E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dritan Dajti, me ambulancë të blinduar në gjyq

Nën mbikëqyrje të rreptë
të forcave speciale të
policisë, i lidhur me
pranga këmbë e duar
dhe me barelë, i plagosur, Dritan
Dajti është futur në Gjykatën
e Krimeve të Rënda, ku u njoh
me masën e sigurisë. Shumë
mjete policie e kanë shoqëruar
ambulancën nga spitali i burgut,
e asnjë veprim i dyshimtë nuk
është lejuar nga uniformat blu,
derisa gjykata i ka treguar Dritan
Dajtit se për vrasjen e katër policëve
është vlerësuar me masën e
sigurisë "arrest në burg". Ndërsa
i shumëkërkuari, me qetësi, sikur
të mos kishte ndodhur asgjë, ka
pretenduar se kanë dashur ta
vrasin ditën e arrestimit të tij, si
dhe nuk trajtohet mirë në Spitalin
e Burgut.
Po dje, gjykata ka caktuar
masën e sigurisë "arrest me
burg" për kunatin e Dajtit, Erges
Xhaxhin, ndërsa ka lënë të
lirë Elvis Karolin. I pari që është
sjellë në Gjykatën e Krimeve të
Rënda për t‘u njohur me masën e
sigurisë ishte kunati i Dritan Dajtit,
Erges Xhaxhi. Ora shënonte
09:00 kur Xhaxhi është futur në
sallën e gjyqit për t‘u përballur
me pretendimet e akuzës dhe
më pas për t‘u njohur me masën
e sigurisë. "Nuk kam të bëj fare
me vrasjet, nuk e di pse jam këtu.
Nuk kam parë asgjë, pasi kam
qenë i shtrirë në tokë dhe nuk
kam parë kush ka qëlluar dhe
kë kanë vrarë", mësohet të ketë
deklaruar 24-vjeçari përpara
gjykatëses së gatshme, Marsela
Balili. Pavarësisht pretendimeve
të tij, gjykata ka caktuar për të
masën e sigurisë "arrest në burg".
Sipas të dhënave, Prokuroria
e Krimeve të Rënda ka ngritur
në ngarkim të Xhaxhit akuzën
"dhënie ndihme në eliminimin
e katër efektivëve".
Vetëm një orë pas mbërritjes
së Xhaxhit në Gjykatën e Krimeve
të Rënda, Dritan Dajti është shoqëruar
nga Spitali i Burgut drejt
gjykatës me sirena policie. Disa
furgonë policie, shoqëruar edhe
nga mjete të tjera, brenda të cilave
qëndronin efektivë të veshur
me jelekë antiplumb dhe me
maska, ku në duar mbanin nga
një armë të llojit "Kallashnikov",
shoqëronin ambulancën e blinduar
të Spitalit të Burgut, brenda
së cilës qëndronte Dritan Dajti.
Mësohet se Dajti është sjellë me
barelë në gjykatë, i lidhur këmbë
e duar, si dhe shoqërohej me
masa të rrepta sigurie, ndërkohë
që mbi kokën e tij qëndronin
uniforma blu, të veshur me
antiplumb. Menjëherë sapo ka
hyrë në ambientet e gjykatës,
nëpërmjet tunelit, Dajti është
shoqëruar për në sallën e gjyqit,
nën shoqërinë edhe të personelit
mjekësor. Duke marrë parasysh
faktin që 38-vjeçari nuk kishte
një avokat mbrojtës, gjykata i ka
caktuar atij avokatin Remzi Ponari.
"Kanë dashur të më vrasin,
në momentin e arrestimit. Nuk
po trajtohem mirë nga ana e
policisë në burg. Kërkoj trajtim
më të mirë". Ky ka qenë i vetmi
shpjegim që Dritan Dajti ka
deklaruar dje përpara gjykatës
gjatë caktimit të masës së sigurisë.
I pandehuri i ka kërkuar
edhe ujë gjykatëses së gatshme,
pasi nuk ndihej mirë. Nga ana
tjetër, prokurorët e çështjes,
Ardian Nexha dhe Eugen Beci
i kanë shpjeguar gjykatëses së
gatshme, Marsela Balili, se Dajti
është duke u hetuar për akuzën
e "vrasjes në rrethana të tjera
cilësuese", pikërisht për vrasjen
e katër efektivëve specialë të
policisë. Gjykata ka verifikuar të
gjitha plagët që kishte marrë Dritan
Dajti gjatë momentit të arrestimit.
Mësohet se nën ndihmën
e mjekëve, Dajti i ka treguar
trupit gjykues dhe prokurorëve
tre plagët e tij, njëra prej të cilave
në krah të majtë, tjera në anën e
djathë të barkut, ndërsa plaga e
tretë në këmbë. Sipas avokatit
Ponari, gjatë seancës gjyqësore,
ai kishte kërkuar një masë
sigurie më të butë për klientin
e tij, kjo duke marrë parasysh
gjendjen e rënduar mjekësore.
Gjykata ka vendosur dje masën
e sigurisë "arrest me burg" në
ngarkim të Dritan Dajtit. Gjatë
momentit që Dajti ishte duke u
përballur me Gjykatën e Krimeve
të Rënda, një nga miqtë e tij, i
arrestuar një ditë pas ngjarjes,
Elvis Karoli, 21 vjeç, është përballur
me Gjykatën e Tiranës për
masën e sigurisë në ngarkim të
tij. Karoli u arrestua në banesë,
pasi dyshohej si bashkëpunëtor
i Dajtit dhe akuzohej për veprën
penale të "armëmbajtjes pa leje".
Gjykatësi i çështjes, Ilir Çeliku,
ka caktuar në ngarkim të tij
masën e sigurisë "detyrim paraqitjeje",
në mungesë të provave.
Mësohet se pas ndarjes së dosjes
nga dy të pandehurit e tjerë, akuza
kishte në disponon vetëm dy
plumba si prova materiale. Vetë
Karoli mësohet se ka deklaruar
në gjykatë që e njihte Dritan
Dajtin, por që nuk ka dijeni për
veprimtarinë e tij kriminale.

