Kreu i NATO-s bën thirrje për shtimin e trupave ushtarake në Afganistan
LONDËR - Sekretari i ri i Përgjithshëm i NATO-s bëri thirrje për shtimin e trupave në Afganistan dhe theksoi se programi i trajnimit të trupave vendase duhet të identifikohet.
"Mendoj se duhen më shumë trupa në Afganistan", deklaroi dje nga Kabuli, Anders Fogh Rasmusen, ish-kryeministri i Danimarkës, i cili mori këtë muaj drejtimin e aleancës perëndimore. "Konstatova progres në jug të Afganistanit dhe kjo ka ardhur për shkak të shtimit të trupave atje. Pra padyshim, në këtë vend ka nevojë për më shumë trupa", deklaroi Rasmusen për radion BBC.
NATO-ja ka dislokuar afro 65,000 ushtarë në Afganistan, me kontributin e më shumë se 40 vendeve, por gjysma e tyre janë amerikanë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë edhe 36 000 trupa të tjera që operojnë jashtë komandës së NATO-s.
Uashingtoni ka bërë të qartë se kërkon një kontribut më të madh me ushtarë nga shtetet kryesore anëtare të aleancës, por ndërkohë vende si Gjermania, Franca dhe Italia kanë shprehur ngurrimin e tyre në këtë aspekt.
Ndërkaq, shpërthimi i një bombe të vendosur në anë të një rruge vrau dje katër ushtarë amerikanë në provincën jugore të Helmandit, ku marinsat kanë ndërmarrë një operacion të gjerë kundër militantëve islamikë. Mujajin e kaluar, 76 ushtarë të huaj humbën jetën në Afganistan, duke e bërë korrikun muajin më të përgjakshëm për trupat ndërkombëtare që prej rrëzimit të talebanëve nga pushteti në vitin 2001.
8 Gusht 2009