ndodhi: “Jemi të shokuar. Ende s’po kuptojmë asgjë. Nuk kemi asnjë ide se kush janë vrasësit dhe pse e bënë këtë”. Vëllai i Filipit tregon se ai jeton në Argos dhe shton: “Tani jam në Korinth. Kam me vete edhe gruan e vëllait tim”, - thotë vëllai i Filipit, duke shtuar se e shoqja e të ndjerit është në gjendje të rënduar. Gruaja e të ndjerit nuk flet fare greqisht dhe kishte ardhur në Greqi vetëm në fillim të nëntorit të këtij viti. “Ajo erdhi këtu që të ndihmojë tim vëlla Filipin në mbledhjen e ullinjve ngaqë kishte nisur sezoni, ashtu siç bënte çdo vit që vinte”, - tregon vëllai i Filipit. “Këtë radhë solli me vete edhe djalin e tyre dyvjeçar”, - thotë kunati i gruas së ve dhe shton: “Do të marr dhe nipin tjetër 11-vjeçar e të gjithë bashkë do të kthehemi në Shqipëri. Varrimet do t’i bëjmë atje. Do të ikim sa më shpejt që të mundemi. E të shohim se çfarë do të thotë policia”. Sakaq, xhaxhai tregon se nipi i madh nuk di ende se çfarë ka ndodhur, pasi gjendet në Athinë: “Ai ka shkuar në Athinë, ku është shtruar tek Spitali i Fëmijëve, sepse po bën ca vizita mjekësore dhe nuk e di që i ati dhe vëllai i vogël kanë vdekur”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›