Rovena Dilo,rebelja e ritmeve joshëse
Petrika GROSI
Modeste, e qeshur, herë filozofike e herë poetike, biseda me Rovenën duket se nuk të mërzit... Dhe, orët kalojnë, ne flasim, intervista zgjatet e zgjatet pafundësisht. Këngëtarja Rovena Dilo mbetet pa dyshim një nga më të mirat në tregun e djeshëm dhe të sotëm të muzikës shqiptare të pas viteve ’90. Ajo që e karakterizon Rovenën veç talentit, sharmit dhe formimit të saj është të qenurit skrupuloze në punën që bën, pavarësisht se zhgënjimet nga realiteti dhe nga shoqëria shqiptare, natyrisht, nuk mungojnë. Këngëtarja e njohur tregon në intervistën e sotme, dhënë ekskluzivisht për suplementin “Albania Weekend”, mbi mënyrën si ajo e bën poezinë, tekstin e këngëve, punën e lodhshme që duhet për të prodhuar vlera dhe përballjen e këtyre vlerave në një treg ku kriteret dhe shijet mungojnë e kequshqehen. Biseda jonë, rreket të zbulojë këngëtaren në disa dimensione të profilit të saj, në një mënyrë mjaft origjinale, duke e shpërfaqur karakterin e artistes përmes mendimeve, mënyrës të të punuarit, përvojës, filozofisë, përjetimeve, vuajtjes dhe suksesit të saj.
Me çfarë po merret aktualisht Rovena?
Në lidhje me muzikën nuk kam bërë asgjë të re dhe gjërat që kam ndërmend për t’i realizuar në të ardhmen janë ende në formë idesh, pa të distancuara nga konkretja. Në fakt, po punoj mbi një material, të cilin e kam dëgjuar dhe e kam një ide poetike për të. Dua të shkruaj një tekst kënge që të jetë i prekshëm nga njerëzit dhe që ta arrij qëllimin më duhet kohë, pasi asnjëherë nuk nxitohem kur bëj një këngë. Në një moment të caktuar, melodia që kam në dorë më sjell një shkulm të bukur poetik dhe kur kjo të ndodhë, brenda gjysmë mund ta bëj tekstin.
Pra, e keni si mënyrë të punuari të pasurit e melodisë në fillim, e më pas bërjen e tekstit?
Me shumë nga kompozitorët që kam bashkëpunuar kohët e fundit, kështu ka funksionuar. Ata frymëzohen, krijojnë muzikë pa u ndikuar nga ndonjë varg poetik dhe më pas teksti i përshtatet melodisë.
ǒështë kjo melodi, meqënëse po flasim për të?
Melodia që i referohem për momentin është një kompozim shumë i bukur i Endri Sinës, i cili zakonisht ka materiale e copëza muzikore që me stilin e tij të orkestrimit janë të papërsëritshme për realitetin shqiptar. Endri, është ai lloj kompozitori që të detyron t’ja pëlqesh melodinë. Pastaj, që të bësh këngë dhe të kesh sukses me të është një tjetër hap.
Ku po kërkoni për ta krijuar tekstin e melodisë?
Brenda vetes sime. Mendoj se kjo melodi mund të më frymëzojë. Jam duke pritur momentin e muzës.
Do të jetë këngë dashurie?
Mënyra më e mirë për të protestuar kundër dhunës dhe për të kërkuar lirinë është dashuria, ta marrësh dhe të japësh sa më shumë dashuri është shumë e rëndësishme. Ideja që kam në kokë është më tepër një lloj reflektimi filozofik; Endrit i ka vdekur djali 6-vjeçar para një viti në Korçë. Melodinë ai ma ka dhënë disa muaj para se t’i ndodhte kjo fatkeqësi. Duke qenë se e kam provuar çfarë është humbja, pasi kam humbur babanë, dua ta transmetoj këtë emocion. Kam përshtypjen se njeriu, kur humb të dashurit nuk e pranon ndarjen prej tyre. Një njeri, kur ti e do, edhe kur ndahesh përsëgjalli, apo kur ai vdes, je gati ta ndjekësh në përvoja të reja, kaq e madhe është dashuria dhe dhimbja në raste të tilla. Lind pyetja, a do të provoje ta ndiqje pas në vdekjen e tij? Po pastaj, a do të ktheheshe prapa? E di mirë se prindërit duan të vdesin kur humbin fëmijën. Megjithatë, teksti i kësaj kënge, pavarësisht poezisë dhe meditimit nuk do të jetë aspak dramatik. Filozofia është se kur ndahesh nga një njeri që vdes, jeton për ta dashur atë që u largua; të jetosh bashkë me të, dhe për atë.
