E Diel, 1 Nëntor 2026

“Loshi” porositi 335 kg drogë me skaf, në gjyq katër trafikantët

 

Tiranë – Prokuroria e Krimeve të Rënda përfundon hetimin për episodin e trafikimit të 335 kileve marijuanë me skaf drejt Greqisë, duke dërguar në gjyq si të pandehur tre persona, Adhurim Ndreu, Rizart Azizi dhe Ilirjan Malaj. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat thanë se organi i akuzës ka identifikuar personat që kryen grumbullimin e lëndës narkotike dhe më pas organizuan trafikimin e saj me skaf në drejtim të Greqisë. Ngjarja ka ndodhur më 24 dhjetor 2005 në Himarë, kur Sektori i Operacioneve Speciale sekuestroi fare pranë detit një furgon të ngarkuar me 335 kilogramë kanabis sativa. Sipas prokurorisë, lënda narkotike ishte bërë gati të trafikohej drejt Greqisë nëpërmjet detit me skaf. Pesë persona u arrestuan në flagrancë menjëherë pas kapjes së drogës. Sipas organit të akuzës, droga ishte vendosur në 10 çanta dhe në 10 thasë, në të cilat janë gjetur rreth 13 lloje gjurmë gishtash, të cilat janë dërguar për ekspertim. “Hetimet për ngjarjen e ndodhur më 24 dhjetor 2005, kur u kapën 335 kilogramë lëndë narkotike, provuan se veç personave tashmë të dënuar për këtë episod, Hasan Gjinaj, Laver Tozaj, Artur Balilo, Aranit Halilaj dhe Ilia Gjicali, në trafikimin e ngarkesës prej 335.2 kile lëndë narkotike për në Greqi kanë bashkëpunuar dhe persona të tjerë, mes të cilëve Adhurim Ndreu, Rizart Azizi e Ilirjan Malaj, të tre banues në Vlorë. Sipas Prokurorisë, hetimet kanë provuar se Hasan Gjinaj duke qenë me banim të në Greqi, është njohur me një person të njohur me emrin “Loshi”, me të cilin ka rënë dakord për trafikimin përmes detit me skaf, të sasisë prej 350 kilogramë lëndë narkotike, e cila do të dorëzohej kundrejt shumës 23000 euro. Pasi ka bërë marrëveshjen, Hasan Gjinaj ka dërguar paratë e kërkuara në Shqipëri tek një i njohur i tij, i cili më pas ka filluar grumbullimin e lëndës narkotike duke arritur të mbledhë 170 kg drogë vetë ai personalisht. Droga është blerë në fshatra të ndryshme të Vlorës. Përmes bashkëpunimit mes tyre, katër të pandehurit kanë arritur të grumbullojnë sasinë e drogës së kërkuar dhe më pas kanë marrë masa për transportimin e saj në drejtim të vendit të caktuar për nisjen e skafit që do të kryente trafikimin për në Greqi. Gjithçka është ndërprerë pas ndërhyrjes së agjentëve të policisë, më datë 24 dhjetor 2005, kur është bllokuar furgoni me gjithë ngarkesën e përgatitur të drogës, si dhe janë arrestuar në flagrancë katër persona dhe shpallur në kërkim i pesti i cili më vonë është vetëdorëzuar.                        tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›