E Diel, 1 Nëntor 2026

Projekt ndërajonal për burimet ujore, energjinë dhe mbrojtjen e liqenit të Shkodrës dhe lumit të Bunës

Një projekt ndërrajonal, si nismë e Akademive të Shkencave të Shqipërisë, Malit të Zi dhe ministrisë së Planifikimit Hapësinor të Kosovës, ka përfshirë të ardhmen e burimeve ujore, energjisë, mbrojtjes së mjedisit të liqenit të Shkodrës dhe lumit Buna. Projekti u prezantua sot gjatë një konference, organizuar për këtë qellim nga Instituti i Ujit dhe Energjisë pranë Universitetit Politeknik të Tiranës, në prani dhe të ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Fatos Beja. Nëndrejtori i Institutit të Ujit dhe Energjisë, Bashkim Lushaj, shpjegoi se konferenca bazohet në një projekt dhe marrëveshje mes qeverive të Shqipërisë, Malit të Zi dhe Kosovës, që ka në qendër, kërkimet studimore që po bëjnë institucionet përkatëse të tre vendeve. Sipas tij, projekti ka si qëllim, kryerjen e studimeve me konkluzionet përkatëse për burimet ujore, energjetike dhe mbrojtjen e mjedisit të liqenit të Shkodrës dhe lumit Buna. Në konferencë u prezantuan studimet e kryera për energjinë, ujin dhe mjedisin, si dhe u shkëmbyen mendime për të ardhmen e tre problemeve, shumë të rëndësishme për vendin tonë, Kosovën dhe Malin e Zi. Projekti synon që në përfundim, të nxjerrë konkluzionet shkencore për mundësinë e përdorimit të ujrave të bollshme të liqenit të Shkodrës dhe lumit të Bunës, për prodhimin e energjisë, por pa dëmtuar mjedisin. Prof.Molnar Kolaneci vlerësoi faktin se pavarësisht përpjekjeve të bëra, deri tani nuk ka një studim tërësor për liqenin e Shkodrës nga pikëpamja hidrografike e batimetrike ashtu edhe regjimit ujor të tij. "Projekti bilateral me nismën e dy Akademive të Shkencave të Shqipërisë dhe Malit të Zi, ka për qëllim, evidentimin e regjimit hidrometeorologjik të territorit hidrografik të këtij liqeni, të  vlerësojë veçoritë klimatike e hidrologjike, mbi të cilat mbështetet modelimi hidraulik dhe masat e ndërhyrjeve inxhinerike", nënvizoi Kolaneci. Prof.Niko Pano duke folur për historikun dhe vlerat e liqenit të Shkodrës, vlerësoi se është një nga liqenet më të mëdhenj të Ballkanit, një kompleks hirologjik hidraulik mjaft i komplikuar pasi shkarkohet nëpërmjet Bunës, por bashkohet më poshtë me lumin Drin. "Kompleksi i liqenit të Shkodrës paraqet një potencial të madh hidroenergjetik dhe më gjerë si psh për ujitje, peshkim, etj, madje synohet që lumi Buna të bëhet i lundrueshëm sic ka qenë më parë", tha Pano. Liqeni i Shkodrës me një sipërfaqe të përgjithshme prej 368 km2, prej të cilave 149 km2 përfshihen brenda territorit të Shqipërisë, është liqeni me sipërfaqen më të madhe jo vetëm në vendin tonë, por në gjithë gadishullin Ballkanik. Ai është pozicionuar në kufirin midis Shqipërisë dhe Malit të Zi dhe dhe luan rolin e një rregulluesi natyror të rrjedhjes së përgjithshme ujore të lumit Buna.Tërësia ujore Liqeni i Shkodrës-Lumi Buna- Lumi Drin formon një sistem të vetëm hidrografik që grumbullon ujërat e një pellgu, me sipërfaqe të përgjithshme prej 19582 km2.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›