E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbi amnistinë fiskale

Rexhep Meidani 10 vjet më parë!  Afro 10 vjet më parë, kam hedhur idenë e një amnistie  fiskale për biznesin, në kushtet e një tranzicioni pa rregulla apo me rregulla  të dobëta, por jo për “biznese” e para të pista, të ardhura nga politika, abuzimi e evazioni i mbështetur prej saj apo nga trafikimet e llojeve të ndryshme (armëve, drogës, qenieve njerëzore, etj.). Në hedhjen e kësaj ideje, pa dyshim, kisha parasysh jo vetëm nivelin e ulët të korrupsionit të qeverisjes së kohës, pamundësinë kohore për shkelje të rënda financiare, por dhe nisesha nga situata mjaft e favorshme e Shqipërisë, nga imazhi i saj në skenën globale, nga vlerësimi i lartë ndërkombëtar ndaj qeverisë e qytetarëve të Shqipërisë në përballimin, solidaritetin dhe kontributin e veçantë të tyre gjatë krizës së Kosovës. Po ashtu, në logjikën e kësaj ideje qëndronte dhe gatishmëria e qartë e institucioneve financiare ndërkombëtare për të këshilluar, ndihmuar e mbështetur ekonominë shqiptare të pas luftës së Kosovës. Por, siç dhe pritej, një pjesë e “politikës së biznesit” apo e “biznesit të politikës”, e trembur nga lakuriqësia e saj para opinionit publik të brendshëm dhe të jashtëm, iu turr me egërsi vetë idesë. Me sa duket, diku në politikën qeverisëse apo ish-qeverisëse u prekën jo pak kallo, që ushqyen si ortek një sulm gjoja “ndershmërie”, sa spekulativ, po aq dhe të ashpër e kërcënues. Duke bllokuar një proces të domosdoshëm në përgatitjen e aspekteve legjislative e strukturore për vetë amnistinë fiskale apo atë të kapitalit... Një amnisti fiskale në kushte krize!? Nuk mohohet se një element i parë, mjaft i rëndësishëm, është reformimi e fuqizimi i sistemit rregullator, sidomos i mirëfunksionimit të organeve tatimore e doganore. Gjë që nënkupton dhe situata të favorshme larg kushteve të një krize të brendshme apo të jashtme. Madje, ndryshe nga rasti italian, një amnisti fiskale në situata krize ekonomike-financiare mund të rezultojë tepër problematike e shqetësuese! Po aq e rëndësishme është çështja e besimit të biznesit dhe e vetë qytetarëve mbi qeverisjen dhe hallka konkrete të saj. Parë në një optikë më të gjerë, një kusht thelbësor për vendimmarrjen politike mbi aministinë fiskale është stabiliteti politik dhe institucional. Pra, në përgatitjen dhe realizimin e një amnistie të tillë kërkohet një ekuilibër i gjithanshëm, që e bën më të pranueshëm këtë amnisti në sytë e qytetarëve dhe të partnerëve ndërkombëtarë, por jo situata konfliktuale midis forcave politike kryesore. Aq më keq, kur bëhet fjalë për një bllokim të jetës politike në planin parlamentar. Përfshirë dhe përplasjet e paprincipta në nivelin vendor deri në mosmiratim të buxhetit të mjaft bashkive të mëdha. E thënë ndryshe, miratimi ligjor e strukturor i një iniciative mbi amnistinë fiskale kërkon e nënkupton dhe konsensus të forcave politike, përfshirë mirëkuptimin, mbështetjen dhe seriozitetin e biznesit dhe strukturave të tij. Përndryshe, një rotacion pushteti mund të krijojë situata të vështira. Sidoqoftë, në asnjë rast, nuk mund të shërbejë amnistia fiskale për t’i shërbyer një arke të boshatisur të Qeverisë, nëpërmjet