E Diel, 1 Nëntor 2026

Kur do të dalë në skenë "Barak Obama" i Evropës?

Euforia evropiane mbi zgjedhjen e Barak Obamës në postin e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës i ka dhënë udhë një pyetjeje që, sipas gjermanes prestigjioze "Der Spiegel", kontinenti i vjetër po i drejton vetvetes. Amerika ka tani Presidentin e parë me ngjyrë, por cili shtet evropian mund të zgjedhë një President nga minorancat e veta etnike?

Lajmi për rezultatet historike të zgjedhjeve amerikane, i mësuar në të gdhirë të së mërkurës, me kuptimin e plotë të fjalës, trullosi mbarë Evropën, së cilës, sipas "Der Spiegel", i duhet të pranojë se mund të duhet shumë kohë që t‘i ndodhë diçka e ngjashme.

"Evropa ka shumë rrugë përpara në këtë aspekt", thotë Çem Ozdemir, i cili po hyn në historinë gjermane si i pari politikan me origjinë turke që merr në dorë frerët e një partie politike (është bashkëkryetar i Partisë së Gjelbër). "Mesazhi amerikan është që edhe në Evropë ka ardhur çasti për të lëvizur. Duhet të heqim dorë nga ajo sjellje, sipas së cilës çdo figurë politike e ardhur nga minorancat e konsiderojmë ambasador nga vendi i gjyshërve të tij", tha gjermani me origjinë turke për "Der Spiegel".

Ozdemiri ngacmoi fort interesin e publikut në vitin 1994, në moshën 28-vjeçare, kur u bë gjermani i parë me origjinë turke që hynte në Parlamentin gjerman. Në intervistë vërejti gjithashtu se Evropës do t‘i duhet një mentalitet krejt i ri për të lejuar politikanët e minoriteteve të hyjnë në majat e politikës. "Fitorja e Obamës tregon se duhet të heqim dorë nga kategorizimi i njerëzve në kutiza të vogla dhe të kërkojmë një kuadër më të gjerë. Obama është amerikan dhe është i zi po aq sa ç‘është i bardhë. Unë jam gjerman me origjinë turke dhe jam gjerman sa ç‘jam evropian".

Diçka më pak se një e pesta e rezidentëve të Gjermanisë janë me origjinë të huaj ose pjesërisht të huaj. Kjo statistikë nuk pasqyrohet në arenën politike. Në këtë çast që flasim, minoritetet etnike zënë vetëm 10 prej 612 vendeve në Bundestag. Raporte pak a shumë të përafërta vërehen në të gjithë Evropën - me ndonjë përjashtim të rrallë siç është ai i Ahmed Abutalebit, i cili, së shpejti mund të bëhet kryetari i Bashkisë së Roterdamit, një prej qyteteve më të rëndësishëm të Holandës.

Pyetja se kur do të shfaqet "Obama" evropian, ngrihet edhe më me forcë në Francë, ku banon komuniteti i të zinjve më i madh në Evropë, së bashku me një minoritet arabo-mysliman prej rreth 5 milionë banorësh. "Kjo është dhjetë herë më e madhe se rënia e murit të Berlinit", tha në një intervistë radiofonike Rama Jade, e vetmja ministre me ngjyrë në Francë. "Amerika është përsëri Botë e Re. Këtë mëngjes, të gjithë duam të jemi amerikanë, në mënyrë që të pimë një gllënjkë nga kjo ëndërr që po na shpaloset para syve".

"Ky është mesazh"

Vitin që shkoi, Presidenti Nikolas Sarkozi zuri titujt kryesorë të shtypit, duke marrë në kabinetin e vet tre ministra me origjinë nga minorancat etnike të vendit. Por, megjithatë, partitë kryesore në vend janë kritikuar për faktin që kanë lënë jashtë pozicioneve influentë figura të rëndësishme politike me origjinë arabe dhe të zezë.

Çështja e përfaqësimit politik zuri qendrën e skenës pas rebelimeve raciale të 2005-ës, por, tre e vjet e këtej, elita politike historike e ka mbajtur fort pushtetin në duart e veta. Në shumë lagje, zemërimi ende vlon në sipërfaqe.

