E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-padronët e Tokës

Sipas "Biblës" dhe shumë miteve antikë, planeti ynë ishte i dominuar, para ardhjes së njeriut, nga një popull shumë i gjatë: gjigantët ose "kolosët", të cilët, më pas u zhdukën me ndihmën e zotave. Bëhet fjalë për një legjendë, apo e gjithë kjo është e vërtetë?

Më 16 tetor të 1869-ës, një fermer njujorkez u ngarkoi disa punëtorëve të hapnin pranë shtëpisë së tij një pus të madh. Pasi arritën në thellësinë e dy metrave, punëtorët e ndaluan gërmimin, sepse kishin gjetur skeletin e një njeriu të ngurosur. Ishte në një pozicion të shtrirë në shpinë, me këmbë të përthyera e të bashkuara. Dukej sikur kishte vdekur duke u lutur. "Ky është trupi i një profeti të vjetër indian", u shpreh një amerikan. Por ajo që thanë një ditë më vonë gazetat ishte krejt ndryshe: "U gjet Golia amerikan!". Njeriu prej shkëmbi ishte i gjatë më shumë se tre metra.

"Përpara tyre na dukej sikur ishim këmbalecë"

Evangjelistët dhe predikuesit fundamentalistë thoshin gjithmonë se gjigantët kanë jetuar në planetin tonë. Po "Bibla" a e thoshte këtë? Në vargun 4:6 të "Biblës" (Zanafilla) thuhet: "Në atë kohë, në Tokë ekzistonin gjigantët dhe vazhduan të jetonin edhe më pas, kur bijtë e Zotit u bashkuan me vajzat e njeriut dhe prej tyre patën fëmijë". Më pas ato u shfaqën edhe te numrat (vargu 13:33) "i kemi parë gjigantët, bijtë e Anakut të racës gjigante. Para gjigantëve na dukej sikur ishim këmbalecë; kështu ngjanim edhe para tyre". Golia i Testamentit të Vjetër, me tre metra gjatësi, do të kishte qenë më i famshmi i kolosëve të vjetër. Gjigantët nuk gjendeshin vetëm në traditën e krishterë, por edhe te besimet e tjera. Në hinduizëm, gjigantët quhen "daityas" dhe janë një racë kolosësh djallëzorë. Ata shfaqen në mitologjinë greke dhe nordike. Por a mund të ketë baza të vërteta një mit kaq i përhapur?

Sipas interpretimeve më të konfirmuara, në origjinë të të gjitha këtyre historive, qëndron prova e njerëzve të vjetër për të shpjeguar fenomenet natyrore ose ndërtimet e kulturave paraardhëse. Sakso Gramatikus, historian danez i Mesjetës, theksonte se gjigantët duhet të kenë ekzistuar medoemos, sepse në të kundërt nuk mund të shpjegoheshin ndryshe muret ciklopike dhe monumentet që sot e dimë se janë mbetjet e perandorisë romake.

Për njerëzit e vjetër, edhe forcat e tokës kishin karakteristika "njerëzore". Përveç erozioneve vullkanike të provokuara nga krijuesit e zotave, edhe tërmetet bëheshin prova e lëkundjeve të gjigantëve të varrosur. Po dolmenët dhe mengjirët, shkëmbinjtë e krijuar në parahistori përmes ritesh të fshehta? Nuk mund të ishin gjë tjetër veçse krijime të gjigantëve: në mitologjinë baske, megalitet ishin ato që mbeteshin pas betejave të tërbuara mes gjigantëve të së kaluarës. Vetë rrethi i "Stonehenge" (Stounhenxh) njihej si "vallëzimi i gjigantëve".

Gjetja e fosileve të dinozaurëve ose kafshëve të mëdha ekzotike, ndihmonte për të mbajtur gjallë legjendat mbi ekzistencën e krijesave mitologjike. Ashtu si kafkat e krokodilëve dhe elefantëve, brinjët e balenave konsideroheshin si koka e një ciklopi.

Në vitin 1833 u gjet një skelet i gjatë 3 metra e 60 centimetra

Duhej pritur shekulli XIX që dikush të konfirmonte se kishte gjetur trupin e një gjiganti. Para se të ndodhte episodi i Kardifit, në vitin 1833, disa gazeta vendase e kishin dërguar zbulimin në Lompok Ranko në Kaliforni, një skelet të gjatë 3 metra e 60 centimetra nga ana e disa ushtarëve federalë gjatë gërmimeve për një depo baruti. Mënyra se si janë bërë matjet dhe nëse ishin apo jo të sakta, nuk është bërë e ditur, prandaj mbi skeletin nuk ka mbetur asnjë gjurmë.

