E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Ish-ministri në dosjen e SPAK për incineratorët/ Gjinkuri: Nuk është krim të njohësh njerëz të rinj

Ish-ministri i Energjitikës dhe aktualisht Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Damian Gjiknuri ka reaguar për mediat pas përmendjes së tij në dosjen e SPAK mbi aferën e inceneratorëve ku dyshohet se në kompjuterin e biznesmenit të shpallur në kërkim Klodian Zoto, janë gjetur dy rezervime hotelesh në Vjenë dhe Frankfurt për Gjiknurin.

I pyetur nga gazetarët jashtë Kuvendit, se emri i tij gjendet në dosjen e SPAK mbi aferën e inceneratorëve dhe nëse ka lidhje direkte me biznesmenët Zoto dhe Mirel Mërtiri, Gjiknuri u shpreh se nuk është krim të njohësh njerëz të rinj”.

Ai u shpreh gjithashtu se iu është përgjigjur të gjitha akuzave drejtuar ndaj tij në komisionin hetimor që u zhvillua vitin e kaluar për aferën e inceneratorëve.

“Qëndrimet e mia i kam bërë publike në komisionin hetimor. Nuk ka ndodhur asgjë e re që nga ajo kohë, përveçse gjithkush rast pas rasti do të përdorë emrin tim për kauza politike.

Të gjitha ato udhëtime, vetëm dy që kanë dalë në media të pretenduara janë udhëtime zyrtare. Ka dokumente përkatëse, mbase edhe prokuroria i zotëron. Udhëtimet e mia si ministër janë të deklaruara dhe janë udhëtime zyrtare dhe nuk kam vajtur as për qejf dhe as të bredh me njerëz që ju pretendoni për lidhje të caktuara.

Sa i përket rolit tim si ministër nuk ka shkelje në asnjë procedurë. Firmosja e një akti i qeverisë nuk përbën vepër penale  se nuk është qeveria organizatë kriminale, por është institucion i organizuar ku secili ministër shpreh funksionet sipas detyrës që ka. Mos e bëni hetimin penal sikur po hetoni pacientin zero; ky njeh këtë, ky ka takuar këtë.

Bëhet fjalë për akte zyrtare dhe pasoja konkrete, kështu që lidhja rastësore me persona apo njohje nuk kanë asnjë lloj vlere. Me Arben Ahmetajn kam bërë udhëtime se ka qenë ministër, ka qenë koleg dhe të dy udhëtimet e cituara konsultohuni dhe drejtojuni si gazetarë Ministrisë së Energjitikës dhe merrni informacion zyrtar.

Aty janë dokumentet edhe do dalin, kur të thërritem do jap shpjegimet. Në detyrën time kam zbatuar ligjin. Akuzat politike dhe akuzat quasi-penale ka vite që ngrihen ndaj meje dhe i kam shpjeguar në komisionin hetimor, dhe të njohësh njerëz nuk është krim”, iu është përgjigjur Gjinkuri, gazetarëve.  

Gjatë hetimit të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj dhe lidhjeve të tij me biznesmenët e incineratorëve, prokurorët kanë zbuluar dy pagesa të bëra nga Klodian Zoto për hotele në Frankfurt dhe në Vienë, me emër klienti; Damian Gjiknuri. 

“Ekziston dyshimi se shtetasit Arben Ahmetaj dhe Damian Gjiknuri janë takuar dhe kanë qëndruar bashkë më datë 08.02.2014 në Frankfurt me shtetasit Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto,” thuhet në dokumentin e prokurorisë.

Ndërkaq, biznesmenët Mërtiri dhe Zoto janë në arrati pasi janë shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare për korruptimin e një numri zyrtarësh të lartë, përfshirë ish-ministrin Lefter Koka dhe ish-deputetin Alqi Bllako, ndërsa së fundmi, nën akuzë përfundoi edhe ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, për të cilin SPAK ka kërkuar arrestimin e tij. 

Ndërkaq në emailin e shtetasit Klodian Zoto më datë 12 mars 2014 rezulton se i është dërguar email nga booking.com për prenotimin e tij në Radisson blu sky hotel Vienna ku i konfirmohet rezervimi me nr… në adresë…. me guest name Damian Gjiknuri me periudhën 12.3.2014 deri në 13.3.2014.”, thuhet në dosjen e prokurorisë.

Por faturat për rezervimin dhe pagesën e hotelit ku ka qëndruar Gjiknuri në datën 12 mars të vitit 2014, rezulton se Gjiknuri nuk ka fjetur në “Radisson Blu Sky Hotel Vienna” sikurse pretendohet nga këqyrja e e-mailit të Zotos.

Dokumentet zyrtare tregojnë se në datën 12 mars 2014, Gjiknuri ka fjetur në “Hotel Ambassador” me rezervimin me numër TL 34979619, Standard Sigle Room me emrin Mr. Damian Gjiknuri.

Rezervimi dhe pagesa e hotelit konfirmohet të jetë kryer nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë titullar i të cilës ishte në atë kohë Gjiknuri.

Sipas urdhrit të shërbimit rezulton se Gjiknuri ndodhej për vizitë pune në Vjenë në kuadër të bisedimeve që qeveria shqiptare po zhvillonte me kompaninë çeke CEZ për rishtetëzimin e kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike.

Gjiknuri shoqërohej në këtë udhëtim nga këshilltarja e tij Entela Çipa, pjesë e grupit negociator për çështjen e ÇEZ, ashtu sikurse ishte edhe ministri Ahmetaj po pjesë e grupit negociator nga pala e qeverisë shqiptare. Negociatat zhvilloheshin në Vjenë nën kujdesin e Komunitetit Evropian të Energjisë.

Sa i përket rastit të dytë të përmendur në dosjen e SPAK-ut, është ai i një fjetjeje të pretenduar në Frankfurt të Gjermanisë në datën 8 Shkurt 2014.

“Ekziston dyshimi se shtetasit Arben Ahmetaj dhe Damian Gjiknuri janë takuar dhe kanë qëndruar bashkë më datë 08.02.2014 në Frankfurt me shtetasit Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto,” thuhet në dokumentin e prokurorisë.

Për rastin e dytë të cituar në dosjen e prokurorisë që përkon me udhëtimin tranzit nga Frankfurti, Shkurtin e vitit 2014, rezulton se Damian Gjiknuri, Ministër i Energjisë dhe Industrisë zhvillonte një shërbim në Boston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ku do të merrte pjesë në Sesionin Shkencor që do të zhvillohej në Universitetin e Harvardit. Nisja për këtë shërbim është në datën 8 Shkurt 2014 dhe kthimi në datën 17 Shkurt 2014.

Gjithashtu, sipas dokumentit të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, bileta e udhëtimit ka itenerarin: Nisje nga Tirana në datën 8 Shkurt, ora 05:50 dhe mbërritje në Romë në orën 07:15; Nisje nga Roma në datën 8 Shkurt, ora 18:40 dhe mbërritje në Frankfurt në orën 20:45; Nisje nga Frankfurti në datën 9 Shkurt në ora 11:20 dhe mbërritje në Boston në orën 13:30.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›