E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-pedagogu i Ekonomikut në gjyq për mashtrim

 

TIRANE – Shkon për shqyrtim në Gjykatën e Tiranës dosja në ngarkim të ish-profesorit të akuzuar për mashtrim me masterat 5000 euro në Itali. Pak ditë më parë në gjykatën e kryeqytetit është zhvilluar seanca e parë në ngarkim të Aleksandër Jorgonit. Burime pranë gjykatës sqaruan se seanca u shty në një datë të re, për shkak të mosparaqitjes së palëve në proces. I pandehur në këtë dosje, Aleksandër Jorgoni ish-pedagog në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës, akuzohet nga organi i akuzës për “mashtrim”. Sipas prokurorisë, në bashkëpunim me një profesor italian, Jorgoni kishte mashtruar disa studentë se do t’i dërgonte për studime “master” në Itali, me afat një vjeçar në këmbim të 5 mijë eurove. Në të vërtetë bëhej fjalë për një projekt të mbështetur nga Ministria e Jashtme Italiane, i konceptuar si një projekt bashkëpunimi mes Fakultetit Ekonomik në Tiranë dhe atij të Forlit në Bolonja. Ndërsa kuota e reale e këtij “shërbimi” nuk i ofrohej aspak shumës së caktuar nga Jorgoni, ai u kishte kërkuar studentëve nga 5 mijë euro. Por denoncimi i dy studenteve të lënduara nga kjo skemë mashtrimi, vuri në shënjestrën e agjentëve të Antikrimit Ekonomik, Jorgonin dhe nisjen e procedimit penal ndaj tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›