Ish kryeministri Majko drejt rihyrjes në parlament

Ish kryeministri socialist Pandeli Majko pritet të hyjë në parlament. Kjo pasi parlamenti shpalli vakancën me rastin e dorëzimit të mandatit nga deputeti Alqi Bllako, i cili do ti nënshtrohet hetimeve nga SPAK për korrupsion.
Nënkryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj ka njoftuar deputetët në seancën e sotme, se Kuvendi shpall vakancën e do ia njoftojë KQZ-së për plotësimin e saj.
“Ju njoftoj që deputeti Alqi Bllako ka dorëzuar në Kuvend deklaratën me të cilën vë në dijeni Kuvendin që me vullnet të plotë dorëzon mandatin. Kur deputeti heq dorë referuar nenit 71 të Kushtetutës mandati i tij mbaron. Kuvendi shpall vakancën e ia njofton vakancën KQZ për plotësimin e saj”, tha zonja Felaj.
Pandeli Majko nuk arriti të fitojë një mandat deputeti në zgjedhjet e përgjithshme zhvilluar vitin e kaluar, megjithëse ishte i 19-ti në listën e PS në Tiranë.