E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish kryeministri italian D’Alema vlerëson Edi Ramën

Ish kryeministri Italian Massimo D’Alema gjatë një takimi me të majtën italiane ka vlerësuar lidershipin e Edi Ramës në krye të PS-së. Rama i cili ka marrë pjesë në takim është duartrokitur gjatë. 

ITALI- Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, ka qenë i ftuar të flasë përpara të pranishmëve në një takim të organizuar nga e majta italiane për të ardhmen e shoqërisë bashkëkohore. Kryesocialistit i është kërkuar nga organizatorët të paraqesë eksperiencat e tij të suksesshme në Tiranë dhe një pamje të perspektivës të hapësirës komunitare në një kohë ndryshimesh radikale për të gjithë botën. Edi Rama ka vënë theksin tek nevojat e vizionit të ri evropian për pjesën e Ballkanit, e cila ka mbetur ende jashtë Bashkimit Evropian. Ai ka nënvizuar se politika e vjetër e izolimit të këtyre popujve sjell efekte negative në procesin e rritjes dhe të zhvillimit të vetë vendeve të zhvilluara. Gjatë fjalës së tij Rama gjithashtu ka nënvizuar se është koha për integrim dhe jo izolim. Duartrokitjet e gjata të të pranishmëve ka qenë një shenjë e qartë e mbështetjes së ideve dhe filozofisë së Ramës.

Ndërsa ish kryeministri italian Masiomi D’Alema dhe një ndër liderët të së majtës italiane, gjatë një prononcimi u shpreh se “politika shqiptare ka qenë e dominuar nga ata që mund të cilësohen dhelpra të vjetra”. “Rama është një potencial dhe një shpresë e rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë”, është shprehur D’Alema. (a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›