Vrasja në Paskuqan, kapet autori në prag arratie
TIRANË- Arrestohet teksa po tentonte të arratisej jashtë shtetit, autori i dyshuar i vrasjes së 27-vjeçarit Ervis Çapo, krim ky i ndodhur pak ditë më parë në Paskuqan. Shukri Damzi, 28-vjeç, banues në Kamzë është arrestuar ditën e djeshme teksa po tentonte të largohej nga pika kufitare e Kapshticës jashtë shtetit. Damzi dyshohet se në bashkëpunim me 27-vjeçarin Arben Doçi masakruan me kaçavidë dy javë më parë në qendër të Paskuqanit 27-vjeçarin Ervis Çapo. Ky gjeti vdekjen sapo mbërriti në duart e mjekëve në Spitalin Ushtarak. Efektivat e komisariatit të policisë nr.5 dhe oficerët e zyrës së vrasjeve pranë policisë së Tiranës nisën menjëherë hetimet për të zbuluar autorët dhe shkakun e krimit. Policia mundi të identifikonte brenda pak orësh autorët e dyshuar të ngjarjes të cilët rezultonin të ishin Arben Doçi nga Pakuqani dhe Shukri Damzi. Dy të dyshuarit mundën të largoheshin menjëherë pas krimit duke iu shpëtuar prangave të policisë. Ndërkohë, bazuar nga deklaratat e dëshmitarëve të ngjarjes policia tregoi se shkaku i vrasjes ishte një sherr për motive të dobëta mes viktimës dhe dy autorëve. Ervis Çapo, dy javë më parë kishte qenë të banesa e të fejuarës së tij me të cilën do martohej vetëm një muaj më pas. Kur po kthehej në banesën e tij në Allias dhe ende ndodhej në qendër të Paskuqanit, 27-vjeçari është përballur me dy persona me të cilët ka nisur një debat për parakalimin e automjeteve. Pas një debati të shkurtër, që sipas dëshmitarëve Çapo nuk ka reaguar ashpër, dy shokët janë hakmarrë duke e goditur me kaçavidë në kokë dhe qafë. Pavarësisht lutjeve të 27-vjeçarit dhe përpjekjeve që t’u mbrohej goditjeve, dy personat e kanë goditur disa herë duke e lënë pa shenja jete në makinë moshatarin e tyre. Dëshmitarët e transportuan me urgjencë në spital, të riun por ai ndërroi jetë sapo mbërriti. Policia mundi të zbulonte identitetin e autorëve brenda një harku kohor të shkurtër duke i shpallur ata në kërkim. Emrat dhe fotot e tyre iu shpërndanë komisariateve në rrethe si dhe pikave të kalimit kufitar. Kështu ditën e djeshme teksa po tentonte të kalonte nëpërmjet pikës së kalimit kufitar në Kapshticë është arrestuar njëri prej autorëve të dyshuar 28-vjeçari Shukri Damzi, i cili sipas policisë nuk ka pranuar të flasë pa praninë e avokatit.