Një pyetje pak naive, a njihni shumë këngëtarë të tjerë si ju, të cilët mendohen kaq gjatë para se të nxjerrin një këngë?
Para një viti, në maj të 2008-s u vlerësova me çmimin “Kult” për albumin më të mirë të vitit. Një koleg aty, që bënte pjesë në grupin e kritikëve të muzikës së lehtë më tha se kishte dëgjuar 130 albume. “Tani do të rri një vit pa dëgjuar muzikë, pasi jam shurdhuar, kakofonuar dhe më vjen keq për veten e për të gjithë ne. Kur vjen puna për të përzgjedhur vlerat, në gjithë këto albume është shumë e vështirë për të nxjerrë disa...”
Në Shqipëri është e kollajshme të prodhosh albume dhe të tilla dalin thuajse çdo ditë. Për këtë arsye nuk para merrem me prodhimet shqiptare dhe nuk e dëgjoj muzikën tonë. Në anën tjetër, nuk është mirë as që të nxjerrësh një album në dhjetë vjet sepse edhe kjo do të ishte një handikap. Gjërat e mira nuk bëhen nga një njeri i vetëm, apo thjesht nga dëshira e mirë. Duhet të punojë një grup i tërë për të realizuar një album cilësor. Nëse do t’i referohemi botës, albumet e mira të muzikës kërkojnë një hark kohor prej një ose dy vitesh që të krijohen.
A e ndieni mungesën e një hirearkie, të ngritjes të një sistemi vlerash dhe të një kritike të muzikës?
Ajo që na mungon në Shqipëri janë strukturat. Këto struktura më duket se mungojnë jo vetëm për muzikën por për gjithçka. Kemi nevojë për struktura në çdo fushë të jetës sonë. Nganjëherë më duket sikur ne vetë duam t’i prishim këto struktura për të qenë rehat.
Kjo është pasojë e mentalitetit anadollak?
Nuk ma merr mendja se Anadolli na ka prishur më shumë punë neve, se sa grekëve, serbëve, bullgarëve etj. Kjo mungesë strukturash në realitetin shqiptar, them se ka jo vetëm origjinë historike, por edhe politike të të gjitha kohërave. Fatkeqësia është te të qenurit të pazotë për të rekuperuar në këtë drejtim.
Ka pasur një njeri, kritik, muzikolog apo pedagog që të shkruajë një shkrim për këngët tuaja apo të kolegëve?
Këtu mund të të kritikojnë, por këtë gjë e bëjnë njerëz që nuk kanë as aftësinë, as cilësinë dhe as detyrën për të analizuar në mënyrë profesionale një vepër arti.
Si ndihet Rovena teksa hap televizorin dhe shikon se kënga e saj shfaqet krahas shumë të tjerave me vlera të dyshimta?
Jam e vetmja këngëtare që nuk i kam dorëzuar kurrë ndonjë këngë televizioneve, të cilave u mungojnë kriteret përzgjedhëse. Nuk kam fituar as famë dhe as para prej këtij vendimi, por jam munduar të ruaj shijet dhe profilin tim. Pastaj, duhet të mendojmë edhe se çfarë do t’u lëmë atyre të rinjve që do të vijnë nesër, çfarë publiku po edukojmë dhe si po e edukojmë.
A jeni për modifikimet e këngëve popullore?
Nuk ma merr mendja se kënga popullore humb ndonjë vlerë në momentin që pritet nga duart e një “rrobaqepësi” të zotë dhe jo nga sëpata e një “druvari”. Kënga popullore ka nevojë për rimodelime e riformëzime, që të vijë në kohë pasi shijet e dëgjuesit të sotëm nuk janë më ato të viteve ’70.
E keni krijuar tashmë një ide për audiencën tuaj?
