Biznesi: Kërkesat tona ndaj qeverisë
Fabiola Çela
Komuniteti i biznesit ka përgatitur një listë me kërkesa për qeverinë. Diferencimi i TVSH-së, heqja për referencat doganore, sidomos për importet nga Bashkimi Evropian, si dhe mbyllja në sa më shpejt i procesit të legalizimit, kanë qenë disa nga kërkesat e biznesit. Ndërkohë biznesi ka kërkuar nga Banka e Shqipërisë që të ulë normën bazë të interesit.
Kërkesat
Në një deklaratë për mediat, kreu i Dhomës së Tregtisë, Gjok Uldedaj ka deklaruar se, “biznesi ka pritshmëri të lartë nga qeveria e ardhshme, sidomos për sa i takon ndryshimeve në sistemin fiskal, lehtësirave në pagimin e taksave. Por mbi të gjitha, reduktimin e korrupsionit dhe abuzimit në masën më të madhe të mundshme”. Sipas tij, për muaj me radhë është folur për krizën financiare që ka përfshirë botën. Kreu i Dhomës së Tregtisë theksoi se vendi ynë mbetet më pak i prekur nga kjo krizë, dhe sipas statistikave zyrtare efektet e krizës botërore po ndihen në disa sektorë të rëndësishëm të sipërmarrjes private, si ajo e industrisë. “Do të doja t’ju kujtoja që në këtë kuadër, pak kohë më parë, në mbledhjen e përgjithshme të Asamblesë së Dhomës së Tregtisë u dol me një paketë antikrizë, propozim ky për qeverinë e para 28 qershorit. Një pjesë e këtyre propozimeve u morën në konsideratë dhe janë gjetur të reflektuara në një sërë nismash qeveritare. Ajo çfarë sot kërkojmë nga qeveria e re, që do të votohet nga Parlamenti i ri, janë një sërë kërkesash që do të lehtësonin jetën e biznesit në këtë periudhë, ku kriza ndërkombëtare mbetet njëlloj prezent në tregje”, ka deklaruar Uldedaj. Në një situatë të tillë komuniteti i biznesit i ka kërkuar qeverisë që të përshkallëzojë TVSH-në sipas produkteve dhe shërbimeve. Kjo kërkesë konsiston, së pari, në heqjen e TVSH-së për importin e makinerive prodhuese dhe atyre të mekanikës bujqësore, dhe të paguhet TVSH-ja vetëm në rastin e rieksportimit të këtyre makinerive dhe, së dyti, të ulet TVSH-ja për importin e makinerive për përdorim në industrinë e ndërtimit dhe vlera e kësaj TVSH-je të paguhet me këste të zgjatura. Gjithashtu biznesi ka kërkuar nga Banka e Shqipërisë që të ulë normën bazë të interesit. Kjo, pasi në këtë mënyrë bëhet më i lehtë përballimi i kredisë nga biznesi. Sipas Uldedaj, qeveria duhet të mbyllë sa më shpejt procesin e legalizimit, pasi kështu futen në treg më shumë asete që mund të lihen peng dhe, për rrjedhojë, të rrisin mundësinë e kreditimit të operatorëve ekonomikë. Ndërkohë një tjetër kërkesë e biznesit ndaj qeverisë është edhe heqja e praktikës së referencave doganore, sidomos për importet nga Bashkimi Evropian, ku kontratat nga këto vende dihet që janë të pamanipulueshme.
Kërkesat e biznesit
Të ketë një përshkallëzim të TVSH-së sipas produkteve dhe shërbimeve. Kjo kërkesë konsiston, së pari, në heqjen e TVSH-së për importin e makinerive prodhuese dhe atyre të mekanikës bujqësore, dhe të paguhet TVSH-ja vetëm në rastin e rieksportimit të këtyre makinerive dhe, së dyti, të ulet TVSH-ja për importin e makinerive për përdorim në industrinë e ndërtimit dhe vlera e kësaj TVSH-je të paguhet me këste të zgjatura.
Banka e Shqipërisë të konsiderojë mundësinë e uljes së normës së interesit, duke e bërë më të lehtë kështu përballimin e kredisë nga biznesi, pasi tashmë presionet inflacioniste janë më të pakta.
Qeveria duhet të mbyllë sa më shpejt procesin e legalizimit, pasi kështu futen në treg më shumë asete që mund të lihen peng dhe, për rrjedhojë, të rrisin mundësinë e kreditimit të operatorëve ekonomikë.
Të hiqet praktika e referencave doganore sidomos për importet nga Bashkimi Evropian, ku kontratat nga këto vende dihet që janë të pamanipulueshme.