Ish kryeministri britanik, Toni Bler: Unë dhe vendi im do mbrojmë rrugën e Kosovës drejt së ardhmes

Toni Bler është shprehur sot nga Prishtina, se do jetë një kontribuues dhe mbrojtjes i të drejtave të kombit shqiptar, ndërsa konfirmoi se do ketë në krye të çdo axhende me diplomacinë botërore pavarësinë e Kosovës. Ai tha se nuk është penduar për kontributin e tij dhënë për çlirimin e Kosovës 11 vjet më parë
“Unë dhe vendi im do të jemi përkrah jush në rrugën tuaj drejtë së ardhmes, sot dhe përgjithmonë”. Kështu është shprehur ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Toni Bler, i cili prej dy ditësh po zhvillon një vizitë në Kosovë, ku ka marrë sot çmimin “Doctor Honoris Causa” të ndarë nga Universiteti i Prishtinës. çmimi “Doctor Honoris Causa”, ish-kryeministrit Toni Bler i është dhënë për kontributin e madh të dhënë për lirinë e Kosovës.
Me këtë rast Bler tha se marrja e këtij çmimi është një nder i madh për të, dhe pohoi se gjatë studimeve nuk ka qenë aq student i mirë, kurse për mikun tjetër të Kosovës, Bill Klinton, tha se ka qenë student i shkëlqyeshëm.
“Kur kam qenë unë në universitet, kam qenë pak më shumë i interesuar për rokënrolin, se për studimet”- tha Bler, kurse në moshën e më vonshme e ka kuptuar se sa i rëndësishëm është arsimi.
Ai pohoi se njerëzit e rinj që edukohen në Kosovë, do të jenë udhëheqësit e ardhshëm të vendit dhe cilësia e tyre do të përcaktojë të ardhmen e vendit.
Ai foli edhe për vendimin që është marrë 11 vite më parë për të ndërhyrë ushtarakisht ndaj forcave serbe.
“E mbaj mend, shumë vite më herët morëm ato vendime që i morëm, duke mos ditur se cili është rezultati, por duke e ditur se nëse nuk do të përballemi me atë sulm, nuk do të meritonim emrin e civilizimit të madh”, pohoi Bler, ndërsa premtoi se nëse do të ketë ndonjë rol për ta ndihmuar Kosovën, do ta kryen me kënaqësi.
“Unë dhe vendi im do të jemi përkrah jush në rrugën tuaj drejtë së ardhmes, sot dhe përgjithmonë”, premtoi Bler.
Universiteti i Prishtinës ka ndarë edhe një mirënjohje të veçantë për kontributin e tij dhënë në Kosovë dhe botë.
Pas nderimit me çmimin “Doctor Honoris Causa” dhe pas fjalimit në Kuvendin e Kosovës, ish-kryeministri britanik Toni Bler u është drejtuar qytetarëve të Kosovës me një fjalim, duke porositur qytetarët se Kosovën, pas shpalljes së pavarësisë, e pret një sfidë tjetër, beteja e paqes, për të cilën nuk do t’u mungojë ndihma e miqve të Kosovës.
Ish-kryeministri Bler ka uruar qytetarët për shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës, duke thënë se nuk është penduar për kontributin e tij dhënë për çlirimin e Kosovës 11 vjet më parë, duke u shprehur se është një mrekulli që i sheh qytetarët e Kosovës të jetojnë në shtetin e vet e pavarur.
“Kur ne u bashkuam në solidaritet para 11 vjetëve kemi bërë atë që ka qenë e drejtë, kemi bërë atë të drejtën. Mua nuk më vjen keq për atë, nuk jam penduar atëherë, nuk jam penduar as sot dhe është e mrekullueshme ta shoh popullin e Kosovës në shtetin e vet”, ka thënë Bler.
Ai ka porositur qytetarët se tash Kosovën e pret sfida tjetër, ajo e betejës së paqes, për të cilën ka thënë nuk do të mungojë edhe ndihma e miqve të Kosovës.
“Ju keni luftuar shumë për ta krijuar këtë shtet të Kosovës, e tash e keni një betejë tjetër, një betejë të paqes dhe ajo është që ta shohim këtë shtet të pavarur të Kosovës duke pasur një të ardhme evropiane, si pjesë e BE-së në të ardhmen, një shtet që plotësisht merret me punët, jo vetëm punët e tij, por me të gjithë punët e botës. Kjo është një betejë e paqes dhe kjo është aq e rëndësishme. Kjo është e ardhmja e juaj dhe ata që ndihmuan dhe krijuan këtë shtet të Kosovës, po ashtu ju siguruan dhe do t’ju ndihmojnë edhe për këtë sfidë”, ka thënë Bler.
Por, për të gjitha ato që i ka bërë në të kaluarën për Kosovën, Bler ka falënderuar bashkëshorten tij, Sheri, duke thënë se ajo e shtyri që të bëjë gjënë e duhur.
Bler ka përgëzuar të gjithë qytetarët e Kosovës, duke thënë se është një kënaqësi dhe privilegj që ai gjendet në mesin e tyre.
“Për gjithë ju këtu, disa prej jush që ju kam takuar para 11 vjetëve, disa që kam takuar në kampet e refugjatëve atëherë, është kënaqësia ime, ndjenja, privilegji që të jem me ju këtu sot, për të festuar me ju sot, të ju uroj sot, dhe të ju uroj të gjitha të mirat në të ardhmen. Faleminderit Kosovë”, është shprehur ish-kryeministri Bler.
Për t’i uruar mirëseardhje ish-kryeministrit Toni Bler, ishin mbledhur mijëra qytetarë të Kosovës, të cilët mbanin në dorë flamuj të Kosovës dhe të Britanisë së Madhe, si dhe fotografi të shumta të tij. Në mesin e fëmijëve ishin të pranishëm edhe Toni Blerët e vegjël, të cilat i uruan mirëseardhje atij duke u prezantuar në gjuhën angleze, po ashtu edhe dy vajzat, të cilat 11 vjet më parë i kishin dhuruar lule.