PD: Prokuroria të hetojë lidhjet e Ramës me kontingjentin kriminal

Në vetëm 2 javë bien në pranga 2 persona me precedent penal, organizatorë të protestave të opozitës dhe të njohur si të afërt me kryesocialistin Edi Rama
Selia Blu ka kërkuar sot hetim të plotë lidhur me arrestimin e dy ditëve më parë të një eksponenti të krimit, në banesën e të cilit u gjet një arsenal i tërë armësh, i fshehur në thasë me logon e Partisë Socialiste si dhe një numër i konsiderueshëm posterash, flamujsh dhe portrete të Edi Ramës. Të gjitha këto i përkisnin një trafikanti armësh dhe njëherazi personi në kërkim, Arben Simoni, i cili figuronte si eksponent i Partisë Socialiste dhe mendohet se ka qenë organizator i aksionit të Edvinit, për mos bindje civile, në disa rrethe të vendit. Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Erla Mëhilli, u shpreh gjatë një konference për shtyp se organet kompetente duhet të hetojnë lidhjet e Ramës me kontigjentet kriminale, nisur nga arrestimi i fundit dhe ai i pak ditëve më parë, anëtari i bandës së Zani çaushit, i cili kishte organizuar tubimet e opozitës dhe mos bindjen civile, përmes bllokimit të rrugëve.
“Ka dy ditë që mediat elektronike dhe të shkruara paraqitën pamjen e një depoje armatimi të mbushur me armë të të gjitha llojeve dhe sasi të mëdha eksplozivi, si dhe flamuj të Partisë Socialiste, postera të mitingjeve të fundit portrete të Edi Ramës. Kjo depo i përkiste një trafikanti armësh dhe banditi në kërkim Arben Simoni, një nga eksponentët kryesorë në protestat e Partisë Socialiste. Edvin Rama heshti si fije bari para kësaj ngjarje dhe me sa duket lidhjet e ngushta të tij me trafikantin, tregojnë se Rama me siguri ndanë me të të ardhurat e këtij trafiku kriminal”- u shpreh zëdhënësja e PD-së, Mëhilli.
Ajo theksoi se vetëm tre javë më parë u arrestua njëri prej eksponentëve të mitingjeve të Ramës dhe anëtarë kryesorë i bandës së Zani çaushit.
Mëhilli shtoi se PD e konsideron heshtjen e Ramës si dëshmi e lidhjes së tij me veprimtarinë kriminale të personave të lart përmendur.
“Partia Demokratike denoncon heshtjen e zotit Rama për veprat e bashkëpunëtorëve të tij, si dëshmi e implikimit direkt të Ramës në veprimtarinë e tyre kriminale si dhe ju kërkon organeve kompetente të hetojnë lidhjet e zotit Rama me këta kriminelë”- deklaroi më tej, zëdhënësja e Partisë Demokratike.