aktivizimit të burimeve shtesë, të padeklaruara apo të fshehta, të brendshme apo të jashtme. Dhe, mbi të gjitha, jo kur perceptimi qytetar apo opozitar mbi korrupsionin politik dhe qeveritar është tejet i lartë! Atëherë pse ofrohet kjo amnisti në kushte të tilla?... Moraliteti fiskal dhe skema amnistieSkemat e ndryshme të amnistisë, p.sh., për taksën e të ardhurave, lidhen ngushtë me moralitetin fiskal. Në përgjithësi, çdo tip amnistie ka pjesën e saj të mirë dhe të keqe në ndërfaqen qeveri – biznes apo ndërfaqen qeveri-qytetar. Më problematike janë ato praktika shqetësuese, në të cilat amnisti të ndryshme mund të reduktojnë apo eliminojnë virtualisht efektet frenuese  mbi persona e kompani, deri duke cenuar moralitetin fiskal të tyre. Pse jo dhe duke kultivuar një shkurajim masiv për të vepruar brenda kornizave legale e limiteve fiskale, pikërisht duke e ditur se, në mënyrë periodike, ata mund të çlirohen nga detyrime e tyre publike. Po ashtu, në nivelin e biznesit, situata të tilla mund të provokojnë një kompetivitet apo garë të padrejtë, krejt të pandershme midis kompanive dhe individëve. Përfshirë dhe vonesat apo reduktimet lehtësuese në realizimin e detyrimeve ndaj shtetit. Prandaj, përveç të qenit praktik e elastik, shteti duhet ta ketë si një prirje të tij inkurajimin e moralitetit fiskal, kultivimin dhe mbështetjen e tij. Për më tepër, në të gjitha rastet, motivimi real prapa amnistive fiskale duhet të shoqërohet me rregulla, shpjegime e synime transparente, me kufizime të qarta dhe, mbi të gjitha, që nga amnisti të tilla të mos përfitojë në asnjë mënyrë politika (qoftë dhe në mënyrë të tërthortë!) apo “bizneset e pista”. Thelbi i një amnistieThelbi i një amnistie është deklarimi vullnetar i të ardhurave për një periudhë të dhënë kohore, ndërsa për evazionin përkatës paguhet një përqindje (minimale) e përcaktuar në ligj apo sistemin rregullator të amnistisë. Në këtë mënyrë, me këtë pagesë përgjithësisht modeste, biznesmeni e çliron veten nga taksat e evaduara. Apo, çdo person, që u është shmangur taksave ose e ka fshehur (ka mbajtur sekret) fitimin, mund të çlirohet kështu nga investigimi e penalizimi, dhe së fundi nga gjykimi. Kjo është, pra, falja apo amnistia fiskale, për një periudhë të dhënë. Në përgjithësi, në mënyrë qeveritare-parlamentare, ofrohet një sistem rregullator, një ofertë me anë të cilës një pjesë e politikës mund të shpëtojë dhe veten, kurse, nga ana tjetër, një ofertë e tillë krijon, më saktë pretendon, mundësitë e “urës së duhur drejt një vjelje të ndershme të taksave”.  Po ashtu, si targete të amnistisë fiskale janë dhe kapitale (asete të kapitalit, që janë investuar apo depozituar jashtë vendit) dhe që tashmë duhet të rikthehen brenda vendit në mënyrë legale. Siç u tha dhe më sipër, disa hapa të nevojshme për amnistinë janë: 1. Plotësimi i një formulari amnistie për një periudhë të dhënë, lloji dhe niveli i të ardhurave që duhen plotësuar aty, që lidhen me evazionin përkatës (shuma monetare e vlerës së evaduar, e lidhur me këtë dhe pagesa përkatëse e vetëvlerësuar), argumentimi i rritjes së kapitaleve, dhurimeve, kapitaleve e pronave të trashëguara. 