E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drejt pezullimit hetimet për zhdukjen e Bleona Matës

SHKRUAN: Leonard Bakillari 11-04-2011 14:40

Tiranë Prokuroria mund të marrë një vendim vërtetë të vështirë, duke pezulluar hetimet për gjetjen e vogëlushes Bleona Mata, e cila u zhduk në mënyrë misterioze në maj të vitit të shkuar. Vendimi i pritshëm i Prokurorisë së Krimeve të Rënda pason një punë voluminoze e tepër të vendosur, në bashkëpunim edhe me Policinë e Shtetit, por që fatkeqësisht nuk solli rezultat në gjetjen e vajzës 7-vjeçare. Kur po mbushet rreth një vit nga zhdukja e Bleonës, organet hetimore kanë kryer thuajse të gjitha veprimet hetimore për të bërë të mundur gjetjen e saj, por nuk është siguruar asnjë provë apo element që mund të çojnë hetuesit drejt vendndodhjes së vajzës. Kërkimet në terren, pyetje e ripyetje të dëshmitarëve, bashkëpunim me organet ligjzbatuese maqedonase, verifikime e kontrolle banesash në disa qytete të vendit, si dhe përgjimin e të gjithë të dyshuarve, nuk kanë sjellë asgjë të re në dosjen hetimore, e cila do të arkivohet. Megjithatë, ky vendim nuk është i pakthyeshëm, nëse gjatë kësaj kohe do të sigurohen informacione që mund të shërbejnë për gjetjen e 7-vjeçares. Sipas burimeve mësohet se ky vendim ka ardhur pas një përpjekje të fundit të hetuesve, me shpresën se mund të siguronin diçka të vlefshme për këtë çështje. Vetëm pak ditë më parë, nëna e Bleonës, Bukurie Mata dha një deklaratë që fillimisht nxiti shpresat edhe te hetuesit, se përpjekjet e tyre gati 1-vjeçare do të finalizoheshin më në fund me gjetjen e vajzës. Por pas rimarrjes së dëshmisë së Bukurie Matës, gjithçka është kthyer në pikën zero, pavarësisht punës intensive në terren të grupit hetimor të ngarkuar me këtë detyrë. Burimet thanë se gjatë deklarimeve në prokurori, Bukurie Mata ka thënë se nuk kishte asnjë informacion real për vajzën e saj, edhe pse në media deklaroi se Bleona mbahej e fshehur në një banesë në Tiranë. E pyetur nga hetuesit, përse kishte bërë një deklaratë të tillë, nëna e vajzës së mitur është përgjigjur se kjo ishte një mundësi e shfrytëzuar nga ana e saj, me shpresën se do të kishte ndonjë informacion nga Bleona. Gjithashtu, Bukurie Mata ka pohuar se nuk ka asnjë informacion, qysh nga dita e zhdukjes së Bleonës, dhe është përpjekur me çdo mënyrë për të marrë vesh diçka për fatin e së bijës, duke bërë edhe deklarata të tilla, siç ishte ajo e para pak ditëve. Prokuroria bën me dije se vendimi për pezullimin e çështjes nuk është marrë ende, por të gjitha informacionet e mbledhura gjatë këtij hetimi, nuk kanë sjellë asgjë të re. Megjithatë, ky vendim nuk është i pakthyeshëm, nëse gjatë kohës që dosja është e pezulluar, do të sigurohen informacione që mund të ndihmojnë çështjen, atëherë hetimet aktivizohen automatikisht. Historia e zhdukjes së Bleona Matës mbetet një nga çështjet më misterioze të hetuara ndonjëherë nga drejtësia shqiptare. Pavarësisht punës së organeve hetimore, kjo çështje vazhdon të jetë e mbuluar me mister, për nga mënyra si ka ndodhur ngjarja. Bleona Mata, vetëm 6 vjeç, u zhduk nga fshati Zapod më 22 maj të vitit të shkuar, teksa ndodhej në shoqërinë e hallës dhe disa vajzave të tjera të fshatit në pyll, duke kullotur bagëtitë. Fillimisht policia shoqëroi 40 persona, sëbashku me vajzat që ndodheshin në mal në momentet e zhdukjes së vajzës së mitur, por askush prej tyre nuk dha ndonjë informacion të vlefshëm për gjetjen e vendndodhjes së vajzës. Apeli dhe thirrjet e vazhdueshme publike të familjarëve të saj, por edhe hetimet e vazhdueshme të grupit hetimor, nuk bën të mundur gjetjen e Bleonës, fati i të cilës nuk dihet ende edhe kur kanë kaluar 11 muaj nga zhdukja e saj.

