Konfiskohen 125 makineri elektronike
Njësia e Mbikëqyrjes së Lojërave të fatit (NJMLF) ka nisur kontrollin mbi standardet që duhet të plotësojnë lojërat elektronike. Pas këtij kontrolli ka rezultuar se shumë prej këtyre makinerive nuk i përmbushin standardet që përcakton ligji. Në një situatë të tillë njësia ka bllokuar 125 aparate që nuk plotësonin standardet. Konkretisht, pas hyrjes në fuqi të ligjit për “Për lojërat e fatit”, dhe të dispozitave të cilat përshkruajnë standardet, të cilat duhet të plotësojnë lojërat elektronike, NJMLF ka filluar kontrollin për përputhshmërinë e standardeve të makinave elektronike që ekzistojnë në treg, me standardet e parashikuara nga legjislacioni për lojërat e fatit. “Nga kontrolli rezulton se në shoqëritë, Regency Kazino, sh.a, Rozafa Palace, Fito sh.a, Simban sh.a Tirana Elektronik, Everest, Xhoi co 21 etj., janë konstatuar lojëra elektronike të cilat nuk plotësojnë standardet e kërkuara nga ligji”, ka deklaruar përgjegjësi i sektorit të kontrollit, Redian Kristo. Sipas tij, këto makina lejojnë që organizatorët e lojërave të fatit të nxjerrin fitime abuzive në kurriz të lojtarëve apo klientëve. Sipas ligjit për lojërat e fatit, jo më pak se 50 për qind e xhiros duhet të përfitohet nga lojtarët, kurse makinat jashtë standardeve lejojnë organizatorët e lojërave të fatit që të përcaktojnë vetë marzhe shumë të ulëta të fitimit përmes tarimeve mekanike të pakontrolluar. Në zbatim të ligjit, në ditët e fundit njësia ka marrë disa masa. Ka konfiskuar 125 aparate, të cilat nuk i plotësonin standardet, 45 prej të cilave në shoqëri të licencuara për ushtrim aktiviteti lojëra fati, si Fito sh.a Intertronik, Everest sh.a Xhoi co 21, Rozafa Palace. “Përmendim se në disa raste, si për shembull gjatë konfiskimit të makinave te Rozafa Palace, është hasur në pengime antiligjore dhe situata është zgjidhur vetëm me ndërhyrjen e forcave të rendit”, është shprehur Kristo. Ndërsa 80 lojëra të tjera elektronike janë konfiskuar në subjekte të paregjistruara. Përveç këtyre janë marrë edhe disa masa të tjera, si bllokimi i aktivitetit të 75 lojërave elektronike në ambientet e Regency Kazino.