E Diel, 1 Nëntor 2026

Krimet e Rënda e shpallin të pafajshme, policia e arreston

SHKRUAN: Thimi Samarxhi 06-09-2011 13:02

Tiranë Edhe pse kanë kaluar afro katër muaj kur 32-vjeçarja Rudina Prifti kishte fituar pafajësinë nga Gjykata e krimeve të rënda, emri i saj figuronte ende në listën e personave të shpallur në kërkim për akuzën e vjedhjes me dhunë e kryer në bashkëpunim. Prandaj ditën e djeshme, sipas burimeve nga policia e Tiranës, ajo është arrestuar pasi ishte e shpallur në kërkim. Në njoftim për shtyp të shpërndarë nga drejtoria e policisë së kryeqytetit thuhet se “ndalimi i saj u bë për arsye se kjo shtetase ka qenë e shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet të Rënda Tiranë me Vendimin Nr.226 dt.03.12.2010, ka caktuar për këtë shtetase masën e sigurimit personal “Arrest në Burg”, si e dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘Vjedhje me dhunë’ kryer në bashkëpunim”. Në fakt Rudina Prifti ishte akuzuar se me persona të tjerë ajo kishte tentuar të grabiste kunatin e saj së bashku me vjehrrën. Por për këtë ngjarje tashmë ishte dhënë vendimi i Gjykatës së krimeve të rënda, ndërsa burime zyrtare nga policia bëjnë të ditur se nuk kanë asnjë material që vërteton se 32-vjeçarja është zhveshur nga akuzat dhe se për të ka një vendim ku është shpallur e pafajshme

Vendimi i Gjykatës së Lartë

Ndërkohë, nga ana tjetër, gjyqtari Dritan Hallunaj me një vendim të datës 16 maj të këtij viti shprehet: “Deklarimin e pafajshëm të të pandehurës Rudina Prifti për kryerjen e veprës penale të ‘Vjedhjes me dhunë’ në bashkëpunim, pasi nuk provohet që e pandehura të ketë kryer veprën penale”. Po sipas këtij vendimi kërkohet heqja e masës së sigurimit “arrest me burg” për të pandehurën Rudina Prifti, masë kjo që ishte dhënë më 3 dhjetor të vitit të shkuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë. Nga ana tjetër, po kjo Gjykatë ka vendosur të shpallë fajtor dy të pandehurit e tjerë, Xhovalin Hasani dhe Fatmir Quni, duke i dënuar ata respektivisht me 4 vjet burgim dhe 400 000 lekë gjobë për Hasanin dhe me 2 vjet burgim dhe 400 000 lekë gjobë për Qunin.

Vjedhja

Ngjarja për të cilën këta persona janë gjykuar ka ndodhur më datë 9 maj të vitit të kaluar në lagjen “Kodra e Priftit”, Tiranë, e konkretisht në shtëpinë e shtetasit A.Prifti. Në këtë datë rreth orës 02:30 në lagjen “Sadik Petrela”, njihet si lagjja “Kodra e Priftit”, Tiranë, dy persona të armatosur me armë zjarri pistoletë dhe të maskuar me maska e doreza kanë hyrë në banesën e A.Priftit, banesë private, trekatëshe dhe nën kërcënimin e armëve i kanë kërkuar këtij shtetasi shumën prej 70 000 eurosh që mendohej që ky person kishte të fshehur në banesën e tij. Pasi kanë mbajtur nën kërcënimin e armëve A.Priftin dhe nënën e tij D.Prifti, dy personat kanë arritur të marrin në banesën e tij shumën prej 3 850 Euro si dhe 30 000 lekë të reja, para që i kishte lënë në portofolin e tij. Nga shpjegimet e A.Priftit thuhej se ai jetonte në banesë së bashku me nënën e tij, nusen e vëllait të tij Rudina Prifti si dhe dy djemtë e vëllait. Prej disa vitesh vëllai i tij P.Prifti ndodhej i arrestuar në burgun e Bolonjas në Itali, i akuzuar për veprën penale të trafikut të narkotikëve. Ai dëshmon se për vendin ku ishin fshehur paratë si dhe shumën e tyre kishin dijeni tre persona ai, nëna e tij, si dhe kunata Rudina dhe në këto rrethana A.Prifti ka akuzuar kunatën e tij si të përfshirë në këtë grabitje. Pavarësisht provave të paraqitura nga ana e Prokurorisë, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi të shpallë të pafajshme Rudina Priftin, pasi nuk kishte prova që të provonin implikimin e saj në këtë ngjarje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›