E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-oficeri i SHIK-ut, Basha: Shoqërimi i Avdyl Loshajt, sepse dyshohej për spiunazh



Dy ish-oficerë të SHIK-ut i janë përgjigjur dje thirrjes së gjykatës për të dëshmuar në procesin për zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha. Dy dëshmitarët e akuzës, njëri ish-inspektor i SHIK-ut në Tiranë dhe tjetri ish-drejtor i SHIK-ut në Sarandë kanë rrëfyer gjithçka dinin mbi shoqërimet e Avdyl Loshajt, si dhe çfarë dinin rreth dy të rrëmbyerve të tjerë, Remzi Hoxha e Ziso Kristopulli. Sipas njërit prej dëshmitarëve, Loshaj dyshohej për spiunazh, si agjent i dërguar, ndaj dhe u shoqërua. Në dëshminë e tij, avokati Alfred Duka, në atë kohë drejtues i SHIK-ut në qytetin bregdetar të Sarandës, ka rrëfyer njohjen me Ziso Kristopullin. Sipas tij, ai është njohur shumë rastësisht me Ziso Kristopulin, pasi ka dalë nga një kioskë, e cila ishte pronë e tij. I pyetur nga prokurori i çështjes, Xhevat Hana, nëse kishte qenë në dijeni të rrëmbimit të Kristopullit, Duka e ka mohuar këtë fakt. Gjithashtu, ai ka mohuar të ketë njohur Avdyl Loshajn dhe Armando Loshajn. Më tej, prokurori e ka pyetur Dukën për Armando Ditermensen. Dëshmitari ka sqaruar se e njihte këtë person dhe se ishte një gazetar austriak. Sipas tij, në vjeshtën e vitit 1995 disa persona kishin hapur fjalë se ai iu kishte marrë 20 marka dhe se iu kishte premtuar se do iu sillte një laborator fotografik. “Nga informacionet mësova se gazetari lëvizte me furgonin e policisë dhe hynte shumë kollaj në komisariatin e policisë së qytetit. E kam thirrur në zyrë nëpërmjet një oficeri dhe duke qenë se nuk dinte asnjë fjalë shqip, kam marrë 2 inspektorë dhe një përkthyese, e cila ishte një mësuese anglishteje. I kërkova që të më prezantohej se kush ishte. Ai më është përgjigjur se ishte një gazetar austriak, gazetar lufte, dhe se kishte qenë 2-3 vjet si gazetar në Bosnjë. Pa i thënë gjë, ai zbërtheu këmishën dhe më tregoi plagët, të cilat tregonin që ishin shenja të një plagosjeje. Më tregoi dokumentet e gazetarit. E kam provokuar, por ai ka qenë gjakftohtë dhe nuk i lëvizte qerpiku. Kur e kam pyetur pse i frekuentonte ambientet e policisë, ai më është përgjigjur se është afër me punën që ai bënte dhe se ishte një gazetar policor”, - shpjegoi dëshmitari Duka. Më tej ai i ka bërë të ditur gjykatës se një person me emrin Luan i kishte thënë që gazetari e kishte mashtruar dhe nuk ia kishte sjellë as laboratorin. Dëshmitari i dytë i thirrur nga gjykata ishte Anibal Basha. Gjatë dëshmisë së tij, Basha i bëri të ditur trupit gjykues se kishte dijeni vetëm për shoqërimin e Armando Loshaj në bazën e SHIK-ut. Basha ka bërë me dije se kishte qenë së bashku me kolegun e tij, Skënder Shahu, kur ishte shkëmbyer te shkallët me shefin e tyre, Ilir Kumbaron. Ai i kishte kthyer nga rruga dhe iu kishte thënë se nuk duhet largoheshin, por duhet të asistonin në marrjen në pyetje të një të shoqëruari, Armando Loshaj. Sipas Bashës, pyetjet ia kishte bërë vetë shefi i tij Iliri (i pandehuri Ilir Kumbaro), ndërsa ata duhet ta lajmëronin kur të mbaronte. “Unë kam lexuar dhe procesverbalin, në të cilat ishin shënimet e të shoqëruarit, ku përmendej emri i Remzi Hoxhës, por që nuk e di për çfarë bëhej fjalë. Armando Loshaj ishte shoqëruar, pasi dyshohej si një agjent spiun”, - ka mbyllur dëshminë e tij dëshmitari.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›