Mesiç, rrëfimi i "elefantit" të Ballkanit
Presidenti Stipe Mesiç viziton Tiranën menjëherë pas ftesës në NATO. Ai jep një intervistë për emisionin "Exclusive", drejtorit të Informacionit, Sokol Balla. "Për herë të parë kam vizituar Tiranën në vitin 1991, pas kësaj vizite kam qenë dhe disa herë të tjera", thotë Presidenti kroat. "Vizita ime e tanishme është e para pas ftesës që morët për NATO. Çdo herë unë shikoj ndryshime të mëdha. Për sa i përket Tiranës, ajo gjithmonë ka ndryshuar dhe këtë herë vërejta që Tirana i ngjan një qyteti evropian. Për sa i përket ftesës për në NATO, kjo është shumë e vlefshme dhe e çmueshme dhe për Kroacinë, por edhe për Shqipërinë, sepse edhe Shqipëria dhe Kroacia kanë dy qëllime të veta strategjike dhe kryesore, të cilat janë hyrja në NATO, si edhe integrimi i Bashkimit Evropian. Sot jemi duke arritur në qëllimin tonë të parë strategjik". Pyetjes se përse Serbia e kish të vështirë ta pranonte pavarësinë e Kosovës dhe jo vetëm ajo, kroati Mesiç iu përgjigj duke shtuar ndër të tjera se Kosova ka qenë element konstituiv i Jugosllavisë. "Pas shpërbërjes së Jugosllavisë duhet të zgjidhej ky problem që mbeti. Serbia nuk kishte kapacitet, të kishte pushtet për sa i përket Kosovës dhe nuk kishte kapacitet as për negociata. Tani është krijuar një realitet i ri, të cilin ne po e pranojmë dhe ky realitet i ri është shteti i pavarur i Kosovës. Për sa i përket Serbisë, duhet që ajo t‘i kthehet vetes. Ajo (Serbia) duhet të pranojë realitetin, askush nuk kërkon prej saj që të pranojë pavarësinë e Kosovës. Ashtu si Gjermania Perëndimore nuk e ka pranuar asnjëherë Gjermaninë Lindore nuk pritet as prej Serbisë të pranojë Kosovën. Por ajo duhet të pranojë se ato shtete që kanë pranuar pavarësinë e Kosovës, ato duhet të bashkëpunojnë me Kosovën. Më vjen keq për Maqedoninë që nuk arriti me ne të marrë ftesën për në NATO". Për sa i përket çështjes së emrit të Maqedonisë kjo është një çështje kombëtare dhe për Greqinë është një çështje politike. "Çështja ka të bëjë me negociatat dhe në fund mendoj se do të japin edhe përgjigje dhe ne do të presim", deklaroi Mesiç në "Exclusive". Emisioni do të transmetohet sonte në "Top Channel".