E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-kryeparlamentarja Pivetti u kërkon ndjesë familjarëve të viktimave të Otrantos

Një përfaqësi e shoqatës së viktimave të Otrantos nuk e kanë pritur mirë ardhjen e saj në Vlorë, ndërsa Irene Pivetti ka ardhur si përfaqësuese e një OJF-je

VLORË Familjarë të viktimave që u mbytën bashkë me anijen Kateri i Radës, 14 vjet më parë në Otranto, kanë protestuar kundër vizitës që po realizon në Vlorë ish-kryetarja e Parlamentit italian, Irene Pivetti. Ish-kryeparlamentarja italiane, nga Vlora, u ka kërkuar familjeve të viktimave falje publike për deklaratën e bërë 14 vjet më parë. E ndodhur në Vlorë në një takim me prefektin Eduart Vecani, Pivetti është gjendur para kontestimit të familjarëve të viktimave ndaj vizitës së saj.

Akuza

Ndërsa u prit dje rekordi për kalimin me not të Adriatikut nga Massimo Voltolina, prezenca e ish-parlamentares Irene Pivetti nuk është pritur me dashamirësi nga përfaqësues të shoqatës së familjarëve të viktimave të Otrantos. Ish-zyrtarja italiane, tani përfaqësuese e një shoqate jofitimprurëse që ndodhej në Vlorë për të pritur mbërritjen e notarin italian, ka marrë takime me prefektin e Vlorës dhe kreun e Dhomës së Tregtisë. Por i paparashikuar ka qenë për të takimi me përfaqësues të shoqatës së Otrantos. Tre përfaqësues të saj kanë pritur para Dhomës së Tregtisë mbërritjen e Pivettit. "Ti je antishqiptare dhe nuk je e mirëpritur në tokën tonë”- tha në emër të shoqatës kreu i saj, Pushime Çala. “Ardhja jote këtu ka helmuar tokën shqiptare dhe zemrat tona. Vetëm tri ditë para se të mbytej Katëri i Radës, ti kërkove të mbyten shqiptarët dhe ne sot kërkojmë të paktën t'i përgjigjesh pyetjes: ‘Pse i urren kaq shumë shqiptarët? Ne i nderojmë miqtë, kemi miq italianë, por ty jo. Ti je antishqiptare dhe prezenca jote na risjell kujtimet e të afërmve të mbytur’, i ka thënë Çala.

Përgjigjja

Pivetti ka pritur qetësisht përballjen, ndërsa ka kujtuar se tashmë shumë kushte kanë ndryshuar. Ajo shpjegoi marrëdhëniet e saj miqësore me Shqipërinë si dhe interesimin për të, ndërkohë që këmbënguljes së përfaqësueses shqiptare i është përgjigjur më pas duke kërkuar deri ndjesë. Pivetti shprehu keqardhjen për tragjedinë e Otrantos, por tha se ajo si person nuk i urren shqiptarët, vetëm se deklarata u bë në një kohë kur 2 vendet kishin marrëdhënie shumë të tensionuara. “Kërkoj falje për deklaratat e nxituara. Mua më vjen keq, shumë keq për atë çka u ndodhi familjeve tuaja dhe juve personalisht. Nuk mund të qëndrosh indiferente ndaj një dhimbjeje të tillë, si në Shqipëri, Itali apo vende të tjera. Unë jam e nderuar për këtë takim, sepse ashtu siç kam bërë dhe herë të tjera, dua të shpreh dhimbjen dhe solidaritetin ndaj popullit shqiptar sot, për atë ditë. 20 vjet më parë marrëdhëniet mes dy vendeve kanë qenë të ndryshme, kishte një klime e tension të lartë politik dhe jo vetëm politik. Nga ana ime dhe e shumë të tjerëve nuk ka patur një nënkuptim agresiv, por ka qenë një pakënaqësi. Nuk ka patur asnjë urrejtje nga an ime për shqiptarët, ishte thjesht një tension i fortë politik mes dy vendeve. Besoj se çdo shqiptar me vullnet të mirë do e kuptonte këtë”, u shpreh Pivetti në takimin me zonjën Çala.

Në fund ish-kryeparlamentarja italiane i kërkoi zonjës Çala një shtrëngim duarsh, gjë që nuk u pranua nga gruaja shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›