Nuk më intereson. Jam e bindur se kjo audiencë është e ngushtë në krahasim me publikun e gjerë shqiptar. Jam një artiste e këngës, personazh i artit shqiptar që nuk mundohem ta tërheq publikun me çdo mjet, por e bëj këtë me personalitetin tim artistik që vjen nëpërmjet zërit, shijeve, dashurisë, sinqeritetit, një mori elementësh të cilat ngërrthehen dhe përbëjnë atë që jam unë. E urrej t’i ofroj publikut vetëm formën.
Jeni kundër formës apo shfaqjeve provokuese e sensuale?
Nuk jam kundër formës pasi të gjithë e duam të bukurën dhe imazhi është i fortë, joshës, si dhe një nga mjetet për të ecur para në çdo fushë të jetës. Nuk jam kundër imazhit, përkundrazi, e dashuroj shumë femrën e bukur, femrën sensuale, të gjitha këto më pëlqejnë jashtëzakonisht shumë, por në momentin që kjo bëhet qëllim në vetvete e pa shije artistike, atëherë nuk ka vlerë.
Nuk ka pse të zhvishen të gjithë në skenë. Shumë këngëtare mund t’i kenë këmbët e bukura por nuk është e thënë t’i tregojnë me vend e pavend. Ka të tjera që i tregojnë, madje përveç këmbëve kanë edhe cilësi të tjera të padiskutueshme dhe çdo lloj shfaqjeje e tyre bëhet me stil, me finesë dhe me një provokacion sfidues që i’u buron artistëve të vërtetë. Problemi në Shqipëri është se dalin e bëjnë sikur këndojnë dhe zhvishen në ekran, femra që nuk janë as të bukura dhe as këngëtare... Nuk e kuptoj pse e bëjnë?!
Po punën e nofkave të këngëtarëve si e shikoni?
Këngëtarët e famshëm i përdorin këto shkurtime apo nofka për hir të një tradite të caktuar që ka lidhje me diçka dhe janë pjesë e suksesit, historisë, famës së tyre.
Burbuqe, Merreme etj., a bëjnë mirë këngëtare me emra të tillë, që i ndryshojnë ato?
(Qesh) Burbuqja nuk mund të bëhet këngëtare dhe as Merremja nuk ma do mendja se mund të bëhet një ditë showgirl.
Po Rovena, a ka menduar ndonjëherë të përdorë një emër të dytë artistik?
Emri Rovena, për fat është shumë i veçantë dhe artistik.
Megjithatë, ka disa Rovena në skenë...
Më bëhet qejfi që ka shumë Rovena dhe që unë jam Rovena e parë në këtë vend.
Më tepër për të shuar kuriozitetin, sa kushton të bësh një album të mirë?
Pa fund kushton. Çmimi mund të kapë çdo lloj shifre. Varet se me kë do të bashkëpunosh. Nëse do të duash të bësh një këngë me kompozitorët më të mirë në botë, që janë suedezët, vetëm melodia do të kushtonte 50 mijë euro.
Folëm gjatë për një këngë, po për të tjera a po mendoni?
Realisht nuk jam duke menduar për këngë të tjera. Edhe këtë këngë, e kam përzemër ta punoj se dua të bëj një gjë të bukur. Megjithëse bota prodhon vazhdimisht art e muzikë, vetëm e bukura nuk paska fund! Njerëzit kanë qejf t’i shijojnë dhe të jenë pjesë e gjërave të bukura. E bukura i ka joshur njerëzit dhe gjithmonë do t’i joshë. Kjo botë do të shuhet nga e bukura...
Vetëm kjo dëshirë, joshja për të bërë diçka të bukur, më shtyn për të krijuar një gjë të re. Mendoj se këtë këngë do ta bëj shpejt pasi më ka kapur ankthi i krijimit; jam e mbushur dhe dua të zbraz diçka. Vargjet e para që më vijnë në mendje janë këto: “Në një gjumë pa ëndrra, pres të pamundurën...”. Me këtë imazh verbal mund ta nis këngën time.
Kënga do të jetë baladë?
Do të jetë një baladë me ritme flamengoje, një lloj alternative mes traditës sonë, një flamengoje mesdhetare dhe një ritmi mjaft modern, një lloj risie.
Me xhazin çfarë marrëdhëniesh keni?
