Vrau bashkëshorten, mbetet në burg 23-vjeçari
SHKODËR “Arrest në burg” ka vendosur Gjykata e Shkallës Parë në Shkodër për 23-vjeçarin Eder Haxhia, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij Alberta Haxhia (Musabelliu), ngjarje kjo e ndodhur më datë 1 shtator. Para trupit gjykues të kryesuar nga gjyqtari Albano Çepeli, i dyshuari Eder Haxhia nuk ka pranuar autorësinë e ngjarjes, duke deklaruar se e kishte gjetur të plagosur gruan e tij dhe e kishte dërguar në spital. Ai është shprehur se gruaja e tij ka qëlluar veten dhe kur ka hyrë në dhomën ku ata jetonin në konviktin e shkollës industriale e ka gjetur të mbuluar me gjak në pjesën e barkut dhe ka kuptuar se ajo ka qëlluar veten. Eder Haxhia nuk i është përgjigjur pyetjeve se përse gruaja e tij ka qëlluar veten dhe pse ai ishte larguar nga banesa bashkë me armën, duke iu fshehur policisë. Përfaqësuesja e akuzës, prokurorja Françeska Lekani, ka pohuar se Eder Haxhia e ka dërguar gruan e tij në spital, ndërsa ka theksuar se ai ka treguar ku ishte gëzhoja e fishekut që shkaktoi vdekjen e 18-vjeçares. Akuza ka kërkuar arrest në burg pa afat për Eder Haxhinë, ndërsa mbrojta ka kërkuar arrest në burg me afat deri në ardhjen e rezultateve të ekspertizës së armës nga laboratori qendror i kriminalistikës në Tiranë. Trupi gjykues ka vendosur si masë sigurie atë të arrestit në burg pa afat për 23-vjeçarin Eder Haxhia.