Në Amerikën e viteve 1800, u bë gjithnjë e më këmbëngulëse ideja që, duke gërmuar mund të gjeje me të vërtetë eshtrat e ndonjë gjiganti. Kështu, në nëntor të 1856-ës, disa punëtorë që ishin ngarkuar të mbillnin një vresht në lindje të Wheeling, në Virxhinian Perëndimore, gjatë punës gjetën një skelet njeriu 3 metër e 28 centimetër të gjatë, por as ky zbulim nuk u ruajt.

Dalëngadalë filloi të kuptohej rëndësia e gjigantit të Kardifit. Zbulimi ishte prova e parë e vërtetë e cila ishte ekzaminuar. Kjo tregonte se në të shkuarën ekzistonin njerëz me përmasa gjigante. Për disa, ky ishte një konfirmim i së vërtetës biblike, kurse për të tjerë ishte një zbulim shkencor i jashtëzakonshëm. Për disa të tjerë, shumë i dyshimtë.

Cirku Barmun i bëri një kopje, por e shiti për origjinale

Në fakt, gjigantit nuk iu gjetën vetëm kockat, por i gjithë trupi, që ishte shndërruar në shkëmb. 24 orë pas gjetjes, rreth e rrotull vendit u vendos një tendë, me qëllim që njerëzit kureshtarë të mund të shihnin krijesën e çuditshme për 50 cent. Ngadalë filluan të krijoheshin radhë të gjata njerëzish, të cilët vinin nga kushedi se ku. Shkrimtari Ralph Waldo Emerson thoshte se krijesa ishte e mrekullueshme e natyrisht antike. Një artist cirku ofroi 60 mijë dollarë për ta blerë dhe kur oferta iu refuzua, filloi të përsëriste një frazë që e kishte mësuar përmendësh: gjiganti i tij ishte i vërtetë, ndërsa ai i Kardifit ishte kopja. Në fakt, e vërteta doli në shesh pas një muaji. Gjiganti ishte i rremë. E kishte krijuar një tregtar njujorkez. Ateisti i bindur dëshironte t‘i çirrte maskën një prifti fundamentalist, zotit Turk, sepse e kishte vënë në lojë në publik duke i thënë se nuk besonte te gjigantët e përmendur në "Bibël" (Zanafilla). Tregtari njujorkez vendosi se do të qeshte i fundit. Ai kishte blerë një bllok allçie tre metra të gjatë, që e gdhendi në fshehtësi. Skulptori duhej t‘ia bënte këmbët e mbledhura gjigantit, sepse një pjesë e bllokut origjinal duhet të eliminohej. Kur ishte gati, tregtari i shpuri në Kardif dhe e varrosi në shtëpinë e kushëririt të tij. Një vit më vonë, ai kërkoi që të hapej një pus në vendin ku qëndronte gjiganti. Vetëm pasi fitoi një dorë të mirë parash dhe i dha një mësim priftit të përnderuar, tregtari tregoi gjithë të vërtetën.

Njeriu më i gjatë që jeton aktualisht është 2 metra e 36 centimetra

Sot, dihet që njerëzit me përmasa të pazakonta mund të ekzistojnë me të vërtetë. Bëhet fjalë për persona që janë të prekur nga gjigantizmi, sëmundje që lidhet me shpërndarjen e hipofizës, përgjegjësja e hormonit të rritjes. Zakonisht prek ata njerëz që i kanë kaluar dy metra gjatësi. Sot, njeriu më i gjatë në botë është kinezi Bao Xi Shun, 2 metra e 36 centimetra; ndërsa njeriu më i gjatë që kujton historia ishte amerikani Robert P. Wadlow, që arrinte 2.72 metra.

Natyrisht në kohërat antike, njerëzit e prekur nga gjigantizmi mund të ngatërroheshin lehtësisht me ndonjë racë legjendare gjigantësh. Por ndoshta mund të ekzistonin me të vërtetë popuj shumë të gjatë. Gjithsesi, sot janë të paktë njerëzit që besojnë te gjigantët, përveç atyre që besojnë në "Bibël", si fundamentalistët e krishterë dhe krijuesit.

Në muzeun e fosileve të "Mt. Blanco" (SHBA), mes sendeve të gjetura që duhet të tregojnë të vërtetën e tregimeve biblike, janë disa grafite të mundshme që paraqesin njëkohësisht dinozaurë dhe qenie njerëzore. Vizatimet tregojnë krijesën, së cilës do t‘i përkiste, që ishte e gjatë 3 metra. Një diciturë tregon se ajo eshtër është vetëm një kopje: kuratorët e muzeut sigurojnë se është rindërtuar në bazë të kujtimeve të personit që një ditë gjeti femurin e vërtetë. Fatkeqësisht ai i vërteti nuk u gjet asnjëherë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›