Ish-kryeministri kroat dhe partia e tij akuzohen për korrupsion

Prokurorët kanë ngritur akuza të reja për korrupsion kundër ish-kryeministrit kroat, Ivo Sanader dhe partisë së tij konservatore.
Partia kroate e Bashkimit Demokratik, e cila humbi zgjedhjet e përgjithshme parlamentare javën që shkoi, akuzohet se ka vjedhur paratë e shtetit për përdorime të papërshtatshme.
Prokurorët thonë se disa zyrtarë të partisë dyshohet se kanë përfituar rreth 5.5 milionë dollarë, prej të cilave, dyshohet se 3 milionë i kanë takuar Sanaderit.
Ish-kryeministri kroat do të paraqitet në gjykatë lidhur me akuzat për rryshfet nga kompani hungareze dhe austriake. Sanader i mohon këto akuza.