E Diel, 1 Nëntor 2026

"Mesdheu" vjen në Muzeun Kombëtar

Piktori Sefedin Stafa i është kthyer Shqipërisë. Pas thuajse 15 vitesh në Greqi, ai kthehet në Tiranë me një ekspozitë personale. "Mediterraneo" paraqet rreth 58 piktura, të cilat sjellin në vëmendje vende si Greqia, Shqipëria e Italia. E përbashkëta e këtyre vendeve në ekspozitë, mjeti lidhës i tyre është pikërisht deti, Mesdheu. Ekspozita personale e piktorit nga Burreli do të qëndrojë e çelur në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar deri më 11 nëntor. Pas kësaj ai do të niset drejt Italisë, për të përcjellë edhe atje këtë ngjarje kulturore, synimi i së cilës është komunikimi mes vendeve. Deti zë një pjesë të mirë të punëve që Sefedi Stafa ka paraqitur në këtë ekspozitë. Plazhi, dielli, trupa të nxirë... janë në pjesën më të madhe të ekspozitës, por nuk mungojnë as pamjet nga Venecia e ato nga bregdeti i Greqisë. Por jo vetëm kaq. Aty-këtu gjen edhe ndonjë nudo, po aq sa edhe portretet e ndonjë fëmije me ngjyrë. Sefedin Stafa ka lindur në Burrel. Në vitin 1978 diplomohet në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, duke u specializuar në pikturë monumentale. Veprat e tij gjenden në Muzeun Kombëtar dhe në Pallatin e Kulturës në Tiranë, si dhe në Galerinë e Elbasanit e në Burrel. Sefedin Ibrahimi ka qenë profesor pikture në institutin "Aleksandër Xhuvani" të Elbasanit. Ai ka çelur disa ekspozita personale dhe kolektive në Shqipëri. Shumë vepra të tij gjenden sot në disa galeri private të Greqisë, Gjermanisë, Kanadasë, Zvicrës, Italisë e Amerikës.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›