Policia merr në mbrojtje gratë pas keqtrajtimeve në familje
TIRANE-Policia ka marrë në mbrojtje dy gra, pas kërkesës së tyre dhe denoncimeve që ato kanë bërë për dhunë në familje dhe kanosje. Shpresa Shtylla, 37 vjeçe, dhe Prena Smajli, 47 vjeçe, kanë kërkuar ndihmën e policisë, pasi e para kërcënohej nga kunata, motra e burrit, ndërsa tjetra rrihej nga bashkëshorti. Sipas burimeve nga Policia e Tiranës, bëhet e ditur se në Komisariatin nr.5, ka bërë një kallëzim Prena Smajli, e cila ka treguar se bashkëshorti i saj, Pjetër Smajli, ushtronte vazhdimisht dhunë fizike dhe psikologjike ndaj saj. Njoftimin 47-vjeçarja e ka dhënë nëpërmjet telefonit dhe policia ka shkuar menjëherë për verifikim në shtëpinë e tyre në Laknas, në periferi të Tiranës. Janë shoqëruar në komisariat të dy bashkëshortët, ku kanë dhënë deklarimet e tyre dhe më pas është vendosur që për gruan të lëshohej një urdhër mbrojtje. Ndërkohë një denoncim i ngjashëm është bërë edhe në Komisariatin nr.6 nga Shpresa Shtylla. Në këtë rast, ajo nuk ka denoncuar bashkëshortin, por motrën e tij, Marjana Goljan. Shtylla, banuese në një apartament në rrugën “Llambi Bonata”, ka paditur kunatën e saj, duke pretenduar se ajo e kërcënonte vazhdimisht dhe kishin grindje të vazhdueshme me njëra-tjetrën, duke qenë se banonin në të njëjtën shtëpi. Pasi janë shoqëruar dhe marrë në pyetje të dyja gratë, policia ka vendosur të lëshojë një urdhër mbrojtjeje edhe për Shpresa Shtyllën. e.d