Bashkëshortja "mbështet" 38-vjeçarin jashtë gjykate

Edhe pse gjashtëmuajshe shtatzënë e burri i
saj akuzohet për vrasjen e katër punonjësve
të policisë, Dorela Dajti nuk ka hezituar
për të ardhur në gjykatë dje, kur ai do të njihej
me masën e sigurisë. Në momentin që Dritan
Dajti është sjellë me masa të rrepta sigurie në
gjykatë, bashkëshortja është paraqitur sa hap e
mbyll sytë, duke pritur për vendimin e gjykatës.
E veshur me një bluzë me rripa, ngjyrë portokalli
dhe me lule, me pantallona të bardha, me një
çantë të bardhë në sup, Dorela është afruar te
dera e hekurt, poshtë së cilës ndodhet tuneli që
lidh burgun me gjykatën. Bashkëshortja e Dajtit,
gjatë një bisede, sqaroi se nuk ka qenë me të në
makinë ditën e ngjarjes. Sipas saj, ajo ka qenë e
shqetësuar për prangosjen e të vëllait, i cili ka
qenë duke shoqëruar një pjesëtar të familjes. Dorela
Dajti ka tentuar shumë herë që të afrohej me
derën e gjykatës, deri në momentin që makina e
blinduar e Spitalit të Burgut të dilte jashtë, por ajo,
së bashku me të gjithë familjarët, janë detyruar
të largohen shumë larg gjykatës, pas urdhrit të
nxjerrë nga drejtuesi i masave të sigurisë. Largimi
i familjarëve dhe i të gjithë qytetarëve shmangu
edhe eliminimin e ndonjë tentative tjetër të Dritan
Dajtit për t‘u arratisur. Sipas burimeve nga
Prokuroria e Krimeve të Rënda, Dorela Dajti ka
dhënë shpjegime përpara akuzës, duke pranuar
faktin që ka qenë në Durrës ditën e ngjarjes, por
pasi ka marrë dijeni për ngjarjen.