"Ndoshta bëhej fjalë për shpërthimin më të fortë të dhunës rrugëve, që nga Lufta e Dytë Botërore, por u reagua pak nga qeveria. Zonave urbane të pakënaqura, në të vërtetë, nuk iu dha kurrfarë shansi", thotë Romain Garbaj, autor i librit "Hyrja në fuqinë lokale", një investim në politikën e grupeve minoritarë në qytetet franceze dhe angleze. Në këtë kontekst, shkëlqimi i Obamës lë vend "për optimizëm të përmbajtur", thotë autori. "E gjitha kjo dërgon një mesazh tamam aty ku duhet dërguar: tek elita politike".

Ndërkaq, përfshirja e minorancave në politikë po përmirësohet në nivelin e pushtetit vendor. "Zgjedhjet bashkiake franceze të vitit 2008 treguan se grupet e minoriteteve patën rezultate më të mira se më parë", thotë Garbaj. "Ngadalë, por po ndodh. Rezistenca nga elita politike do të dobësohet. Ndihet një perceptim gjithnjë e në rritje që në nivel lokal diçka po ndodh vërtet".

Po ashtu, edhe në Britani

Në Britani, ku "raca e përzier" është minoriteti me rritje më të shpejtë, fenomeni "Obama" është adaptuar si model për t‘u ndjekur nga një gjeneratë e tërë të rinjsh të zinj. Patrisia Xhanet Skotland, pjesëtare e Dhomës së Lordëve, ka lindur në koloninë e dikurshme Dominika. Është njëherësh e para grua dhe i pari njeri me ngjyrë që bëhet zyrtare e lartë drejtësie në qeverinë britanike. Në një intervistë për londinezen "Times", ajo tha se fitorja e Obamës i dërgon një sinjal të fortë brezave të rinj dhe se "politika po ndërron".

Pyetjes nëse mund të kishte gjasa që në Britani të shihej një ministër i zi, ajo iu përgjigj: "Përse jo? Do irritohesha në rast se ai person do të gjykohej në bazë të ngjyrës së lëkurës dhe jo në bazë të karakterit e aftësive. Ky është edhe ndryshimi tani: në të shkuarën ngjyra përbënte një pengesë që nuk lejonte gjykimin e karakterit. Tani, si shoqëri, jemi në gjendje t‘i gjykojmë njerëzit në bazë të cilësisë së talentit".

Por optimizmi i saj është veç një pikë në detin e realitetit politik britanik. Megjithëse përbëjnë të paktën 8 për qind të popullsisë, minoritetet etnike numërojnë vetëm 15 ndër 646 vendet në Parlament. Pavarësisht "Obamanisë" evropiane, grupet e minoriteteve përfaqësohen vetëm në rangjet periferike qeveritare.

E megjithatë, suksesi i Obamës i ka gjallëruar këto grupe. "Fakti që tani President është një afro-amerikan është një gjë, por fakti tjetër, që ai është emigrant i brezit të dytë, që emigranti ishte i ati, është i pabesueshëm", thotë Sinar Safter, përfaqësues i Unionit Turk në Berlin.

Por Evropa i vendos nëpër këmbë një mori pengesash qytetarëve minoritarë që synojnë rangjet e larta të pushtetit. Së pari, pasi ndërrimet e mentaliteteve kanë nevojë për kohë, dhe, ndërsa SH.B.A. ka një histori shumë të gjatë emigracioni, Spanja, sa për të marrë një shembull, e ka njohur këtë fenomen vetëm gjatë dekadës së shkuar. Në vende të tjera, emigracioni nisi pas Luftës së Dytë Botërore, në vitet pesëdhjetë e gjashtëdhjetë.

Nga ana tjetër, stereotipat negativë e kufizojnë ndjeshëm suksesin. "Obama pati sukses, pasi gjeti mbështetje te shtresa kryesore e popullsisë", thotë Piter Dorshler nga Universiteti Blumsburg, studimet e të cilit janë fokusuar te komuniteti turk në Gjermani. "Nuk besoj se shoqëritë evropiane janë gati për t‘i konsideruar emigrantët si diçka më shumë se kandidat me etni të ndryshme nga e tyrja. Kjo vjen pjesërisht për shkak të stigmës që emigrantët, veçanërisht myslimanët, përfaqësojnë kërcënim për sigurinë kombëtare, gjë që nuk i lejon të konsiderohen si bashkë- kontribuues për të mirën e përbashkët".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›