E Diel, 1 Nëntor 2026

Moisiu: Përplasjet me kryeministrat Nano dhe Berisha

 

Alfred Peza

Ish-presidenti, Alfred Moisiu, në “Ora Neës” ka rrëfyer marrëdhëniet jo të lehta me dy kryeministrat, Fatos Nano dhe Sali Berisha. Moisiu flet për përplasjet e forta me Nanon në lidhje me mungesën e ministrave në kabinetin e tij qeveritar.
Libri fillon me momentin e zgjidhjes suaj si President, sigurisht kanë kaluar 7 vjet dhe pak për kujtesë, si ndodhi dhe si është përshkruar ky moment në libër?
Më datën 20 qershor doli që dy eksponentët kryesorë të politikës, Nano dhe Berisha, ranë dakord, u morën vesh, që si kryetar shteti të zgjidhej Artur Kuko, ambasadori ynë në NATO tani. Kjo punë u mbyll, kur 24 orë më vonë, del që zoti Kuko u tërhoq për arsyet e tija, nuk dua të hyj në këto hollësira. U hap rishtazi, mirëpo u hap në atë mënyrë që s’kishte edhe kohë shumë për ta mbyllur. Pasi më 24 qershor duhet që menjëherë të fillonte zgjedhja e Presidentit të ri të Republikës dhe unë e mora vesh më datën 23, ishte e diel, më morën në telefon. Mediu më kërkon ku je, isha në një rast familjar, në fejesën e një vajze të një kushërirës sime dhe shkova në sallën e Kuvendit, ku ishin mbledhur politikanët shqiptarë. Nano foli, tha që ne mendojmë se ju jeni i përshtatshëm për t’u propozuar si kryetar i shtetit shqiptar, nuk e di pranoni apo s’pranoni. Në atë rast unë sigurisht i shpreha falënderimet e mia, sigurisht të jesh kryetar shteti, jo kujtdo i bie radha, e dyta është një nder i madh për cilindo. Sigurisht i falënderova për këtë që u ndalën tek unë, por në të njëjtën kohë u thashë edhe një gjë tjetër, megjithëse isha papërgatitur, se erdhi befasishëm kjo punë, i thashë që kam një formim tradicional familjar dhe një formim profesional timin, nuk pranoj ndërhyrje në punët e mia, por edhe unë juve s’kam për t’ju ndërhyrë. Sigurisht që kërkoj nga ju edhe një mbështetje për të kryer këtë detyrë. Aty Nano u përgjigj që e morëm mesazhin. Por nuk e di, si dhe ku marrjen e mesazhit. Kështu që, filloi pastaj formalizimi, të nesërmen do të shtrohej në Parlament dhe kështu ndodhi. Unë kam shprehur dhe disa detaje të tjera në libër, veçanërisht se aty mënyra se nga i njihja dhe si i njihja unë politikanët kryesorë, ishte Nano, Berisha, Ruçi, Pollo, Mediu, këta ishin. Gjinushi dhe të tjerë nuk ishin prezentë, se siç doli më vonë, ai ishte kundra kandidaturës sime, mënyrës së përzgjedhjes, edhe sigurisht që unë njihja më mirë në atë kohë Berishën dhe Pollon, me këta të tjerët më pak. Me Nanon ishte hera e dytë që takohesha, isha takuar me të në vitin 1997, kur bëra konferencën “Ecuria shqiptare drejt Atlantikut” dhe Nano, në atë kohë kryeministër, ishte ftuar në konferencë. Kjo është në mënyrë të ndershme mënyra se si u zgjodha President i Republikës.
Si ka qenë raporti juaj si President me Nanon politikan, qoftë si kryetari i PS dhe Kryeministër?
Tani, raportet në këto raste janë zyrtare dhe shoqërore, në dy aspekte. Sigurisht në raportet zyrtare unë kam ruajtur dhe jam munduar të ruaj raporte midis kryetarit të shtetit dhe Kryeministrit, i cili nuk ishte thjeshtë Kryeministër, por edhe kryetar i partisë më të madhe në pushtet. Ndërsa për raportet shoqërore, këto varen nga mosha, nga shumë gjëra, nuk ka pasur ndonjë gjë të veçantë, kam pasur komunikim normal me të, ka pasur raste të jem takuar 2-3 herë, kemi ngrënë dreka bashkë, darka, sipas rastit, që unë e quaj normale. Megjithëse, atëherë një pjesë e opozitës thoshin bo’ e thithi Nano-Moisiun. Dua të them edhe sigurisht puna në politikë, si çdo punë tjetër, do t’i rrish në kokë, gjë për të cilën ai nuk dallohej, për mendimin tim, unë nuk e di se ç’mendojnë të tjerët, po ky është gjykimi im. Unë kam parashtruar disa gjëra në librin tim, aq sa mundesha, por dua të them, në raport me mua gjithmonë ka qenë më i çiltër dhe asnjëherë nuk jemi atakuar ballë për ballë.
Si kryeministër, si ishte? Si e vlerësoni?
Unë e thashë pak më parë, për mendimin tim tek ai ka spikatur papërgjegjshmëria për kryerjen e detyrave.
Po në lidhje me korrupsionin, çfarë raporti keni pasur me kryeministrin Nano, ka qenë gjerësisht i kritikuar Qeveria e tij dhe ai si kryeministër në atë periudhë?
Sigurisht unë e kam kritikuar, domethënë këtë zhvillim që mori korrupsioni në atë kohë, qoftë publikisht, qoftë edhe në biseda, domethënë bisedash takime zyrtare, flas gjithmonë. Por, Nano e pranonte këtë. E pranonte në atë shkallë aq sa mund të pranohej për të thënë. Por ajo që ndodhi më vonë, që ka ndodhur më vonë me Berishën, është akoma më skandaloze për sa i përket korrupsionit. Kështu që, nga kjo anë vërtet të duket papërgjegjshmëria e një Kryeministri, se të vdesin 21 qytetarë ishte një fatkeqësi sigurisht dhe ai të vazhdojë programin e tij personal, ishte aspak normale në këtë rast.
