E Diel, 1 Nëntor 2026

Teatri pret "Kamerierin memec"

Në kuadër të javës së Festivalit Teatror të të Rinjve, regjisori Erjon Hinaj, një nga pesë fituesit e konkursit të regjisorëve të rinj do të sjellë në datat 8 dhe 9 nëntor shfaqjen teatrale titulluar "Kamerieri memec". Drama është shkruar prej nobelistit britanik, Harold Pinter. Ajo do të ngjitet në skenë me interpretimin e aktorëve: Mehmet Xhelili, Indrit Çobani, Besart Kolonja. Erjon Hinaj më parë e ka provuar veten si aktor në shfaqjet "Zysh e dashur", "Erdhi policia", ndërsa ky është projekti i tij më i madh regjisorial. Sipas regjisorit, dy personazhet kryesorë, Beni dhe Gasi, dy vrasës profesionistë janë në pritje të urdhrit të bosit të tyre për eliminimin e radhës. "Dilema se ç‘do të bëhet me jetën tonë, ankthi dhe frika për misterin e heshtjes e të priturit pa një arsye që vë në pikëpyetje ekzistencën tonë, janë disa nga rrethanat dhe situatat që çdokush i has në jetë", ka thënë regjisori Hinaj, ndërsa pranon se ngjarja është aktuale edhe për realitetin shqiptar. "Kamerieri memec" do të sjellë konfliktin që ekziston midis individit dhe pushtetit. E lidhur me realitetin shqiptar, shfaqja e shkruar prej Pinterit synon të sjellë te publiku poshtërimin që ky pushtet me fuqinë e tij i bën individit, duke e shkatërruar.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›