E Diel, 1 Nëntor 2026

Administrimi i tokës, mundësi edhe për shtetasit e huaj me origjinë shqiptare



Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Jemin Gjana deklaroi dje se po shikohet ligji i cili do të lejojë shitblerjen e tokës nga shtetas të huaj me kombësi shqiptare. Sipas Gjanës, “qeveria po shikon mundësinë për hapjen e tregut të tokës bujqësore edhe për shtetasit e huaj me origjinë shqiptare dhe brenda 7 vitesh edhe për qytetarët e Bashkimit Europian”. Në këtë drejtim, ai tha se ekspertët po studiojnë mundësinë e amendimit të ligjit me disa nene përkatëse, të cilat do të mund t'u jepnin shtetasve të huaj me kombësi shqiptare të drejtën e shitblerjes së tokës në vendin tonë.
"Ne jemi duke rregulluar kuadrin ligjor për të bërë të mundur ndjekjen e praktikës së Polonisë, e cila edhe pse deri në vitin 2016 nuk lejon shitblerjen e tokës nga shtetas të huaj, nëpërmjet disa amendimeve ka rregulluar kuadrin ligjor që të lejojë blerjen e tokës nga shtetas të huaj, por me kombësi polake",- deklaroi ministri Gjana.

Rriten çmimet e karburanteve, benzina kushton 130 lekë/litër

Rriten me 5 lekë çmimet e karburanteve në vendin tonë. Në pikat e shitjes me pakicë, benzina dhe nafta e cilësisë së lartë, e njohur ndryshe si “Eurodiesel blu” kanë arritur në 130 lekë për litër, ndërsa nafta e zakonshme tregtohet me 126 lekë për litër. Shtrenjtimi i karburanteve ishte paralajmëruar nga grosistët, për shkak të ecurisë së tregjeve financiare ndërkombëtare. Gjatë javëve të fundit, kuotat e arit të zi në bursa kanë pësuar rritje të vazhdueshme. Kështu në bursën e Nju Jorkut çmimi i naftës ka arritur në 71.9 dollarë për fuçi, duke shënuar një rritje prej 0.7% kundrejt një dite më parë. Rritja e çmimeve të karburanteve do të rëndojë në buxhetin e familjeve shqiptare. Kjo veçanërisht në këtë periudhë të sezonit veror ku konsumi i karburanteve rritet ndjeshëm, jo vetëm si pasojë e shtimit të automjeteve në qarkullim nga kthimi në atdhe i emigrantëve dhe turistëve, por edhe si pasojë e lëvizjeve të shumta të qytetarëve për pushime.

8 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›