Keni pasur ndonjë moment ku ju i keni kërkuar dorëheqjen zotit Nano si Kryeministër?
Se për këtë punë është folur goxha dhe në mënyrë të veçantë nga opozita atëherë pse nuk e shkarkon presidenti, kryeministrin?! Kushtetuta jonë nuk i jep hapësirë Presidentit për këto gjëra. Unë ka pasur një moment kur i kam thënë aty Fatos Nanos, shko në Parlament dhe kërko besimin e Parlamentit, në kohën kur ishte Qeveria, kishte 2-3 ministra mangët, drejtoheshin me zëvendësministra. Ai tha që s’kam pse të shkoj, se jam në rregull, nëse ka të tjerë që unë do të dal para Parlamentit, të kërkojë mocion mosbesimi dhe nëse unë humbas, unë jap dorëheqjen menjëherë, të paktën unë kështu e kam shkruar edhe në libër.
Që ta mbyllim këtë pjesë, kush ka qenë momenti më i vështirë i raporteve tuaja me zotin Nano?
Kam pasur disa përplasje me Nanon, por ishte një gjë, që ne përplasjet s’i bënim publike, janë bërë në zyrën time. Kam pasur edhe një rast ku ka qenë edhe zoti Pëllumbi, u përplas goxha fort me të. Pra ka qenë problemi i zgjidhjes së ministrave të rinj, kur ministritë i kishim me zëvendësministra, unë isha në një pozicion shumë të vështirë në atë kohë, në ç’kuptim, pasi ne ishim në prag të zgjedhjeve dhe Kodi Zgjedhor ishte në përpunim e sipër. Nëse unë do të ushtroja presionin maksimal me të, mund të çohej në një krizë që mund të na çonte në zgjedhje të parakohshme, kur ne s’ishim gati, prandaj unë kam pasur presion të graduar deri sa unë pastaj e ushtrova maksimalisht. Pra, në këto raste kanë qenë këto përplasje që thashë unë me Nanon, këtu po flas edhe me ligje të tjera që ka pasur përplasje.
Në kohën që u bë Kryeministër zoti Berisha si vijuan raportet tuaja dhe për çfarë i kishit përplasjet kryesore?
Po përplasje kemi pasur shumë me Berishën pasi u zgjodh Kryeministër, me të thënë të drejtën. Që në fillim patëm një përplasje për punën e Shërbimit Informativ, se filloi të diskutohej, të bëhej problem pa ardhur fare, pa diskutuar fare, kur ajo ishte një çështje kushtetuese në radhë të parë.
Donte ndryshimin e kryetarit të Shërbimit?
Donte që përgjithësisht Shërbimin ta shkëpuste, ta fuste tek ministria e Brendshme. Në fakt, SHISH ka qenë problematik, edhe kur ishte Berisha, edhe më vonë, dhe më në fund arritëm që atë shërbim ta fusim në vrazhdën e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë së tij të plotë. Po kështu marrim Prokurorinë, po kështu edhe me problemin e diplomacisë, ambasadorët, KLD. Pra, këto ishin pushtete të ndara, të ekzekutivit e legjislativit. Këto nuk mund të nënshtrohen se ndryshe ktheheshim prapë tek partia-shtet, të njëshi i mëparshëm.
Përveç Berishës dhe Nanos, Shqipëria ka edhe politikanë të tjerë, në mes të cilëve mund të radhisim edhe për shkak të peshës së partive të tyre politike, por edhe në rolin që luajnë në jetën politike të vendit, le të themi Ilir Meta dhe Edi Rama. Si kanë qenë marrëdhëniet tuaja me të?
Me Ilir Metën unë jam njohur shumë herët, unë e ftoja gjithmonë në aktivitetet e Shoqatës së Atlantikut dhe kam pasur gjithmonë marrëdhënie shumë të mira me të. Në atë kohë ka qenë sekretar shteti në Ministrinë e Jashtme, edhe kur ishte Kryeministër e kam ftuar, ka folur në shoqatë. Kam pasur marrëdhënie të mira me të, normale. Ka qenë një politikan me të cilin unë jam mirëkuptuar gjatë gjithë kohës. Nuk kam pasur përplasje me të, ndërsa me Edi Ramën, e kam njohur si kryetar bashkie fillimisht, pastaj si kryetar i PS, i opozitës. Nuk e kam njohur aq mirë sa njihja Ilirin, por e kam mbështetur gjithmonë, duke pasur parasysh që politika tek ne ka nevojë për ndryshim liderësh, pasi unë kam thënë në një vend aty, kam folur edhe për liderin historik. Unë kam qenë kundër kësaj ideologjie, jo se nuk ka, por tek ne quhet Berisha dhe Nano. Atëherë unë shtroj pyetjen, mirë dakord unë do t’i pranoj që janë liderë historikë, por pse na kanë mbajtur këtu 18 vjet në vend? Asnjëri nga këta s’kanë dhënë llogari, por përkundrazi, aspirojnë për vazhdim pushteti. Në një moment që në të gjithë rajonin tonë, nuk po flas për në Evropë, qoftë në Bullgari, Maqedoni, Serbi, Mal i Zi, Kroaci, ka ndryshuar lideri kryesor dhe sigurisht kjo ka sjellë edhe atë, siç thotë fjala e popullit, një ujë që nuk rrjedh, ai qelbet.
Marrë me shkurtime nga “Ora News”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›