E Diel, 1 Nëntor 2026

Italia, 30 milionë euro për SME-të, përfiton kush plotëson kriteret



Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme (SME) do të kenë mundësi të marrin kredi nga një fond i posaçëm që do të përdoret vetëm për to, nëse do të plotësojnë disa kritere. SME-të do të përfitojnë nga "Programi për Zhvillimin i SME-së", i financuar nga qeveria italiane me vlerë 30 milionë euro, nëse plotësojnë një sërë kriteresh. Ndër kriteret për marrjen e kredisë nga ana e SME-ve referuar programit, i cili nisi dje zbatimin e tij janë: shoqëria të jetë e regjistruar në Shqipëri; jo më pak se 51 për qind e kapitalit themeltar të shoqërisë të zotërohet nga shtetas shqiptarë; shoqëria të ketë një qarkullim vjetor jo më të lartë se 5 milionë euro; shoqëria të ketë një numër punonjësish jo më shumë se 80. Në takimin e zhvilluar dje për prezantimin e këtij programi, u theksua se projektet e SME-ve të pranueshme për t'u financuar nga kjo linjë kredie janë projekte të cilat kanë një limit të kredisë së kërkuar nga 50, 000,00 euro deri në 500,000,00 euro, jo më pak se 70 për qind e vlerës së financuar të projektit duhet të përdoret për blerjen e lëndës së parë, pajisjeve, teknologjisë, asistencës teknike, përfshirë trajnime, mirëmbajtje, pjesë këmbimi dhe licencë industriale me origjinë italiane, të gjitha këto të furnizuara nga prodhues italianë; jo më shumë se 30 për qind e financimit të kërkuar për çdo projekt të vetëm mund të përdoret për mbulimin e kostove lokale të këtij projekti. Kushtet për dhënien e kredisë Ndërmarrjeve të Vogla e të Mesme janë: norma e interesit që aplikohet, maksimumi 5.5% interes vjetor për kreditë në euro, maksimumi 8.5% interes vjetor për kreditë në lek; periudha e shlyerjes së kredisë nga 3-8 vjet; periudha e mospagimit (paguhet vetëm interesi) nga 1-2 vjet. SME-të e interesuara për të përfituar nga Linja e Kredisë duhet t'i drejtohen Bankave Tregtare Private që janë të përfshira në program. Çdo Bankë Tregtare Private do të kërkojë nga SME-të aplikante dokumentacionin e nevojshëm për kërkesën e financimit dhe pas shqyrtimit të kërkesës do të firmosë kontratat e huas me SME për projektet e aprovuara. Bankat Tregtare Private janë përgjegjëse për aprovimin ose mosaprovimin e Linjës së Kredisë së kërkuar nga SME-të. Gjatë vlerësimit të kërkesës së SME-ve, Bankat Tregtare Private duhet t'u referohen kushteve të përcaktuara nga programi. Programi përfshin 25 milionë euro kredi e butë në favor të SME-ve, 2,5 milionë euro kredi për krijimin e Fondit të Garancisë në mbështetje të SME-ve shqiptare në marrjen e kredive dhe 1,7 milionë euro dhuratë asistencë teknike, që përfshin promocionin, aktivitetet, e trajnimit dhe të informimit si dhe krijimin e njësisë së Menaxhimit të Programit. Ministri i Financave, Ridvan Bode, tha dje gjatë prezantimit të "Programit për zhvillimin e Ndërmarrjeve të Vogla e të Mesme" se mbështetja e SME-ve mundëson zhvillimin e ekonomisë në vend. "Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme përbëjnë 95 % të të gjitha ndërmarrjeve që operojnë sot në treg dhe kjo dëshmon rëndësinë e kushtimit të vëmendjes së veçantë nga ana e qeverisë ndaj këtij grupi të ndërmarrjeve", - deklaroi Bode, ndërsa shtoi se rëndësia e përkrahjes së këtyre ndërmarrjeve është edhe më e madhe, po të kemi parasysh se ekonomia shqiptare gjithnjë e më shumë është shndërruar në një ekonomi tërësisht private. Kjo kredi do disbursohet nga 5 banka të cilat tashmë janë bërë publike: Tirana Bank, Credins, Banka Kombëtare Tregtare, BIS Banka, Raiffeisen Bank. Bankat kanë nënshkruar marrëveshjen e nënhuas me Ministrinë e Ekonomisë dhe janë të gatshme për të filluar zbatimin e programit. Disburisimi nga Banka Qendrore do të bëhet nga Intesa SanPaolo Bank, e cila tashmë vepron edhe në tregun tonë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›