E Diel, 1 Nëntor 2026

"Onufri" i besohet një italiani

Ekspozita ndërkombëtare e arteve vizive, "Onufri", do të organizohet edhe këtë vit në Galerinë Kombëtare të Arteve. Edicioni XV i kësaj ekspozite do të hapet më datë 18 dhjetor dhe do të qëndrojë hapur deri në datën 29 janar. Pas debateve të vjetshme për kuratorët e këtij konkursi, sivjet këshilli organizativ ka vendosur t‘ia besojë një të huaji e pikërisht italianit Riccardo Caldura, i cili është i njohur në botën artistike italiane. Po ashtu ai ka ndjekur edhe zhvillimet artistike në Shqipëri, sepse e ka vizituar disa herë vendin tonë. Ky është edicioni i parë, drejtimi i të cilit i besohet një kuratori të huaj. Rubens Shima, në pozicionin e nëndrejtorit të GKA-së dhe poeti Ervin Hatibi, përcaktuan edhe temën e edicionit të vitit të shkuar. Deri më tani nuk është bërë i ditur asnjë detaj rreth konceptit që Caldura do të ketë për këtë konkurs, në bazë të së cilit do të përzgjidhen edhe veprat pjesëmarrëse. Në fakt, nga viti në vit ka pasur diskutime të shumta mbi strukturën e organizimit të këtij konkursi, ku përfshihen fotografi, video e instalacione. Riccardo Caldura ka planifikuar që në datën 18 nëntor, ora 11:00, të organizojë një konferencë shtypi në Galerinë Kombëtare të Arteve, në sallën e bibliotekës, ku do të japë të dhëna të tjera mbi këtë konkurs. Ai mban postin e docentit për Fenomenologjinë e Arteve Bashkëkohore në Akademinë e Arteve të Bukura të Venecias dhe është drejtor i galerisë bashkiake "Galleria Contemporanea", po në Venecia. Në qershor të 2007-ës ai ka organizuar një ekspozitë të artit bashkëkohor shqiptar në galerinë që drejton.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›