Pasditen e sotme zhvillohet seanca e fundit parlamentare

Seanca plenare në Kuvend, që do të mblidhet pasditen e sotme përfshin votimin e dy projektligjeve, "Për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative dhe organizimin e drejtësisë administrative", si dhe p/ligjin "Për ndryshimin e emrit të fshatit Qendër Komunë". Projektligjet në fjalë u diskutuan seancën e së hënës, por nuk u miratuan, pasi opozita braktisi punimet e seancës duke penguar miratimin e tyre që kërkonin 84 vot. E ndërkohë në seancën e sotme pritet të miratohet edhe ministri më i ri kabinetit Berisha.
Projektligji për “Gjykatën Administrative”
Projektligji "Për gjykatat administrative", një nga më të rëndësishmit e reformës në drejtësi, pritet të miratohet të enjten në seancë në Kuvend. Projekti i hartuar nga Ministria e Drejtësisë dhe i asistuar nga ekspertë të misioneve ndërkombëtare parashikon krijimin e rrjetit të gjykatave administrative me qëllim mbrojtjen e biznesit nga rastet abuzive të administratës shtetërore, si dhe parandalimin e zvarritjeve në gjykime. Sipas p/ligjit, gjykatat administrative do të nisin funksionimin e tyre në janar të vitit të ardhshëm. Gjykatat administrative të shkallës së parë do të organizohen së paku në numër dhe për territor të barabartë me atë të gjykatave të apelit. Ato do të zhvillojnë seancat e gjykimit edhe në rast se palët do të mungojnë, por kanë detyrimin që t'i njoftojë patjetër ato. Gjykata e Apelit Administrativ gjykon me trup gjykues të përbërë nga pesë gjyqtarë për paditë ndaj aktit nënligjor normativ dhe nga tre gjyqtarë për çështjet e tjera. Për këtë qëllim projekti parashikon që çështjet në këtë gjykatë të përfundojnë brenda dy muajve, (një muaj në gjykatën e shkallës së parë dhe një muaj në apel), një periudhe kohore shumë e shkurtër. Nisma e Ministrisë së Drejtësisë "për gjykatat administrative" ka nisur fillimisht si bashkëpunim i saj me një projekt të BE-së, për të bërë të mundur sjelljen e modelit dhe përvojës më të përparuar në perëndim, në krijimin e sistemit të gjykimit administrativ. Kontribut në hartimin e p/ligjit kanë dhënë dhe ekspertët të sistemit gjyqësor, shoqatat e gjyqtarëve, KLD, shoqata të biznesit, bankave etj. Komuniteti i biznesit kërkoi miratimin gjatë këtij sesioni të p/ligjit "Për Gjykatat Administrative", duke e konsideruar atë si një mundësi për shqyrtimin në kohë dhe me efektivitet të çështjeve administrative. Sipas tyre, miratimi i këtij p/ligji i jep fund afateve të tejzgjatura dhe mungesës së specializimit në trajtimin e tyre, probleme, me të cilat bizneset ndeshen shpesh. Kuvendi shtyu të hënën miratimin në seancë plenare këtë p/ligj, për shkak të mungesës së kourumit të nevojshëm, pasi opozita braktisi sallën e Parlamentit.
...