2. Pagesa e detyrimit të përcaktuar, koha e domosdoshme për të, etj.  3. çlirimi nga investigimi e penalizimi, mos bërja publike e informacionit përkatës, personat e përjashtuar, etj. 4. Rritja e ndershmërisë së qytetarëve ndaj detyrimeve dhe e kontrollit më të mirë të veprimtarisë së tyre. Së fundi, një problem në vete është dhe taksimi apo jurisdiksioni i taksimit mbi biznese pa prani fizike. Përgjithësisht, në të kaluarën programet e amnistisë fiskale (të amnistisë së taksave) kanë dëshmuar një gjenerim të sasisë së mëdha të të ardhurave prej këtyre programeve. Sidoqoftë, aplikimi i amnistisë, nuk do të thotë shmangie e auditit, madje, në shumë raste, ai është i domosdoshëm. Disa shembuj    - Në vitin 2005, presidenti Viktor Yushchenko shpalli një “amnisti për kapitalin” për ta bërë ekonominë ukrainase sa më transparente. Madje, midis të tjerash, ai, që në atë kohë, deklaroi: “Ne jemi gati për të realizuar një amnisti për kapitalin dhe një amnisti fiskale, sepse më së fundi, ne duam të ç’hijëzojmë ekonominë”. Pra, sipas tij, kërkohej një ripërcaktim i politikës përkundrejt biznesit vendor e ndërkombëtar, duke shmangur persekucionin, duke zhvilluar rregulla të qarta nga agjenci rregullatore, duke rishikuar funksionet e këtyre agjencive dhe përfshirë reformën administrative. Por, dhe nga ajo nuk shpëtoi aspak ekonomia e politika ukrainase. Madje, përkundrazi, me një “gufim” në rritje të korrupsionit politik e ekonomik.    - Në vitin 2007, në Moldavi u miratua një bashkësi ligjesh mbi amnistinë fiskale, legalizimin kapital dhe një reformë të sistemit të taksave.  - Në vitin 2009, në Itali, u shpall po ashtu një amnisti fiskale. Sipas saj, pritet, që një shumë prej afro 100 miliardë eurosh, të mbajtura jashtë Italisë, të “riatdhesohen” nën një tip amnestie tatimore, që hyri në veprim në shtator. Një shumë prej afro 80 miliardë eurosh ka deklaruar dhe vetë Ministri i Financave, Tremonti (Giulio Tremonti). Për më tepër, sipas Tremontit: “Akumulimi i fondeve të riatdhesuara ka tejkaluar kapacitetin e tonë për t’i absorbuar ata; kjo është arsyeja që ne ishim të detyruar ta shtrijmë në kohë (deri në prill) këtë amnisti”. Deri në mes-dhjetor, sipas ligjit përkatës të amnistisë, taksimi ka kapur një vlerë prej 5.0% të fondeve të përfshira, më tej kjo taksë do të ngrihet deri në vlerën 6.0%  deri në fund të shkurtit, duke arritur shifrën prej 7.0%, deri në përfundim të programit në fund të prillit. Nga ky riatdhesim pritet të fitohet një shumë prej afro 5.0 miliardë eurosh për financat e shtetit... Në fakt, sipas Qeverisë italiane, kapitali i plotë i qytetarëve italianë, i ruajtur në mënyrë jo legale jashtë Italisë, është afro 300 miliardë. Të paktën, një e tretë e kësaj paraje ka shumë mundësi të depozitohet në bankat zvicerane. Duke raportuar një numër prej afro 29 000 qytetarësh italianë që janë formalisht rezidentë të “parajsave fiskale”, si San Marino dhe Monako. Kështu priten afro 100 miliardë euro të rikthehen në Itali, që nënkupton afro 5 miliardë euro për shtetin. Qeveria konservatore ka premtuar të shfrytëzojë këtë kapital monetar për të zhvilluar projekte të infrastrukturës,  përfshirë një mega-urë që do të bashkonte Sicilinë si ishull me pjesën tjetër të Italisë si gadishull, rinovimin e dy aeroporteve