Ish-kryeministri kroat përfundon në spital, vuan nga bronkopnoumonia
ZAGREB - Ish-kryeministri kroat, Ivo Sanader është shtruar në klinikën për sëmundjet e mushkërive në Zagreb pasi është prekur nga një bronkopneumoni. Një lajm i tillë u njoftuan dje mediat kroate, të cilat kanë cituar burime të Ministrisë së Shëndetësisë. Sipas Ministrisë kroate të Shëndetësisë, Sanader, i cili ka temperaturë të lartë, së pari është kontrolluar në spitalin infektiv dhe prej atje është dërguar në Klinikën për sëmundjet e mushkërive.
Shtëpia e Bardhë nuk konfirmon ende vrasjen e kreut të talebanëve pakistanezë
UASHINGTON - Administrata Obama deklaroi dje se nuk mund të konfirmojë njoftimet se kreu i talebanëve pakistanezë, Baitullah Mehsud, për kapjen e të cilit janë vënë në dispozicion 5 milion dollarë, kishte mbetur i vrarë gjatë një sulmi me raketa dy ditë më parë. "Kemi marrë njoftime se Baitullah Mehsud është vrarë. Por nuk mund ta konfirmojmë vdekjen e tij", deklaroi për gazetarët zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibbs.
Portugalia do të pranojë dy të burgosur nga Guantanamo
LISBONË - Portugalia konfirmoi dje se do të pranojë dy të burgosur sirainë të kampit amerikan Guantanamo në Kubë, në një komunikatë të Ministrisë së Jashtme. Data e mbërritjes dhe identiteti i këtyre dy të burgosurve nuk është bërë e ditur nga autoritetet portugeze. Portugalia ka njoftuar në qershor se parashikonte të priste "dy ose tre të burgosur" të Guantanamos, duke shtuar se duhet të "zgjidhte çështjen e statusit të tyre". Edhe Shqipëria është në listën e vendeve që ka pranuar të strehojë të dënuar nga burgjet e Guantanamos disa vjet më parë.
Berluskoni: Nuk kam përse t’I kërkoj askujt falje lidhur me skandalin
ROMË - Kreu i qeverisë italiane Silvio Berluskoni, i përfshirë që prej disa muajve në skandale me gra të reja dhe të bukura dhe që ka filluar një procedurë divorci, u shpreh dje se nuk kishte pse t'i kërkonte falje askujt, madje as anëtarëve të familjes së tij.
Duke përmendur një intervistë të fundit të vajzës së tij Barbara, 25 vjeçe, në të cilën e reja theksonte se "një politikan nuk mund t'ia lejojë vetes dallimin mes jetës publike dhe asaj private", Silvio Berluskoni u shpreh në një konferencë shtypi në Romë se vajza e tij "e do shumë". "Vajza ime më do shumë, ajo tregoi vlerësim dhe dashuri ndaj meje", - deklaroi Silvio Berluskoni.
"Sidoqoftë, babai i saj nuk ka përse ta qortojë veten për jetën e tij private. Nuk ka arsye përse t'i kërkojë falje kujtdo qoftë, përfshirë edhe vetë anëtarët e familjes së tij", deklaroi kryeministri duke u shprehur në vetën e tretë.
Silvio Berluskoni është ngatërruar që nga fillimi i majit në çështjen Noemi, një vajzë e re që kryeministri italian mendohet ta ketë frekuentuar ndërkohë që ajo ishte e mitur. Kjo çështje ka bërë që bashkëshortja e tij Veronica Lario t'i kërkojë divorcin.
Një çështje tjetër i është shtuar në qershor kësaj të fundit, historia e një prostitute që ka marrë pjesë bashkë me gra të tjera të reja, në disa mbrëmje festive në rezidencën private të Silvio Berluskonit dhe që shprehet se ka ndenjur atje dy net.
"Kreu i qeverisë nuk akuzohet për vrasje, askush nuk mund ta detyrojë të shprehet dhe asgjë dhe askush nuk mund ta demoralizojë", theksoi Silvio Berluskoni, duke iu referuar historisë së fundit. Kryeministri italian, i cili përmendi artikujt e shtypit dhe fotografitë e publikuara për këto histori, kritikoi një fushatë "fyerjesh dhe shpifjesh" që e dëmton Italinë dhe më tepër interesat e saj se sa personin e tij.
AFP
8 Gusht 2009