Parapëlqej muzikën klasike ndaj xhazit. Më pëlqejnë jashtëzakonisht edhe muzikalet, disa prej të cilave si “Katedralja e Parisit” dhe “Romeo e Zhuljeta” i kam dëgjuar me dhjetra herë. Ndjek gjithashtu, rrymat e rrokut, rrokut alternativ, popit, gjithçka që ka të bëjë me muzikën e lehtë; baladat dhe bluzi më pëlqejnë pa masë. Dëgjoj të gjitha rrymat që kanë brenda embëlsi, ndienjë e traditë, madje dhe muzikën turke kur është e mirë.
Po metali a ju pëlqen ndopak?
Më pëlqen. Është një lloj mënyre rebelimi, një shpërrthim.
Rrymat mistike më tërheqin edhe në filozofi e në letërsi.
A ju vjen keq që në rininë tuaj nuk patët mundësi të këndonit rrok dhe metal?
Do të kisha pasur dëshirë ta provoja megjithëse në këtë lloj muzike më tepër sukses kanë pasur meshkujt. Megjithatë, rrymat janë të pafundme dhe më vjen keq që sot nuk kam bandën time, e cila do të më ndiqte në çdo performancë live.
Duke qenë se mungon jeta koncertale, a do të këndonit në një lokal apo restorant serioz, nëse do t’u bëhej një ofertë e mirë?
Kam kënduar live për shumë vite në Greqi, një vend që e vlerësoj shumë për traditën e muzikës live. Aty ambjentet e tilla ishin nga më të ndryshmet, sa edhe sot e kësaj dite ne nuk i afrohemi dot, e jo vetëm atyre, por as publikut grek që di të jetë i jashtëzakonshëm, një klient i vërtetë i muzikës. Pasi kam kënduar live në një vend me traditë të madhe në muzikën live, e kam të vështirë që ta aplikoj këtë përvojë në një vend të vogël dhe në hapat e para të kësaj tradite, si Shqipëria.
Si ju duket moda e karaokeve?
Janë gjë e mirë. Njerëzit kanë qejf të argëtohen e të këndojnë por problemi qëndron se shqiptarët nuk i lënë radhë njëri tjetrit. Sa hapet një karaoke mbijnë në të njëjtin vend dhe shumë të tjera.
Shoh së e keni modifikuar lokalin tuaj?
Sapo e kam rinovuar dhe vendosa që këtë verë të mos fus muzikë live. Dy vitet e fundit kam pasur një grup rroker shumë të mirë që na ka kënaqur të gjithëve por mendova të ndryshoj stil dhe këtë verë të mos jetë më muzika ritmike. Gjatë dimrit do të futemi brenda lokalit dhe do të krijohet një ambjent i ngrohtë. Nuk do të mungojë muzika live por volumi i saj do të jetë më i ulët, pa kitarrat elektrike dhe zhurmat ulëritëse.
Me një lokal të qetë, a nuk humbisni klientë sa i takon komercializmit?
Do ta provoj një herë. Mendoj se lokale ku rroku buçet deri në qiell ka shumë. Është një eksperimentim që e bëj pasi edhe jeta konsumatore e Tiranës ka rënë pak. Uroj që shumë lokale të mbyllen dhe të mbeten vetëm ato që e meritojnë.
Çfarë raporti ke me librat?
Të shkëlqyer.
Që do të thotë?
Se jam një lexuese profesioniste.
Libri i fundit që keni lexuar?
Tashmë kam në duar vëllimin e shtatë të Harri Poterit. Përveç tij më pret vëllimi i dytë “Shqipja dhe sanskritishtja”, ndërkohë që dua të rilexoj dhe një herë vëllimin e parë të saj. Në të njëjtën kohë, pres që mbesa ime të më sjellë një libër, të cilin ajo ka shumë dëshirë ta lexoj, “Parfumi”.
Pse e lexon Harri Poterin?
Çdo njeri ka nevojë për magji...
Ndërkaq, a vazhdoni të shkruani poezi?
Kam përshtypjen se poezia vjen te mua në momentet kur jam e çliruar nga realiteti stresues. Ajo kërkon që të jesh emocionalisht e qetë dhe muskulatura e trupit dhe e trurit të jetë aq e çlirët sa dhe emocioni yt.
Mendon se është frymëzuese më e mirë vuajtja apo çastet e bukura?
