E Diel, 1 Nëntor 2026

Vala 43 mbledh në konton e AKP-së mbi 6 milionë euro

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) në valën e 43-të, ka hapur ofertat për 16 ndërmarrje të reja me spin-off të rregullt, duke mbledhur në konton e vet edhe 6.333.425 euro, por vetëm për 10 sosh ka pas oferta, ndërsa për 6 ndërmarrje nuk ka pas asnjë ofertë dhe për këtë tash vendos Bordi i AKP-së.

Zëvendësdrejtoresha e AKP-së, Mrika Tahiri, ka thënë se deri më tash janë privatizuar 576 ndërmarrje dhe nga ky privatizim në konton e AKP-së janë derdhur mbi 464 milionë euro.

Çmimin më të lartë gjatë këtij raundi të privatizimit e ka arritur ndërmarrja e re “Morava e Binçës”-Gurthyesi nga Gjilani, e cila është shitur për 2.345.678 euro, ndërsa ndërmarrja e re “Shitorja Mulliri” Ferizaj është shitur për 22.220 euro.

Ndërmarrjet që nuk kanë pas asnjë ofertë janë ndërmarrja e re “Llamkos”, “Çyçavica” Shitorja Metrazha, “Universal” Qendra Tregtare dhe Universal Depoja, të gjitha këto në regjionin e Mitrovicës. Po ashtu për ndërmarrjen “Fryti” nga regjioni i Prishtinës dhe për ndërmarrjen e re “Strezovci dhe Oborri” nga regjioni i Gjilanit nuk ka pas asnjë ofertë.

Për 6 ndërmarrje nuk ka pas asnjë ofertë dhe për këtë çështje do të vendosë Bordi i AKP-së.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›