22 maj 2010

Zhduket në mënyrë misterioze në fshatin Zapod të rrethit Kukës 6-vjeçarja Bleona Mata. Gjatë kësaj kohe, vogëlushja ishte nën shoqërinë e hallës së saj dhe të tre vajzave të tjera, që kullosnin bagëtitë në pyllin pranë fshatit

11 muaj pa Bleonën, dramat në familjen Mata

Historia e zhdukjes së 6-vjeçares është pasuar nga konflikte mes prindërve të saj, të cilët përveç akuzave të ndërsjellta kanë kërkuar divorcin në Gjykatë. Pak para padisë, Zamir Mata akuzoi bashkëshorten se mund të kishte dijeni mbi zhdukjen e vajzës

Tiranë Të gjithë pjesëtarët e familjes Mata gjatë 11 muajve, mendjen e kanë tek ajo, edhe vëllai i vogël Mandi nuk rresht së thirruri emrin “Bleona”. Drama në familjen Mata është e madhe, madje kjo çështje, shpesh është kthyer në objekt debati mes familjarëve. Dy prej momenteve më të rënda gjatë kësaj kohe, ka qenë datëlindja e 7-të e Bleonës, dhe kërkesa për divorc e dy prindërve të saj. Fillimisht ngjarja shokoi familjarët dhe mbarë opinionin publik, por u desh të kalonin vetëm disa ditë që zhdukja e Bleonës të kthehej në debat mes banorëve të shtëpisë. Prania e hallës së Bleonës në momentet e zhdukjes së saj, por edhe dëshmitë e vajzave të tjera, nuk dhanë asnjë detaj mbi personat që mund të kenë rrëmbyer 6-vjeçaren. Hetimet e prokurorisë dhe pyetja e pesë vajzave gjithashtu nuk solli asgjë të re për çështjen, çka do të pasonte akuza të drejtpërdrejta të nënës së Bleonës, mbi pesë vajzat e fshatit Zapod. Bukurie Mata do të akuzonte kunatën e saj, si dhe katër vajzat e tjetra si të përfshira drejtpërdrejt në zhdukjen e vajzës së saj. Pas këtyre konflikteve, të artikuluar jo vetëm publikisht, mes çiftit Mata fillojnë problemet e para. Pak muaj më parë, kur policia dhe prokuroria ishin në kulmin e hetimeve, Bukurie dhe Zamir Mata kërkojnë divorcin në Gjykatën e Kukësit. Mjaftoi një seancë gjyqësore, që çifti Mata të hidhte akuza reciproke ndaj njëri-tjetrit, si të përfshirë në zhdukjen e vajzës së tyre. Zamir Mata akuzoi të shoqen se ditën që është zhdukur Bleona, bashkëshortja e tij është larguar disa orë nga banesa, me sqarimin që po shkonte për të punuar tokën. Pas kësaj, sipas Zamir Matës, gruaja e tij nuk ka punuar asgjë në arë. “Atë ditë ime shoqe ka folur mbi gjashtë orë në telefon, unë nuk e di se me kë ka folur”, - ka deklaruar Zamir Mata. Edhe pse procesi i divorcit të çiftit Mata është ende në Gjykata, Bukurie Mata akuzoi sërish kunatën e saj dhe vajzat e tjera për zhdukjen e Bleonës. Ajo tha se ka bërë pesë herë padi ndaj tyre, por asnjë prej institucioneve shtetërore nuk e ka marrë seriozisht këtë çështje. Këmbëngulja e saj ka të bëjë me faktin, se në momentin e zhdukjes së Bleonës kanë qenë të pranishme 5 vajza, por asnjëra prej tyre nuk ka dhënë informacione të sakta për mënyrën se si u zhduk vajza 6-vjeçare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›