E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-ministri i Kulturës së Kosovës akuzohet nga Haga

I qetë, pa e prishur terezinë, Astrit Haraçia thotë se së shpejti niset për në Hagë. Njeriu për të cilin akuzohet nga Tribunali se ka punuar në favor të tij, tashmë ka fituar pafajësinë, por ish-ministri i Kulturës duket se do t‘i zërë vendin në qelitë e gjyqit ndaj krimeve në ish-Jugosllavi. Prokurorët e Tribunalit kanë ngritur akuza ndaj dy shqiptarëve të Kosovës, Haraçisë dhe Bajrush Morinës, ish-gazetar dhe punonjës në Ministrinë e Kulturës për kërcënim dëshmitarësh në procesin gjyqësor ndaj ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.

Sipas aktakuzës, korrikun e shkuar, Haraçia dhe Morina ishin përpjekur të kërcënonin një dëshmitar të mbrojtur të procesit, i cili pritej të dëshmonte kundër Haradinajt. Dëshmitari me emrin Nafiz Ramabaja gjendej në Suedi dhe ishte një i njohuri i Haraçisë, edhe pse ky i fundit e mohon këtë. Sipas mediave, ai kishte njoftuar Tribunalin për takimin që i kishte kërkuar "i dërguari" i ministrit dhe kishte vënë mjete përgjimi ku ishte regjistruar e gjithë biseda. Më pas, Bajrush Morina është thirrur në zyrën e Tribunalit në Prishtinë dhe pasi kishte dëgjuar regjistrimin, kishte treguar se kush e kishte dërguar. Mesazhi në emër të ministrit Haraçia dhe familjes Rugova që i ishte përcjellë dëshmitarit është: "Mos bëj atë që nuk duhet ta bësh". Po kështu kishte porositur që të ç‘tensionohet situata mes krahëve politikë në Kosovë. Morina, duke mos pasur dijeni që po përgjohej, kishte folur hapur se kush e kishte dërguar. Disa muaj më vonë, ish-ministri, atëherë ende në këtë post, u mor në pyetje në zyrën e Tribunalit në Prishtinë. Ai nuk e ka pranuar akuzën për kërcënim të dëshmitarëve dhe thotë se është i pafajshëm. "Unë i besoj drejtësisë dhe do t‘i përgjigjem ftesës së Hagës", deklaron ai.

Sipas aktakuzës, Haraçija ishte një nga tre bashkëthemeluesit e "Komitetit Mbrojtës për Ramush Haradinajn" dhe sapo kishte mësuar për identitetin e dëshmitarit e kishte instruktuar Morinën të udhëtonte te shtëpia e dëshmitarit. Në aktakuzë thuhet se paratë e udhëtimit janë paguar nga Ministria e Kulturës. Sipas mediave, në këtë çështje ishte përfshirë edhe numri i dy i UNMIK-ut, Steven Schook. Ai, sipas disa burimeve, ka bërë të ditur identitetin e dëshmitarit, gjatë një takimi me Haraçinë në Gjakovë. Steven Schook u largua nga UNMIK-u pasi OKB-ja nuk ia vazhdoi kontratën. Në morinë e akuzave bënin pjesë edhe raportet miqësore më të akuzuarin për krime lufte në atë kohë, Ramush Haradinajn. Në një intervistë për "Shqip", ish-ministri rrëfen pozicionin e tij...

Zoti Haraçia, a keni marrë ftesë zyrtare apo njoftim nga Tribunali i Hagës në lidhje me aktakuzën që është ngritur kundër jush?

Jo, deri në këtë moment nuk kam marrë aktakuzë nga Tribunali, por më kanë njoftuar vetëm javën e kaluar. Më kanë kërkuar adresën e saktë se ku banoj dhe jetoj. Asgjë më tepër nuk kamë marrë, veç asaj që kam dëgjuar në media dhe kam parë nëpër faqet e internetit.

Ju prisni që të vijnë t‘ju arrestojnë?