kryesore apo për të reduktuar pjesërisht borxhin publik. Sipas Guerrierit: “ka shumë diskutime për gjëra që mund të ndërtohen me këtë mbulesë fiskale, por, nga ana tjetër, në vazhdimësi, ne mund të mos arrijmë ta ndërtojmë këtë infrastrukturë, thjesht për arsye të evazionit tatimor”.... Amnisti në dëshpërim apo domosdoshmëri fiskale!Pak kohë më parë, kur disa dhjetëra mijëra italianë morën një letër nga zyra e taksave, ata e ndjenë veten të lehtësuar. Për më tepër, ata u paralajmëruan me “xhentilesë” për deklarimin e parasë të depozituar e mbajtur në mënyrë ilegale jashtë vendit (apo diçka të ngjashme) dhe riatdhesimi i saj. Qëllimi kryesor ishte nevoja, deri në dëshpërim, e qeverisë italiane për tërheqje të kapitalit në Itali dhe përfshirja e tij në rimëkëmbjen ekonomike. Pra, programi i quajtur “Scudo Fiscale” (“mbulimi apo mbrojtja fiskale”) u lejon qytetarëve të sjellin në Itali paranë e fituar në kushte parajse tatimore apo “offshore”. Dhe, mbi të gjitha, për të ruajtur anonimatin (e personit apo shoqërisë); duke mënjanuar sanksionet për evazionin fiskal të mëparshëm. Ajo që kërkohet është, pra, zhvendosja e parave të tyre në llogari bankare italiane (brenda vendit), brenda një kohe të shkurtër disa mujore. Shtojmë se, sipas kritikave, ky plan është i fundit në listën e gjatë e amnistive, që kanë krijuar në Itali kulturën e evazionit tatimor për italianët e pasur. Kështu, sipas profesorit të La Sapienza-s, Paolo Guerrierit: “Ideja, në teori, është për t’u dhënë njerëzve një shans të fundit, prandaj duket dhe si një masë emergjence...Ndërsa, në praktikë, kjo është një nxitje evazioni tatimor. Në Itali, lloje të tilla “masash emergjente” janë aq të shpeshta sa që njerëzit e dinë se mund të presin thjesht për një amnisti të ardhshme. Por, kjo është një fyerje për qytetarin e ndershëm”. Gjithashtu, ata që kanë llogari ilegale në banka të huaja, me këtë rast, gjejnë një incentivë ekstra, një avantazh konkret në kuadër të kësaj amnistie, sidomos me ndryshimet (lehtësimet) e rregullave të sekretit në bankat zvicerane, që mundësojnë kapjen e evazionit jashtë Italisë. Për më tepër, në Samitin e marsit të G20 autoritetet zvicerane kanë rënë dakord të kooperojnë me vende të tjera për shmangien e evazionit të taksave. Duke ndjekur këto ndryshime në politikën zvicerane, shumë vende evropiane janë duke miratuar masa konkrete për riatdhesimin e kapitaleve në vendet e tyre. Kështu, Franca dhe Britania e Madhe kanë ofruar lehtësime ndaj atyre që transferojnë në llogari vendore (në bankat e vendit) paratë e depozituara jashtë. Por, ato nuk garantojnë anonimatin, apo nuk marrin përsipër shlyerjen e evazionit të mëparshëm. Për Geurrierin, shumë vende evropiane kanë ende nevojë për likuiditet, por rasti i Italisë është më unik sepse në këtë rast: “ofrohen reduktime apo heqje penalitetesh me shlyerje të krimit”. Për më tepër, sipas tij, “kështu, ne po pranojmë mundësinë e ndërtimit të një sistemi fiskal të shëndetshëm në këmbim të një përfitimi të menjëhershëm...dhe eventualisht ne po paguajmë çmimin. Nuk është fare çudi që Italia ka përqindjen më të lartë të evazionit të taksave në kontinent”...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›