E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkëmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, ide e gabuar



Ideja për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë nuk po gjen mbështetjen as të faktorit të brendshëm në Prishtinë dhe as nga ekspertët apo përfaëqsuesit ndërkombëtar. Ambasadori Albert Rohan është plotësisht kundër idesë për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë, e përkrahur para disa ditësh edhe nga kongresisti amerikan Dana Rohrabacher. Të njëjtën qëndrim ka shprehur edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila ka dalë hapur kundër kësaj ideje vetëm dy ditë pas deklaratës së presidentit Sejdiu. “territori i Kosovës është unik dhe i pandarë, ashtu siç e definon edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës”, - tha Ramë Manaj në një konferencë shtypi ditën e premte.
Rragimet jashtë
“Përgjigja ime është shumë e prerë - jo. Jam kundër kësaj ideje. Nuk mendoj se shkëmbimi i territoreve është zgjidhje. Jam fuqishëm kundër kësaj”, ka thënë ambasadori Albert Rohan, në një bisedë për të përditshmen kosovare “Express”. Diplomati austriak, Rohan dhe shefi i tij i dikurshëm Marti Ahtisari kanë ndërmjetësuar bisedimet për statusin e Kosovës dhe kanë hartuar planin gjithëpërfshirës nën mbikëqyrjen e gjashtë shteteve të fuqishme, anëtare të Grupit të Kontaktit.
Ai nuk ka asnjë informatë nëse ndonjë nga qeveritë e këtij grupi mund të jetë prapa këtij opsioni të promovuar nga kongresisti Rohrabacher. “Nuk jam në dijeni për ndokënd, i përfshirë në vendimmarrje, që përkrah këtë ide. Mendoj se kjo ka qenë deklaratë e kongresistit i cili mund të jetë i interesuar për Kosovën, por nuk është një nga faktorët vendimmarrës”, - ka thënë ambasadori Rohan. Edhe ish i dërguari i BE-së, Volfgang Petriç deklaroi disa ditë më parë se nuk është zgjidhje shkëmbimi I territoreve mes Kosovës dhe Serbisë nëse palët nuk e shtrojnë për diskutim një gjë të tillë. Ndërmarrja e një veprimi të tillë konsiderohet si hapja e “Kutisë së Pandorës” në rajonin e Ballkanit.
Reagimet brenda
Këmbimi i kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë është i papranueshëm për Lidhjen Demokratike të Kosovës. Këtë e ka thënë në një konferencë për media, sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Ramë Manaj. Sipas tij, territori i Kosovës është unik dhe i pandarë, ashtu siç e definon edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës.
Kosova ka kuptimin e vet vetëm si tërësi, si shtet unik, me integritet të paprekshëm territorial, dhe për këtë ka edhe përkrahjen e plotë të bashkësisë ndërkombëtare. Kështu është shprehur tri ditë më parë presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, gjatë një takimi që zhvilloi me disa banorë të komunës së Leposaviqit. Ai tha se Republika e Kosovës është shtet sovran dhe i pavarur dhe si e tillë, në kufijtë e saj, është njohur nga të gjitha vendet që e kanë pranuar shtetin tonë. Që prej hedhjes së idesë nga kongresmeni amerikan për shkëmbin zonash mes Prishtinës dhe Beogradit, ka pasur debate për këtë çështje.

Gati përfundimi i strategjisë kombëtare të sigurisë në Kosovë

Përfaqësuesit e Sekretariatit të Këshillit të Sigurisë së Kosovës pohojnë se janë në përfundim të finalizimit të strategjisë kombëtare të sigurisë. Por, janë përfaqësuesit e opozitës ata që kritikojnë Qeverinë për vonesa në hartimin e kësaj strategjie.
Përkundër incidenteve të kohëpaskohshme në veriun e vendit, Këshilli i Sigurisë së Kosovës vlerëson se situata është e qetë, falë angazhimit të organeve të rendit.
Këshilli i Sigurisë së Kosovës thuhet të ketë shtrirje në gjithë territorin, duke përfshirë dhe veriun e Mitrovicës. Përfaqësuesit e sekretariatit të këtij këshilli thonë se organi në fjalë vepron në bazë të rregulloreve dhe strategjisë së Qeverisë. Jeton Arifi, drejtor i Departamentit për analiza të sigurisë në Sekretariatin e Këshillit të Sigurisë, shpjegon:
“Sfidat e sigurisë lidhen kryesisht me veriun e vendit. Sipas strategjisë, e cila është duke u zbatuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, ato janë sfida të kalueshme dhe ne po dëshmojmë se ato po i përballojmë me sukses. Natyrisht që shtrirja është në terë vendin, pra brenda kufijve administrativë të Republikës së Kosovës”, - tha Arifi.
Këshilli i Sigurisë së Kosovës është organi më i lartë i sigurisë në vend. Ai përbehet nga 8 anëtarë ekzekutivë, 9 anëtarë të tjerë këshillëdhënës dhe 2 anëtarë të tjerë vëzhgues. Këshillin e Sigurisë e kryeson kryeministri i Kosovës në kohë paqeje, kurse në gjendje të jashtëzakonshme e kryeson presidenti.

8 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›