E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbahet peng për 3 ditë, arrestohen lushnjarët

21/01/2009  Gazmir Leka u kishte borxh pengmarrësve 7 mijë euro. Në pranga dhe një 20-vjeçare

DURRES- Është mbajtur peng tre ditë një shtetas nga Durrësi në një banesë të Lushnjës duke vënë në një pozitë shumë të vështirë policinë për ta liruar atë të padëmtuar. Telefonata e bërë në sallën operative të policisë nga familjarë të shtetasit të rrëmbyer, Gazmir Leka nga Durrësi, ka vënë në lëvizje policinë, e cila u ka vënë në ora 01.30 të së martës prangat shtetasve I. Hamiti, A. Leka dhe vajzës 20 vjeçe Arselona A. Lushnjarët janë akuzuar për rrëmbim dhe mbajtje peng për motive pasurore të personit. Pas afro tre ditësh policia e ka liruar durrsakun duke e kthyer atë në familje. Policia e shtetit ka deklaruar se shkak i pengmarrjes është bërë një borxh në shumën 7 mijë euro i pretenduar nga autorët e akuzuar.

Pengmarrja

Shtetasi i quajtur Gazmir Leka, banor i lagjes numër 10 të qytetit të Durrësit është rrëmbyer sipas policisë në afërsi të Maozoleumit të dëshmorëve. Kjo ngjarje ka ndodhur më datë 17 janar 2009 dhe shkak është bërë një borxh i pashlyer në shumën 7 mijë euro. Në kohën që Leka ka qenë duke përshkuar rrugën, para tij është ndalur një autoveturë në të cilën, sipas policisë, thuhet se kanë qenë disa persona. Në kohën që durrsaku është futur në automjetin që tashmë është bllokuar në cilësinë e provës materiale së bashku me dy telefona celularë, ai është mbajtur forcërisht dhe është dërguar në një banesë në Lushnjë. Leka është mbajtur i izoluar në banesën e shtetasit I. Hamiti, 47 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale të vrasjes së mbetur në tentativë. Në kohën që rrëmbyesit kanë nisur të udhëtonin drejt Lushnjës ata i kanë telefonuar familjarëve të Gazmir Lekës, duke i kërkuar në këmbim të lirimit të pengut 7000 euro. Në këtë kohë familjarët kanë kërkuar ndihmën e policisë duke e denoncuar rastin në Drejtorinë e Policisë së qarkut të Durrësit. Nga deklarimet e mësipërme mësohet se në muajin nëntor 2008 shtetasi i marrë peng i kishte marrë borxh shumën në 7 mijë euro njërit nga autorëve të rrëmbimit duke mos ia kthyer. Sapo krerë të sektorit të antikrimit dhe antiterrorist kanë futur në dosje kallëzimin e familjarëve të vënë në gjendje alarmi për djalin e zhdukur, ka nisur edhe puna për të identifikuar autorët dhe vendin ku mbahej peng Leka. Drejtoria e Policisë së qarkut në bashkëpunim me Drejtorinë e Krimeve të Rënda dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda kanë vënë në përdorim mjete shumë të sofistikuara dhe metoda hetimi efektive. Kjo i ka dërguar forcat speciale drejt Lushnjës dhe banesës së shtetasit I. Hamiti. Operacioni sekret është zhvilluar në mesnatë dhe pas 2 orësh rrethimi të vendit dhe objektit ku mbahej peng durrsaku është bërë i mundur lirimi i shtetasit Gazmir Leka dhe arrestimi i I. Hamiti, A. Lekës dhe Arselona A., të tre nga Lushnja. Policia nuk ka bërë të ditur nëse mes të rrëmbyerit Gazmir Leka dhe të arrestuarit Andrea Leka ka apo jo lidhje gjaku, ndërkohë që për të shtënë në dorë Lekën policia ka thënë se pengmarrësit kanë futur në lojë 20-vjeçaren.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›