Ambasadorja
britanike, ngushëllime
për katër oficerët

Ministri i Brendshëm, Bujar
Nishani, priti në një takim
ambasadoren e Mbretërisë së
Bashkuar në vendin tonë, znj.
Fiona Mcllwham. Ambasadorja e
Mbretërisë së Bashkuar Znj. Fiona
Mcllwham shprehu ngushëllimet
e saj më të sinqerta për ndarjen
nga jeta të katër oficerëve të
policisë shqiptare e njëherësh
vlerësoi edhe nderimin e tyre me
titullin "Dëshmorë të Atdheut".
Ambasadorja Mcllwham theksoi
se kjo dëshmon vendosmërinë e
qeverisë shqiptare për të vijuar
me të njëjtën forcë luftën kundër
krimit të organizuar dhe shtoi se
në këtë rrugë dhe në këtë axhendë
të forcimit të ligjit e sigurisë
në vend, qeveria britanike do
të japë gjithnjë mbështetjen e
saj. Ministri i Brendshëm, Bujar
Nishani, shprehu falënderimet në
emër të Ministrisë së Brendshme
dhe qeverisë shqiptare për
asistencën e vazhdueshme të
qeverisë britanike për Policinë
e Shtetit dhe përvojën e ofruar
për sundimin dhe respektimin
e ligjit. Ministri i Brendshëm,
duke u ndalur tek rënia në detyrë
e katër oficerëve të policisë
gjatë një aksioni në Durrës
më 7 gusht 2009, u shpreh se
oficerët e policisë dëshmuan
kurajë, guxim dhe trimëri të
jashtëzakonshme, për të kryer
detyrën ndaj atdheut e në të
njëjtën kohë duke synuar deri
në fund respektimin maksimal të
ligjit. Ministri Nishani u shpreh se
shembulli i oficerëve të policisë të
rënë në detyrë do të jetë frymëzim
për luftën e vazhdueshme të
strukturave të Policisë së Shtetit
kundër krimit të organizuar.
Ministri i Brendshëm ka marrë
mesazhe ngushëllimi për rënien
në detyrë të katër oficerëve të
policisë, nga ambasadori i OSBEsë,
Robert Bosch, ambasadori
i Republikës së Italisë, Sabba
D‘Elia dhe ministri i Brendshëm
i Kosovës, Zenun Pajaziti.

Prokuroria nis verifikimin
e dokumenteve të operacionit

Grupi hetimor, i cili po punon
për dokumentimin
e plotë të ngjarjes së 7
gushtit, ku mbetën të vrarë katër
oficerë policie, pritet të marrë
në pyetje personat që kanë organizuar
operacionin si dhe të
bëjë verifikimin e dokumenteve
të operacionit. Burimet nga
grupi hetimor bënë të ditur se
kanë nisur sekuestrimin e dokumenteve,
që vërtetojnë nisjen
e hetimeve për të pandehurit
deri në momentin e arrestimit të
tyre. Burimet theksuan se ecuria
e zhvillimit të këtij operacioni
do të ndihmojë shumë edhe në
zbardhjen e plotë të skemës së
ngjarjes. Në të njëjtën kohë, grupi
hetimor është duke kryer ekspertime,
në lidhje me dokumentet
që janë sekuestruar në vendin e
ngjarjes, të cilat kanë qenë kartë
identiteti policie, që përdorej nga
i pandehuri Dajti. Sipas akuzes
të gjitha ekspertimet po kryen
si procedurë, për të pasur prova
që këto dokumente janë të falsifikuara.
Përveç kësaj, akuza po
merret me raportet që mbërrijnë
nga institucione të veçanta. Një
nga raportet që ka ardhur deri më
sot është ai i Institutit të Mjekësisë
Ligjore, që përcakton se plumbat
me të cilat janë vrarë katër
efektivët i përkasin së njëjtës
armë. Ndërkohë, akuza është në
pritje të raportit që do të mbërrijë
nga laboratori i kriminalistikës,
pas ekspertizës që do t‘i kryhet
armës tip pistoletë "Bereta", që u
ekzekutuan katër efektivët. Arma
dyshohet se ishte në përdorimin
e Dajtit, ndërkohë që akuza është
në pritje të këtij raporti për të pasur
edhe provën tjetër që e gozhdon
atë. Në masakrën e Durrësit
gjetën vdekjen katër punonjës
të skuadrës operacionale: Fatos
Xhani, drejtues i grupit, Saimir
Duçkollari, Altin Dizdari dhe
Kastriot Feskaj, të cilët tentuan
t‘i hidhnin prangat njeriut më të
kërkuar nga drejtësia shqiptare.
Dritan Dajti jetonte në arrati që
prej 17 nëntorit 2003, kur u arratis
në mënyrë spektakolare nga
Gjykata e Tiranës. Ai është dënuar
për vrasjen e biznesmenit Agim
Beqaj, ne vitin 1999

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›