Gjithkush e përjeton krijimin sipas mënyrës vetjake. Për disa mund të jetë vuajtja e për të tjerë dashuria, suksesi apo arritja e diçkaje të mirë. Personalisht, vuajtja nuk më bën krijuese. Kam nevojë për motivim të fortë pozitiv. Romantika dhe lirikja tashmë janë konsumuar, ndaj, nëse mungon shkarkesa filozofike, nuk mund të krijohet një poezi aktuale dhe emocionuese. Jeta është bërë e etshme për pak intrigë, substanca që të na i bëjnë gjërat të pritshme dhe jo të gatshme, e të zbuluara që pa u thënë ende mirë. Poezia sot është pak më e vështirë se dikur.
Në momentet e vështira, mbylleni në vetvete dhe e mbani stresin e vuajtjen apo hapeni diku tjetër?
Jam tip që ka nevojë të shkarkohet diku.
Sipas një filozofie kineze, ky shkarkim stresi te tjetri është egoizëm.
Kjo ka të bëjë më shumë me temperamentin dhe mentalitetin. Secili ka një botëkuptim të trashëguar brez pas brezi. Ballkanasit janë njerëz me temperament shëprrthyes.
Gjithmonë keni qenë avangardë. Po tani?
Për një kohë të gjatë kam qenë pikë referimi për këngëtaret e tjera pasi jetoja në Greqi, dhe vija këtu vetëm për të sjellë diçka të re dhe pasi këndoja, prapë ikja. Megjithatë, këtu është një treg që të nxjerr me gishtë në gojë, ku përplaset vlera dhe antivlera pa asnjë lloj rezultati.
Keni menduar ndonjëherë që të bëni karrierë jashtë shtetit, duke kënduar në anglisht?
Më pëlqen të këndoj në anglisht, jam anglofone dhe anglofile. E adhuroj mendësinë dhe shpirtin anglez, mënyrën e tyre të të konceptuarit të gjërave. Po kështu, e adhuroj artin e tyre në muzikë, letërsi etj. Meqë më pyetët, rastet për karrierë jashtë nuk më kanë munguar. Kur bëra klipin e këngës “Dorëzohem” në Milano, një producent ma kërkoi variantin në shqip por e neglizhova këtë propozim, ndonëse kënga mund të ishte bërë një hit diskotekash. Jam pak dembele dhe më mungon ambicia për këto iniciativa.
Keni menduar ndonjëherë të këndonit në Festivalin Europian?
Ky kompeticion e ka një prag që është Festivali i Këngës në RTVSh. Këtë festival, në kohën e konkurrimeve të mia e kam kaluar shumë herë, me çmime e pa çmime, por me suksese të mëdha. Kujtoj këngët që janë bërë lajtmotive si “Hape qiellin për mua”, “Fjalët e përjetshme”, “Ante i tokës sime”, “Kam frikë nga dashuria”, etj. Pastaj, dalëngadalë filloi një pjekuri e imja dhe më dukej sikur nuk bëja pjesë në këtë lloj prove të festivalit. Më vonë kam pasur dëshirë ta përfaqësoja vendin denjësisht në skenën ndërkombëtare, por festivali kombëtar është bërë si çdo gjë tjetër në Shqipëri, një vend ku ambiciet e të tjerëve të përjashtojnë dhe sikur të jesh më e mira. Fitorja e tjetrit nuk duhet parë si humbja jote dhe këtu qëndron problemi. Nuk hyj në këtë festival me ambicje për ta fituar e as për t’i përjashtuar të tjerët. Kur kanë fituar më të mirët jam gëzuar, paçka se mund të më ketë mbetur hatri që nuk kam fituar vetë. Gëzimet në jetë janë shumë të shkurtra, hidhërimet zgjasin, ndërsa vlerat mbeten përgjithmonë.
Po zhgënjime, a keni pasur këto vite nga ky festival?
Pa modesti fare, do të thosha se në 2007-n, me këngën “Rrëfimi” të Armend Rexhepagiqit e fitova festivalin dhe duke qenë se e fitova, nuk më futën në natën e tretë finale. Publiku e duartrokiti gjatë këngën dhe më kërkoi që të kthehesha por ata sajuan disa lapsuse dhe e bënë të mundur që kjo të mos ndodhte.
Së fundi, pas martesës, cilat janë planet për të ardhmen?
Nuk mund të flas për këtë gjë pasi në martesë jemi dy.
18 Korrik 2009