Ish-kryeparlamentari Potering: Evropa ta shndërrojë mesazhin e Papës për solidaritetin në një projekt politik
“Evropa ka nevojë për një shpirt të ri solidariteti, që të gjejë ekuilibrin e duhur me parimet e lirisë e të barazisë”. Kështu foli ish-presidenti i Parlamentit Evropian, Hans-Gert Pëtering, tani kryetar i Fondacionit “Konrad Adenauer”, i cili hapi dje paradite Konferencën e Shtypit për paraqitjen e Mesazhit të Papës për Krezhmet e këtij viti. Krah tij, kryetari i Këshillit Papnor “Cor Unum”, kardinali Paul Jozef Kordes. “Politikisht, flitet për “solidaritet”, teologjikisht, kemi folur gjithnjë për dashuri e bamirësi, thotë Potering. Në këto fjalë – dashuri, solidaritet, vëllazërim – gjendet çelësi për kuptimin e vërtetë të përgjegjësive të të krishterëve në botë – një kuptim i përshtatshëm për epokën tonë të globalizimit. Solidariteti e dashuria kërkojnë mbrojtjen dhe kujdesin për dinjitetin universal të çdo njeriu, në çdo anë të botës e në çdo rrethanë”.Por vëllazërimi e solidariteti duhen shndërruar në projekte politike, theksoi Pëtering, i cili vuri në dukje se solidariteti është ulur në Evropë, pas rënies së Bashkimit Sovjetik. Shuma të paimagjinueshme, vuri në dukje ai, janë investuar nga shtetet për të përballuar krizën financiare e megjithatë, zbatimi i dashurisë e i bamirësisë, sidomos lufta kundër urisë në botë nuk janë në nivelin e duhur. Për këtë, ai shtoi: “Evropa dhe bashkësia ndërkombëtare kanë detyrimin moral për të marrë përsipër përgjegjësi të mëtejshme. 2010-a si “Vit evropian për luftën kundër varfërisë dhe përjashtimit shoqëror” ofron kornizën ideale për një impenjim më të fortë e më të frytshëm të Bashkimit Evropian në favor të më të varfërve të planetit”. Nuk është aq e vështirë sa duket, sqaroi Potering, i cili dha shembullin e një projekti të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i quajtur “Unitaid”, për luftën kundër Sidës, malaries, tuberkulozit dhe sëmundjeve të tjera në 93 vende të varfëra, falë fondeve të mbledhura nga kompanitë e fluturimeve ajrore, që e rritën me 1 ose 2 dollarë çmimin e biletës. Brenda tri vjetëve u mblodhën një miliard e gjysëm dollarë për projektin. Por, përfundoi ish-presidenti i Europarlamentit, drejtësia e paqja kanë nevojë që popujt të respektojnë njëri-tjetrin e sidomos bindjet e fenë: “Respekti i ndërsjelltë në dialogun ndërkulturor nuk do të thotë të mbyllen sytë para kontrasteve të pakapërcyeshme. Gjithsesi, do të jemi në gjendje ta ndalojmë fanatizmin në botën e shekullit të 21-të, vetëm nëse i privojmë fanatikët, që duan ta ndryshojnë botën me dhunë, nga pretekstet shpirtërore, falë të cilave mund të manipulojnë personat. Kemi pra nevojë për një dialog të sinqertë solidariteti ndërmjet të krishterëve e myslimanëve, ndërmjet të krishterëve e hebrenjve”.Edhe kardinali Kordes, duke paraqitur një sintezë të Mesazhit të Papës për Krezhmët, theksoi se si qendra e tij është tema e drejtësisë. Prelati përmendi rastin e Darfurit e nënvizoi se për të arritur drejtësinë, ashtu siç shkruan Benedikti XVI, është e nevojshme të dilet nga iluzioni se mund ta vendosim vetë atë, pasi kjo është zanafilla e padrejtësisë:“Fjala e Papës është sidomos një sfidë që vullneti ynë t’i nënshtrohet Zotit e të besojë në Të. Nxjerr pra në plan të parë atë që harrohet lehtë nga diskutimi i përgjithshëm për drejtësinë e paqen. Vetëizolimit të njeriut – mund të flasim për një lloj “autizmi të njeriut shkaktuar nga shekullarizimi” - Papa Benedikti XVI i kundërvë ofertën e dashurisë së Zotit”.Patriku Kirill I: Me Papën kemi një vizion të përbashkët për Evropën/“Gjatë viteve të fundit janë regjistruar prirje pozitive në dialogun ndërmjet Kishës ortodokse ruse dhe asaj Katolike romake.” Ky është bilanci i një viti pune që bëri Patriku i Moskës dhe i të gjitha Rusive Kirill I gjatë punimeve të konferencës së ipeshkvijve që u zhvillua në Moskë, një vit pas themelimit të saj. “Veprimtaritë e përbashkëta dhe takimet e shumta që kemi pasur me përfaqësuesit e Kishës Katolike, - tha Patriku Kirill cituar nga agjencia e lajmeve Sir, - kanë vërtetuar se kemi qëndrime të përbashkëta për shumë çështje që kanë të bëjnë me të krishterët në të gjithë botën moderne. Këto janë shekullarizimi agresiv, globalizimi, prishja e parimeve etike tradicionale etj. Ja vlen të nënvizojmë se në lidhje me këto tema Papa Benedikti XVI mban një qëndrim shumë të afërt me Kishën ortodokse. Dhe kjo shihet në fjalimet, në mesazhet e tij sikurse edhe në pikëpamjet e përfaqësuesve të lartë të Kishës Katolike Romake, me të cilën kemi mjaft kontakte.” vijoi më tej Patriku Kirill I në fjalën e tij. Më tutje ai vuri në dukje se “një vizion i përbashkët për mbrojtjen e dinjitetit të njeriut në Evropë u pa edhe gjatë takimit të kryeipeshkvit Hilarion Volokalmski me Papën Benedikti XVI dhe me krerët e tjerë të Kuries Romake, në shtatorin e kaluar. Në fjalimin e tij Patriku Kirill përmendi edhe vendimin e marrë në nëntor nga Gjykata evropiane e të drejtave të njeriut për heqjen e kryqeve nga shkollat italiane. Këtë vendim Patriku Kirill e komentoi me këto fjalë: “Ky ishte një sulm i hapur kundër traditave të krishtera në Evropë,” prandaj Kisha ortodokse ruse i shprehu gjithë solidaritetin e vet Kishës Katolike në Itali”. Patriku nuk i fshehu “problemet ekzistuese” në marrëdhëniet dypalëshe për të cilat puna vazhdon. Në veçanti ai u ndal tek situata e vështirë në Ukrainë duke uruar që së shpejti pala katolike të ndërmarrë hapa konkretë. ...