Nuk besoj se ka nevojë të më arrestojnë, pasi unë nuk po iki askund. Unë jam në Prishtinë, adresën ku jetoj e dinë, numrin e telefonit e kanë, kështu që nuk besoj se pres të vijnë e të bëjnë spektakël, pasi nuk ka nevojë.

Si erdhi situata deri te kjo aktakuzë?

Në aktakuzë shkruhet, sipas një personi, që kam kërcënuar dëshmitarë për rastin Haradinaj.

A është e vërtetë kjo?

Jo, nuk qëndron absolutisht ajo që thuhet, por e drejtë e gjithkujt është ta thotë mendimin e tij, por unë besoj në organet e drejtësisë dhe besoj që do të jem i pafajshëm.

Ndërkohë që ju pritet të shkoni në Hagë, Ramush Haradinaj, personi për të cilin akuzoheni se e keni mbështetur, gjendet në liri. Si e vlerësoni ju këtë?

Unë jam shumë i lumtur që të gjithë fituan lirinë. Kanë mbetur atje edhe Lahi Brahimaj dhe Balaj, më vjen shumë keq për ta, por unë besoj që lufta e Ushtrisë Çlirimtare ka qenë luftë e drejtë dhe duhet të jenë të gjithë të lirë, jo vetëm Ramushi dhe Fatmir Limaj, por edhe të tjerët që janë atje duhet të kthehen sa më shpejt. Duke pasur parasysh që ne kemi qenë një popull i robëruar, nuk kemi tentuar ta sundojmë një popull tjetër, por kemi luftuar për liri.

A ka qenë i përfshirë z. Steven Schook në këtë aferë nëse vërtetohet?

Absolutisht jo, z. Steven Schook e kam takuar vetëm dy herë, në koktej, dhe nuk e di se nga ka ardhur ideja që Steven Schook është i përfshirë në këtë aferë

Një nga pikat e akuzës është se ju jeni bashkëthemelues i Komitetit për Mbrojtjen e z. Haradinaj dhe e keni mbështetur atë. Si e vlerësoni ju këtë akuzë?

Për mua ka qenë nder të jem bashkëthemelues, sepse ka qenë vendim i të ndjerit President Rugova që të marr pjesë si përfaqësues i Lidhjes Demokratike të Kosovës në mënyrë që lufta çlirimtare e vitit ‘98-‘99 të bëhet sa më reale. Kështu që në asnjë moment nuk e ndjej veten keq pse kam qenë në atë fond. Ndihem i nderuar.

Dëshmitari i cili thotë se ju e keni kërcënuar, pra i keni dërguar mesazhe kërcënimi, ka dëshmuar në Hagë kundër Ramush Haradinajt, pavarësisht nga kërcënimi...

Kjo është absurde për mendimin tim. Unë atë njeri nuk e kam takuar kurrë dhe nuk e njoh edhe nëse del në rrugë. Është e drejtë e tij ajo që ka bërë, por besoj që drejtësia do të fitojë sërish.

Personi tjetër, Bajrush Morina, akuzohet se ka përcjellë mesazhin tuaj. Sa e vërtetë është kjo?

Ai nuk ka përcjellë mesazhe të mija, sepse po të kisha arsye, isha takuar vetë me të, por prapë se prapë është e drejtë e tij. Unë e di që Bajrush Morina ka punuar në Ministrinë e Kulturës kur kam qenë ministër. Në të njëjtën kohë ai ka qenë edhe redaktor në gazetën "Bota Sot", dhe kontaktet e intervistat e tij që i ka bërë edhe shumë më herët, i kam parë në shtyp, por asgjë nga kjo nuk qëndron.

Pse ka përdorur emrin tuaj në bisedën që është regjistruar nga dëshmitari i mbrojtur?

Unë nuk e kam dëgjuar atë bisedë dhe deri në këtë çast për mua të gjitha këto janë vetëm supozime.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›